E Diel, 1 Nëntor 2026

Pala franceze: Gjykimi i pavarësisë, formë artificiale

 

Tre vendet që deklaruan dje qëndrimet e tyre në Hagë për ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës, Franca, Jordania dhe Norvegjia e kanë mbështetur atë. Pala franceze ka deklaruar se GJND-ja nuk ka fare përse të deklarohet, sepse Kosova tashmë është njohur nga 63 shtete, ndërsa Jordania dhe Norvegjia kanë pohuar se kosovarët gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes. Përfaqësuesja e Francës, Hedvig Belliar tha se çështja që po diskutohet është gjendur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në formë artificiale. Belliar shtoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, sepse ajo nuk e rregullon çështjen e secesionit. “Pavarësia e Kosovës nuk ka cenuar as parimin e integritetit territorial, sepse ai ka të bëjë me raportet ndërshtetërore, por jo me vende të caktuara, për të shtuar se rasti i Kosovës është ‘sui generis’, siç është çdo shpallje e pavarësisë”, tha ajo. Përfaqësuesi tjetër i Francës, Matias Fortju, shtoi se rasti i Kosovës nuk ka asgjë të përbashkët me rastet: Rodezi, Qipro ose Kongo. “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Delegacioni i Serbisë, në tekstin e shkruar, ka pranuar se nuk ka dispozitë specifike në të drejtën ndërkombëtare që ndalon secesionin”, përfundoi Fortju. Pavarësinë e Kosovës e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i Jordanisë, Princi Zeid Al Husein, ambasador i këtij vendi në SHBA. Ai tha se Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë e Serbisë, ndërsa është aneksuar dhe është mbajtur me dhunë, për të shtuar se shqiptarët e Kosovës janë popull dhe u takon e drejta e vetëvendosjes, sepse, pos të tjerash, përbëjnë grup kompakt në planin politik, gjuhësor dhe çdo kuptim tjetër, që jeton me shekuj në territorin e Kosovës. Përfaqësuesi i Jordanisë ka thënë se e drejta ndërkombëtare ka qëndrim neutral ndaj shpalljeve të pavarësisë dhe ka shtuar se nëse një entitet ka popullatën, territorin dhe qeverinë, si në rastin e Kosovës, ai konsiderohet shtet. Edhe përfaqësuesi i Norvegjisë, Rolf Fife, ka mbështetur pa asnjë hezitim pavarësinë e Kosovës. Përfaqësuesi i Norvegjisë ka thënë se me rastin e votimit në Kombet e Bashkuara, që çështja të dërgohet në Hagë para GJND-së, 77 vende kanë votuar pro, ndërsa 115 kanë abstenuar dhe ka konstatuar. “Kjo dëshmon se për shkak të korrektësisë politike, ne kemi dashur që Serbisë t’i jepet rasti që këtë çështje ta shtrojë për shqyrtim”, tha ai. Deri tani pro pavarësisë janë deklaruar dymbëdhjetë vende, ndërsa kundër nëntë.                 (rel)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›