E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berati, nën kërcënimin e lumenjve

Situata Shkarjet e dheut dhe përmbytjet po dëmtojnë rëndë pronën private

Institucioni i prefektit në Qarkun e Beratit ka bërë dje bilancin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimi i lumenjve Osum dhe Devoll, shkarja e tokave, dalja nga shtrati i rezervuarëve dhe reshjet e borës. Prefekti i Beratit, Konstandin Lefta, ka bërë të ditur situatën ku dhe është shprehur se pritet akordimi i fondeve nga ana e qeverisë për të dalë nga kjo gjendje tepër e rëndë që është krijuar në qytet, në komunat dhe shumë fshatra të këtij qarku, kryesisht gjatë muajit shkurt, por dhe në ditët e para të marsit. Lefta është shprehur se “gjatë muajit të fundit, si rezultat i reshjeve të shiut, i luhatjes së vazhdueshme të temperaturave, i rënies së borës dhe shkrirjes së saj, i rritjes së menjëhershme të prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll, i tejmbushjes së rezervuarëve dhe shkarkimi i tyre në Qarkun e Beratit, janë vënë re fenomenet e rrëshqitjes, gërryerjes së tokave bujqësore dhe rrezikimi i pronës, biznesit, shtëpive të banimit, e deri te rrezikimi i jetëve të njerëzve”. Sipas prefektit, vetëm si pasojë e shkarjes së dherave janë dëmtuar pesë shtëpi banimi në qytetin e Beratit, katër të tjera në qytetin e Kuçovës, tre në fshatin Tomor, ndërsa dhjetëra banesa rrezikohen në fshatrat Kapinovë, Lybeshë, Zgërbonjë, Cukalat, Roshnik, Velabishtë etj. Ndër situatat më problematike është ajo e dëmtimit të përsëritur të tubacionit që furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Beratit. Por edhe rreziku i nënstacionit të ujësjellësit Kozare, bllokimi i disa segmenteve në rrugët nacionale Poliçan-çorovodë, Berat-Tërpan, Kuçovë–Elbasan, si dhe qendrat e komunave me fshatrat Vërtop, Kapinovë, Bogovë etj. “Për të gjithë këtë situatë të krijuar, kryetarët e komunave dhe ata të bashkive kanë hartuar projekte dhe tashmë pritet nga qeveria që të lëvrohen fonde”, tha prefekti i Beratit, Konstandin Lefta.
Situatë tepër e vështirë në ditët e fundit është paraqitur dhe në fshatin Nishovë të Komunës Bogovë. Tri shtëpi banimi në këtë fshat janë shembur si rezultat i kthimit të burimeve. Janë 100 banorë në këtë fshat që ndihen të kërcënuar nga shkarja e tokës, ndërkohë që dyshohet se kjo ka ardhur si rezultat i ndryshimit të kthimit të burimeve nëntokësore që kanë vërshuar ujin në tokat bujqësore dhe deri te banesat e fshatarëve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›