Engjëjt mbrojtës të Obamës
“The Southern Poverty Law Center” nisi të funksionojë në vitin 1971. Fillimisht ishte një firmë e vogël ligjore që merrej me çështjet e të drejtave civile. Më pas u mor me çështje shumë më të rëndësishme, duke sulmuar edhe vetë Ku Klus Klan. Si pasojë pati shumë herë probleme me “njerëzit e fortë”. Zyrat e saj u bastisën disa herë rresht dhe avokatët më të rëndësishëm të firmës u shndërruan në objektiva të vrasësve me pagesë. Por me gjithë këtë rrugë shumë të vështirë e plot sfida ajo vazhdoi të ecë përpara për t’u shndërruar aktualisht në njërin prej grupeve më të respektuar monitorues të ekstremizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së fundi ajo ka publikuar një raport të titulluar “Terrori nga e djathta”, në të cilin identifikohen, në rend kronologjik, të gjitha komplotet serioze, konspiracionet, planet dhe shpërthimet raciste të mundshme që kanë ndodhur në Amerikë që nga viti 1995 me bombën në Oklahoma City. Lista është e gjatë dhe mbush plot 10 faqe e përmban 75 sulme terroriste brenda vendit, duke filluar nga planet për të vendosur bomba në godinat qeveritare e deri te tentativat për të vrarë gjykatës, apo politikanë të rëndësishëm.
Secili prej incidenteve ka pasur si synim që të ndryshojë vetë mënyrën e ekzistencës paqësore të Amerikës përmes dhunës. Por në verën e vitit 2008, kronologjia ndryshon dhe në vend të objektivave të ndryshëm identifikohet gjithnjë e më tepër një objektiv: Barak Obama. Për herë të parë emri i tij hyri në 24 gusht të vitit 2008, një ditë para hapjes së konventës së demokratëve në Denver të Kolorados, kur Obama u shpall zyrtarisht kandidati demokrat presidencial që do të sfidonte kandidatin republikan. Atë ditë u vunë në pranga disa persona të bardhë që u gjetën të armatosur rëndë në afërsi të ndërtesës ku do të mbahej konventa. Më pas u zbulua se plani ishte që me rastin e zgjedhjes së Obamës, pra një zezaku si kandidat presidencial, të vriteshin 100 zezakë të tjerë, përfshi edhe vetë Obamën. 21 janari i vitit 2009 ishte një tjetër ditë piku e një rëndësie të jashtëzakonshme që vuri në alarm Shërbimet Sekrete Amerikane. Ishte dita që pasoi ardhjen e Obamës në Shtëpinë e Bardhë. Atë ditë u arrestua një njeri i bardhë në Masaçusets, i cili u akuzua për vrasjen e dy zezakëve emigrantë dhe plagosjen e një të treti. Kur e arrestuan ai tha se lufta e tij po bëhej për të mbrojtur racën e bardhë nga sulmi i zezakëve. 10 qershori 2009 ishte një datë tjetër. James Von Brunn, 88 vjeç, u fut në Muzeun e Holokaustit në Uashington dhe qëlloi për vdekje një roje. Von Brunn, i cili vdiq në burg muajin e kaluar, la një shënim në të cilin shkruhej: “Obamën e kanë krijuar hebrenjtë”. Gjatë 13 muajve të tij në pushtet, Presidenti amerikan ka qenë subjekti që i ka dhuruar emocione të jashtëzakonshme dhe të mëdha elektoratit amerikan. Fillimisht ishte i adhuruar nga shumica, edhe pse së fundi ka pasur disa luhatje në mbështetjen e opinionit publik. Por në fakt jeta e Obamës dhe familjes së tij ka ndryshuar kryekëput që kur mundësitë e tij për t’u bërë President i Shteteve të Bashkuara u shtuan në maksimum. Në fakt, që 18 muaj para ditës së zgjedhjeve, atij iu caktua një grup i posaçëm për ta ruajtur dhe kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë për një politikan tjetër që kandidonte për Presidencën amerikane. Arsyet e vërteta të këtij vendimi shumë të rëndësishëm dhe unik nuk janë bërë kurë të ditura dhe nuk ka gjasa që një gjë e tillë të ndodhë. Megjithatë thuhet se një rol të rëndësishëm në këtë vendim ka pasur Mishel Obama. Sipas një punonjësi të lartë të shërbimit sekret, para se Obama të vendoste të kandidonte për në Shtëpinë e Bardhë, iu desh që t’i mbushte mendjen së shoqes, e cila ishte shumë e shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes në përgjithësi. Kështu që ndoshta vendosja e një skuadre truprojash shumë më herët nga kandidatët e tjerë mund të ketë të bëjë me vendimin e Obamës për të qetësuar gruan dhe familjen për detyrën e rëndësishme që ai po merrte. Dhe Mishel nuk ishte gruaja e parë që shqetësohej