E drejta e autorit, artistët mbledhin “Albautor”-in
alma mile
Më në fund ata kanë një shpresë se zëri do t’u dëgjohet dhe puna e tyre do të shpërblehet. Kësaj here nuk ka tjetër zgjidhje. Mbrojtja e të drejtave të autorit është një nga kërkesat e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dje, pas gati 18 vjetësh jetë u mblodh më në fund asambleja e “Albautor”-it, Agjencisë që mbron interesat e krijuesve shqiptarë. Të mbetur edhe pa kryetar, pas ndarjes nga jeta të Neshat Tozajt, kishte ardhur momenti që ky organizëm jo vetëm të zgjidhte krerët e rinj, por edhe të bënte një bilanc të punës së kryer gjatë këtyre viteve. Për të parë se çfarë nuk ka funksionuar e mbi të gjitha për të gjetur një zgjidhje. Merrnin pjesë në të disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare, duke filluar që nga Hajg Zaharian që drejtonte takimin, Limoz Dizdari, Alfred Kaçinari, Shpëtim Saraçi, Ardit Gjebrea, Adrian Hila, Edmond Zhulali, Endri Sina, Vasil Tole, Nestor Kraja, Flamur Shehu, Pirro Çako, Jorgo Papingji, Agim Doçi, Kujtim Prodani, etj. Pas diskutimit nëse duhej apo jo të zhvillohej mbledhja, për shkak se jo të gjithë anëtarët merrnin pjesë, u kalua në rendin e ditës. Si fillim u lexua raporti mbi aktivitetin e deritanishëm të agjencisë. Qysh në fillim të tij, raporti nuk ishte shumë premtues. Organizmat ndërkombëtarë e kanë quajtur Shqipërinë si “gropa e zezë në hartën e Evropës”, sa i përket mbrojtjes së të drejtës së autorit. Konfederata Ndërkombëtare e Shoqërive të Autorëve dhe Kompozitorëve (CISAC) dhe Zyra Ndërkombëtare për Regjistrimet Mekanike (BIEM) kanë shprehur shqetësimin se Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara në këtë fushë dhe se ka mbetur në fund të vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore për mbledhjen e fryteve të krijimtarisë. Sipas raportuesve, kjo situatë vjen për shkak të moszbatimit të Ligjit “Për të drejtat e autorit”. Megjithëqë “Albautor” ka ngulur këmbë vazhdimisht në zbatimin e ligjit dhe në penalizmin e të gjithë shkelësve, dhe këtë e ka bërë përmes një sërë letrash e ankimimesh që i ka dërguar kryeministrit të vendit, ministrit të Kulturës e gjithë organizmave përkatëse, rezultatet nuk janë edhe aq pozitive. Nga sa kuptohej marrëdhëniet e kësaj agjencie me Zyrën Shqiptare e së Drejtës së Autorit, e cila nisi funksionimin vetëm përpara 2 vitesh, nuk janë edhe aq të mira. Drejtuesit e “Albautor”-it ankohen se ajo vepron vetëm në Tiranë, ndërsa në rrethe ajo nuk ka asnjë lloj ndikimi. Ligji kufizohet në kohë dhe hapësirë dhe vazhdon të shkelet njëlloj. U renditën një sërë subjektesh private, të cilat janë paditur, pasi kanë shkelur të drejtat e autorit. Në raport numëroheshin me dhjetëra radio, televizione e hotele që konsumojnë prodhime muzikore shqiptare, të cilat edhe pse janë kontaktuar nga “Albautor”, për të lidhur kontratat përkatëse e të paguanin detyrimet sipas ligjit, jo vetëm që nuk kanë pranuar të zbatojnë ligjin, por shumica as ka denjuar që të dëgjojë pretendimet e Agjencisë. Në bazë të raportit, penalizimet për shkelësit janë shumë të ulëta dhe variojnë 80-800 euro, çka nuk e dëmton të penalizuarin, ndërsa “Albautor” ka kërkuar që masa penalizuese me gjobë të shkojë nga 