E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrethi i Lushnjës, 12 orë pa energji elektrike

Shqetësimi Defektet detyrojnë drejtuesit e OSSH-së të përdorin linjën rezervë. Edhe ajo pëson defekt

Rrethi i Lushnjës ka vuajtur mungesën e energjisë elektrike për më tepër se 12 orë. Energjia është ndërprerë që nga mesnata e së martës dhe është rikthyer vetëm në pak lagje rreth mesditës së mërkurë. Pa energji për orë të tëra kanë qenë Lushnja, Divjaka, Hysgjokaj, Dushku, Ballagati etj. Ndërkohë që në tentativë për të riparuar defektin, rrezja e zonës pa energji është zgjeruar deri në Kavajë e Durrës. Drejtues të OSSH-së në Fier shprehen për gazetën “Shqip” se shkaku ka qenë një defekt që ka përfshirë një nga kullat e shkarkesës. “Në nënstacionin e energjisë nga ku furnizohet pjesa më e madhe e qytetit të Lushnjës ka pasur një defekt në një nga shtyllat e shkarkimit të tensionit të lartë. Për rrjedhojë është shkëputur energjia. Brigadat e defekteve kanë shkuar menjëherë pranë nënstacionit të Lushnjës duke riparuar defektin. Por, kjo nuk ka mjaftuar, pasi defekti është ripërsëritur”, ka treguar një nga specialistët që ka marrë pjesë në këtë aksioni. Pas kësaj, drejtuesit e OSSH-së u detyruan që furnizimin me energji për Rrethin e Lushnjës, vetëm për pak orë ta realizonin përmes linjës së tensionit të Kavajës, që është pjesë e sistemit të tensionit të lartë. Edhe pse është përdorur kjo linjë dytësore, nuk është përballuar furnizimi normal me energji, pasi si shkak i ngarkesës linja ka pësuar defekt, duke zgjeruar kështu zonën me mungesë energjie. Si shkak i këtij defekti tjetër ka mbetur pa energji zona që nga Lushnja deri në Durrës, përfshi këtu edhe Kavajën, Rrogozhinën dhe një pjesë të vogël të Peqinit. Por, edhe rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike brenda qytetit të Fierit ka pësuar defekt gjatë natës së shkuar. Djegia e një transformatori pranë nënstacionit nr.1 ka bërë që më shumë se tri lagje të qytetit, si dhe zona industriale, të mbeten pa energji. Kushtet e rënda atmosferike, si dhe investimet e munguara në rrjetin shpërndarës shihen si faktorët kryesorë të defekteve të përsëritura në zonën energjetike të Fierit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›