“Skuqet” Kupa, 6 kartonë në 8 ndeshjet e kthimit
Leonard Karaj
Kualfikohen “të mëdhatë” teksa eliminohen Flamurtari, Apolonia, Partizani dhe Kastrioti. Por ajo që bie në sy janë kartonët e kuq të dhënë në ndeshjet e kupës.
Nuk ka shumë supriza. Tirana, Vllaznia, Teuta, Gramozi, Shkumbini, Dinamo, Skënderbeu dhe Besa janë kualifikuar për më tej teksa kanë dorëzuar “armët” Flamurtari, Apolonia, Kastrioti në Kategorinë Superiore si dhe Partizani nga Kategoria e Parë. Veç kësaj ndeshjet e djeshme të kupës janë karakterizuar nga një lojë e ashpër ku janë dhënë edhe tre kartonë të kuq. E nxehtë dhe me kartonë të kuq (3 të tillë) ka qenë edhe ndeshja Fierit, ku Apolonia vendase ka fituar 2-1 me Skënderbeun, por nuk është kualifikuar dot për më tej, pasi e kishte humbur ndeshjen në Korcë. Rezultati i përgjithshëm i barabartë, 2-2, por me gol në fushën kundërshtare të Skënderbeut, i ka dhënë të drejtë këtij të fundit të shkojë në çerekfinale. Tre kartonë të kuq janë dhënë në këtë sfidë, dy për miqtë dhe një për vendasit. Në Peqin, ka mjaftuar një gol, që Shkumbini të mundë Kastriotin. Një karton i kuq edhe në këtë ndeshje, për mbrojtësin Hoxha të krutanëve, çka tregon se edhe atje atmosfera ka qenë e nxehtë. Nisur nga barazimi i ndeshjes së parë në Krujë, 1-1, i takon Shkumbinit, që falë rezultatit të përgjithshëm 2-1, në favor të tij, të kualifikohet për më tej. Kartonë të kuq, dhe incidente mes lojtarëve e stafeve teknike, ka rezultuar edhe ndeshja mes Dinamos dhe Bylisit. Madje në incident është përfshirë edhe zv.presidenti i Dinamos, Avni Braçe, i cili ka goditur edhe trajnerin e portierëve të Bylisit. Blutë e kishin humbur ndeshjen e parë në Ballsh 1-0, ndaj kanë vuajtur shumë për ta kthyer kualifikimin në favor të tyre. Megjithatë, fundi i ndeshjes ka folur për Dinamon, që e ka fituar ndeshjen e kthimit, e luajtur në “Skënder Halili”, 3-0. Teuta ka mundur 2-0 Partizanin dhe, nisur edhe nga barazimi 1-1 në ndeshjen e parë, kualifikohet për më tej. Besa ka barazuar 1-1 në shtëpi me Lacin, por falë fitores në ndeshjen e parë, të luajtur para dy javësh në Lezhë, ka kaluar në çerekfinale të Kupës.