E Diel, 1 Nëntor 2026

Juglindja në terr, stuhia rrëzon shtyllat e tensionit të lartë

Ngjarja Defektet e shkaktuara nga moti i keq dëmtojnë linjat e furnizimit me energji elektrike

Stuhia dhe moti i keq në juglindje të vendit kanë shkaktuar defekte të shumta në linjat e furnizimit me energji elektrike, duke lënë në errësirë jo vetëm fshatrat dhe zonat e thella malore, por edhe qytetet. Era e fortë ka rrëzuar një numër të madh shtyllash të tensionit të lartë, duke sjellë për pasojë mungesën e energjisë elektrike, deri në riparimin e defekteve. Situata ka qenë më e rënduar në zonën e Mokrës, ku të paktën 6 komuna dhe fshatrat e kësaj zone kanë mbetur për 24 orë pa energji elektrike, si pasojë e rrëzimit të shtyllave në Slabinjë. Ndërkohë që, sipas të dhënave zyrtare nga OSSH, pa energji elektrike ka mbetur Bilishti, ku nga rrëzimi i shtyllave të tensionit të lartë për 12 orë qyteti ka qenë në errësirë të plotë. Defektet e shumta të shkaktuara nga stuhia kanë sjellë probleme të furnizimit me energji elektrike edhe në qytetin e Pogradecit dhe në Korçë. Sipas të dhënave zyrtare, për shkak të defekteve të shumta dhe të shpeshta në kabina në qytetin e Pogradecit ka pasur ndërprerje të vazhdueshme të energjisë. Që nga ora 11:00 e ditës së mërkurë dhe deri në orët e vona të mbrëmjes qyteti ka pasur ndërprerje të shpeshta dhe për shkak të avarive edhe pas lëshimit të energjisë kjo e fundit ka pësuar shkëputje, duke bërë të pamundur furnizimin. Kjo, pasi linjat nuk kanë përballuar tensionin. E njëjta situatë e rënduar ka qenë edhe në fshatrat e Pogradecit, që kanë mbetur pa drita për orë të tëra. Gjatë orëve të pasdites, defekte ka pasur edhe në qytetin e Korçës për shkak të stuhisë. Të paktën 6 lagje të qytetit kanë pasur shkëputje të energjisë elektrike dhe furnizimi ka qenë i pjesshëm sipas fidrave. Pa energji elektrike dhe në errësirë vazhdon të mbetet një pjesë e fshatrave të Moglicës, ku shtyllat janë të amortizuara.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›