për sigurinë e bashkëshortit. Edhe bashkëshortja e ish-sekretarit amerikan të Shtetit Colin Powell, Alma, kishte shumë frikë për ndonjë atentat të mundshëm kur i shoqi i foli për mundësinë e kandidimit presidencial. Madje Powell thuhet se refuzoi kandidimin pikërisht për shkak të shqetësimit të së shoqes. Gjatë fushatës zgjedhore, Mishel foli hapur me publikun dhe median në lidhje me shqetësimin e saj për sigurinë e familjes. Ajo rrëfeu se si përfshihej shpesh nga ankthi kur i shoqi ishte në udhëtim në shtete të tjera, por foli edhe për vendosmërinë e saj për ta kaluar një situatë të tillë, që shpesh shndërrohej në një situatë paniku të vërtetë. Gjatë një interviste në një televizion amerikan ajo tha: “Jam lodhur së qeni e frikësuar”. Më pas ajo nisi të bënte edhe shaka në lidhje me sigurinë e jetës së të shoqit, duke deklaruar në një miting elektoral, se kishte vënë një shumë të madhe për sigurinë e Obamës. Por në fakt siguria e Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është aspak një çështje që mund të konsiderohet me humor, apo me të qeshur. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e sulmeve potenciale terroriste në Amerikë kanë një objektiv të vetëm: Obamën. Dhe një tendencë e tillë nisi sapo filloi të bëhej e qartë se ai do të ishte fituesi i zgjedhjeve presidenciale. Dhe para së gjithash shpeshtësia e kërcënimeve të tilla ndaj Presidentit bie mbi supet e shërbimit informativ. Sfidat me të cilat shërbimi sekret po përballet aktualisht janë ndër më të vështirat, me të cilat ai është përballur ndonjëherë për sa i përket sigurimit të jetës së kreut të Shtëpisë së Bardhë. Dhe në krye të arsyeve që renditen si kryesoret për organizimin e atentateve të mundshme është fakti që Obama është një zezak, pra çështja racore. Duke qenë se është Presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara, për të janë krijuar dhe po operojnë një numër i madh operacionesh sigurie. Për njerëzit që ruajnë Obamën, veçanërisht ata që kanë pasur edhe përvoja të mëparshme në një detyrë të tillë, vështirësitë në këtë rast janë shumëfishuar. Ata e dinë fare mirë se çfarë do të thotë të jesh gjithë kohës i vëmendshëm dhe në alarm për të kapur çdo sinjal të dyshimtë, për ta raportuar dhe për të marrë masat e menjëhershme mbrojtëse. Ata e dinë mirë se sa fatal mund të jetë qoftë edhe një çast i vetëm i humbjes së vëmendjes, veçanërisht kur subjekti që është në mbrojtje ndodhet në mesin e një turme të madhe njerëzish dhe ku rreziku mund të të vijë aty nga nuk e pret. Një fraksion sekonde, në një situatë të tillë, mund të jetë fatal. Për sa u përket specialistëve, Obama është një President që ka marrë përsipër të shpëtojë dhe ndryshojë Amerikën në një nga periudhat më të vështira të saj, kur vendi është i zhytur në një krizë ekonomike dhe besimi, ndaj edhe arsyet për ta asgjësuar janë më të shumta krahasuar me presidentët e tjerë. Obama është një President me një personalitet shumë të veçantë, që dëshiron të takojë njerëz, të ndodhet mes tyre. Nëse kjo bëhet bashkë me atmosferën politike të këtyre kohëve, përfshi edhe çështjen racore, atëherë sfida e shërbimeve sekrete është shumë e madhe dhe nuk ka vend për gabime të asnjë lloji. Personaliteti i një Presidenti është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e tij. Në rastin e Kenedit vrasja e tij, sipas ekspertëve, nuk do të kishte ndodhur nëse ai vetë nuk do të kishte dhënë urdhër që makina në të cilën udhëtonte të mos kishte mburojën e qelqtë me xham antiplumb. Kështu, sipas specialistëve të shërbimeve sekrete, një President mbrohet mirë vetëm në rast se ai e kërkon dhe e lejon një gjë të tillë. Agjentët mund të këshillojnë shefin e Forcave të Armatosura, se cilat janë rrugët më të mira që ai duhet të ndjekë për të qenë i mbrojtur dhe i sigurt me gjithë familjen, por ata nuk mund t’i japin atij urdhra. Për shembull, shërbimet sekrete do të donin që menjëherë pas betimit presidencial ta shkëpusnin Obamën nga çdo lloj kontakti me njerëzit jashtë për 4 vitet që do të ishte në pushtet, por ata e dinë që një gjë e tillë është e pamundur.
