Në festën e Pavarësisë, Edvini bën maskaradë kutish në Vlorë

Irritohen qytetarët kërkojnë largimin e menjëhershëm të tij
Edi Rama dhe një grup mercenarësh politikë, ndjekës të përhershëm të tij, vizituan dje qytetin e ngritjes së Flamurit të Pavarësisë, Vlorën, me argumentet gënjeshtare se po feston atje si gjithë të tjerët. Askush nuk e besoi se vizita e Edvinit në qytetin jugor paska pasur një qëllim të tillë, por krahas kësaj tendencat dhe dyshimet reflektonin në një diapazon tepër të gjerë. Edvini shtoi dje në Vlorë, duke përdorur këtë qytet për maskaradën e tij të radhës dhe propagandimin e lëvizjes haxhiqamiliste për hapjen e kutive. Në ditën e Pavarësisë, ditën më të çmuar të të gjithë kombit shqiptar, ky pinjoll i nomeklaturës komuniste u ngrit në podiumin e sheshit të “Flamurit” dhe i apeloi mazhorancës dhe qeverisë për ultimatumin 10 ditor, për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Në mënyrë krejtësisht të paskrupullt dhe jashtë çdo konteksti moral apo demokratik, Edi Rama, i ndodhur në kafazin e pisët të ideve të çmendura të tij, shfrytëzoi festën mbarë kombëtare, atëherë kur e gjithë vëmendja e opinionit publik është e përqendruar tek ceremonitë dhe mesazhet politike. Mesazhi politik i këtij fatkeqi të opozitës, nuk ishte nderimi për të rënët, për ata që u sakrifikuan për liri dhe pavarësi, por mesazhi i tij ishte hapja e kutive, mesazhi i tij ishte ultimatumi ndaj qeverisë dhe institucioneve kushtetuese. Ndaj edhe, është më shumë se i justifikuar veprimi i disa qytetarëve vlonjate, të cilët sapo mësuan se qyteti i tyre ishte vënë në shërbim të një maskarade anti shqiptare, kërkuan largimin e menjëhershëm të tij. Të paprecedentë e konsideruan veprimin e kryesocialistit edhe përfaqësues të mazhorancës dhe qeverisë. Para së gjithash, Edi Rama, tregoi edhe njëherë se nuk është i interesuar për momentet madhore të vendit, nuk është i interesuar se më 16 nëntor Këshilli i Ministrave i BE-së miratoi në parim kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat, nuk është i interesuar se Parlamenti Evropian ka miratuar disa rezoluta radhazi për liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë dhe integrimin e Shqipërisë në Union, interesi i vetëm i tij dhe ndjekësve, ish zyrtarë të lartë të nomenklaturës komuniste si Ruçi, Gjinushi, Milo, është destabilizimi i vendit dhe bllokimi i proceseve integruese.
...