E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohen me 7.3 për qind humbjet e energjisë në rrjet

 

Rriten humbjet e energjisë në rrjet. Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se edhe gjatë pjesës së parë të vitit, një pjesë e mirë e energjisë që hidhet në rrjet humbet. Sipas të dhënave nga INSTAT, humbjet në rrjet janë rritur 7.3 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë 2009, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Humbjet gjithsej për gjashtëmujorin e parë 2009 janë 1,239 GWh. Ato përbëjnë 27.3 për qind të sasisë së energjisë për përdorim. Humbjet në shpërndarje zënë 91.3 për qind të sasisë së energjisë të humbur në rrjet. Por në ndryshim nga vitet e kaluara, këtë vit situata e mirë hidrike i ka dhënë mundësi KESH-it që jo vetëm të rrisë ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë, por madje edhe të eksportojë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, energjia elektrike e përfituar nga të gjitha burimet në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, u rrit me 40 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2008. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit me 50 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2008. Energjia elektrike e prodhuar në gjashtëmujorin e parë 2009 është 2,994 GWh dhe zë 61.5 për qind të sasisë gjithsej të energjisë. Prodhimi i hidrocentraleve u rrit me 50.5 për qind, duke dhënë ndikimin kryesor në rritjen e burimeve të energjisë elektrike. Ky prodhim këtë gjashtëmujor, zuri 98 për qind të prodhimit gjithsej në vend. Rritje të ndjeshme prej 44 për qind ka energjia e prodhuar nga impiantet private e me koncesion, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. TEC-et gjatë gjashtëmujorit të parë 2009 nuk kanë prodhuar energji elektrike. Sipas INSTAT, gjatë kësaj periudhë importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike është rritur me 26 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2008. Sasia e importuar (përfshirë këmbimet), është 1,869 GWh. Kjo sasi përbën 38.4 për qind të sasisë të energjisë elektrike të përfituar gjithsej në gjashtëmujorin e parë 2009, nga 42.7 për qind që përbënte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008. Gjatë pjesës së parë të vitit, konsumi i energjisë nga familjarët ka pësuar rritje. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur me 2.2 për qind ndaj sasisë së energjisë elektrike të konsumuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008. Ky sektor ka konsumuar 58.9 për qind të sasisë së përdorur nga konsumatorët gjithsej. Energjia elektrike e konsumuar nga përdoruesit e tjerë është ulur me 6.4 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›