1-4 milionë lekë. Si përfundim, llogaria bankare e “Albautor”-it është bosh, deri më tani dhe vetë shoqata mbahet në këmbë me vështirësi dhe edhe ato pak shpërblime “okazionale” i kanë shkuar familjeve të autorëve që janë ndarë nga jeta. Ndërkohë, mbrojtja e të drejtave të autorit është një nga kërkesat, që Shqipëria duhet të plotësojë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Por nga sa u parashtrua në mbledhjen e djeshme, plotësimi i kësaj pike do të jetë i largët, nëse organizmat përgjegjës nuk do të nisin të rakordojnë punën me njëri-tjetrin. Në këtë raport kishte sigurisht edhe disa arritje, siç ishin aderimet e kësaj agjencie në konventa të rëndësishme si ajo e Bernës, Romës, Gjenevës, si dhe në organizma të rëndësishme, që “legjitimojnë” aktivitetin e kësaj agjencie dhe i bëjnë krijuesit shqiptarë pjesë të strukturave evropiane. Pas leximit të raportit e morën fjalën vetë autorët, të cilët kërkuan sqarime për mënyrën se si ka funksionuar kjo agjenci, si janë menaxhuar të ardhurat dhe si duhet të funksionojë ajo më tej në kushtet e reja në të cilat ndodhet Shqipëria.
Mbledhja e djeshme pas 18 vjetësh ishte një hap përpara dhe një formë sensibilizmi, drejtuar jo vetëm ndaj institucioneve shtetërore, por edhe ndaj vetë autorëve. Fuqizimi i “Albautor”-it do të rriste autoritetin e saj e si rrjedhim do të mund të njihej edhe nga të gjitha ato subjekte që deri më sot e kanë shpërfillur. Llogaria bankare nuk do të ishte më bosh dhe autorët më në fund do të mund të vilnin frytin e punës së tyre. Pas pyetje-përgjigjeve, që sqaruan disi situatën në të cilën ndodhet “Albautor”, u kalua në zgjedhjen e këshillit administrativ. Pas shpalljes së kandidaturave për fushat përkatëse, për muzikën e lehtë, simfonike dhe poezinë (tekstin), në bazë të statutit të Agjencisë, të gjithë të pranishmit votuan në mënyrë të fshehtë për kandidatët që ata menduan se janë të duhurit për të drejtuar këtë organizëm të rëndësishëm në mbarëvajtjen e aktivitetit krijues në fushën e muzikës dhe të regjistrimeve. Votimi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe në fund u lexuan emrat e anëtarëve të rij të këshillit administrativ. Ata janë Shpëtim Saraçi, Pirro Çako, Vasil Tole, Nestor Kraja e Jorgo Papingji. Prej anëtarëve të këshillit do të zgjidhet edhe kryetari i ri, i cili do të marrë në dorë drejtimin e “Albautor”it, çka është më shumë një mision, i vështirë, madje.
Çfarë duhet përmirësuar
• Zyra Shqiptare e së Drejtës së Autorit duhet të hidhet në veprim për zbatimin e ligjit.
• ZSHDA duhet të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës, për të mos e kufizuar, si deri tani, veprimin e ligjit në kohë dhe në hapësirë (ligji ka hyrë në fuqi me 13 qershor 2005).
• ZSHDA duhet të rakordojë punën me organizma si Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve, Ministrinë e Turizmit, kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Integrimit, etj., çka nuk ka funksionuar deri tani.
• Të rritet masa e gjobave ndaj shkelësve në masën 1-4 milionë lekë nga 80-800 euro
• ZSHDA të bashkërendojë punën me agjencitë dhe përdoruesit.
Këshilli i ri
Muzika simfonike
Nestor Kraja
Vasil Tole
Muzika e lehtë
Shpëtim Saraçi
Pirro Çako
Poezia
Jorgo Papingji