E dua atë që është brenda meje, pamja fizike nuk tregon asgjë
Moskokëçarëse, e sigurt në vetvete, por mbi të gjitha e pakujdesshme për trupin e saj që e diferencon mes yjeve të tjerë të Hollivudit, Gabourey Sidibe, protagoniste e dramës “Precious”, për të cilin ishte kandidate për çmimin “Oskar” si aktorja më e mirë, shijon çdo hap të suksesit të saj pa u shqetësuar për formën fizike. Lindur në Nju Jork para 26 vjetësh, Sidibe nuk kishte pasur kurrë më parë ndonjë rol të rëndësishëm para se të prezantohej nga regjisori Lee Daniels. Gabby luan rolin e një vajze-mama që jeton në një shtëpi të vogël në një prej getove të Nju Jorkut, e dhunuar dhe e poshtëruar nga i ati, i cili e ka lënë shtatzënë dy herë.
Gabourey, në cilën pjesë mendoni se i ngjani personazhit tuaj në filmin “Precious”?
Në asgjë. Unë jam gjatë gjithë kohës e gëzuar, miqësore, optimiste. Kam shumë miq. Por kam njohur mjaft njerëz si personazhi im në film, jo vetëm femra, por edhe meshkuj, zezakë, të bardhë, aziatikë, që jetojnë një jetë si e saja dhe janë mbyllur në vetvete, si ajo; i njihja në shkollë, por nuk kisha mëshirë për to, sepse isha kaq e zënë me jetën time. Pastaj lexova librin e Sapphire, e mbarova për një ditë dhe e dija mirë se kush ishte Precious: e njihja mes familjes e miqve dhe personave me të cilët nuk dëshiroja të isha mike. E kam njohur mirë veten time kur isha 16 vjeçe dhe jam ndier pak në faj se kam injoruar shumë vajza si Precious në jetën time. Kështu, kur erdhi momenti që të luaja rolin e një vajze si ajo, mendova se mos ndoshta mund të ndryshoja mendim për këtë personazh, duke e njohur më mirë se kush është, çfarë dëshiron të bëhet në jetë dhe të kontribuoja që ta transformoja në një person të vërtetë.
Jetojmë në një shoqëri ku mbizotëron kirurgjia plastike dhe bukurinë, siç thotë Oprah Winfrey, duhet të mësojmë ta duam. Si ia keni bërë ju?
është diçka mbi të cilën më është dashur të punoj shumë, sepse kam jetuar për mjaft kohë në këtë trup, që kur isha e vogël dhe e shëndoshë. Kështu, shumë njerëz janë përpjekur për një kohë të gjatë që unë ta urreja veten time ose të ndryshoja, sepse nga pamja e jashtme bija në kundërshtim me pjesën tjetër të botës. Por tani jam në mazhorancë (thotë duke qeshur). Vajzat e dobëta janë në minorancë. Të gjithë përpiqen të dobësohen, por të them të drejtën mua më është dashur të shihem shumë herë në pasqyrë dhe jo vetëm të shihesha, por edhe të mësoja ta doja atë që shihja. Kjo gjë nuk ka pasur aspak lidhje me pamjen time fizike. E dua atë që është brenda meje. Për mua nuk ka rëndësi pamja e jashtme dhe e dua shumë po aq sa të brendshmen dhe askush nuk mund të ma mbushë mendjen që ta urrej veten.
#