Gjatë fushatës elektorale, Obama parapëlqente shumë që të bëhej njësh me turmën e njerëzve, duke u futur mes saj dhe duke takuar të gjithë njerëzit personalisht. Kjo e bënte shumë të vështirë detyrën e shërbimeve sekrete. Por që nga momenti që u bë zyrtarisht President i vendit, ai i ka dëgjuar me vëmendje të gjitha këshillat e mbrojtësve të tij dhe i ka ndjekur në pjesën më të madhe të rasteve. Kjo është edhe një nga arsyet që ai i ka rralluar shumë daljet në publik. Në njëfarë mënyre kjo është normale, sepse tani ai është President dhe nuk po bën më fushatë, por për një President si Obama që premtoi se do të shkatërronte barrierat e ngritura mes pushtetarëve dhe njerëzve të thjeshtë, takimet me popullin janë shumë të rëndësishme. Megjithatë, takimet e tij me popullin janë mjaft të rralla së fundi dhe kur ndodhin bëhet fjalë vetëm për takime në salla të mbyllura, ku secili nga individët që lejohet të hyjë i nënshtrohet një kontrolli të rreptë nga ana e shërbimeve sekrete. Me kalimin e viteve, shërbimet sekrete kanë përsosur edhe mjetet dhe pajisjet me të cilat kryejnë mbrojtjen. Dikur presidentët, kur dilnin para njerëzve në një mjedis të hapur detyroheshin që të vishnin jelek antiplumb. Ish-presidenti Reagan nuk e parapëlqente një masë të tillë, por në fund e konsideronte si të arsyeshme veshjen e jelekut. Ndërsa në dhjetëvjeçarin e fundit janë shpikur shumë mjete të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë e individit. Duke filluar që nga teknologjitë që kanë një njohje shumë të mirë të fytyrave të personave të ndryshëm dhe ofrimin e të dhënave të hollësishme për ta brenda një kohe të shkurtër, e deri te përsosja e teknologjive të mjeteve lëvizëse antiplumb. Obama vetë udhëton në një “Kadillak” i mirëkoracuar dhe i ndërtuar nga një metal antiplumb dhe antibombë. Natën e zgjedhjeve, në nëntor të vitit 2008, ai foli para një turme jashtëzakonisht të madhe njerëzish, por para tij rojet vunë një xham shumë të trashë antiplumb. Të gjitha pajisjet do të ishin të pavlera në duart e njerëzve të papërgatitur. Në fund të fundit faktori njerëzor është ai që bën diferencën edhe në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së personave. Një rast flagrant ishte futja në Shtëpinë e Bardhë të dy personave të panjohur e të paftuar. Ata përfituan nga një festë që po organizonte Presidenti për të treguar se është e mundur që të gjenden të “çara” edhe në shërbimin sekret që ruan jetën e njeriut më të fuqishëm të planetit. Për fat ata nuk kishin qëllim të keq, por po sikur të kishte qenë e kundërta? Në fund të fundit të gjithë ata që pranojnë detyrën shumë të vështirë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara e dinë mirë që po marrin përsipër një detyrë që mund t’u kushtojë edhe jetën. Për këtë mjafton të përmendim emrat e presidentëve të vrarë, duke filluar që nga Abraham Linkolni, James Garfield, William McKinkely dhe John Kennedy. Për sa u përket grupeve të mundshme që mund të ndërmarrin një hap të tillë ata mendohet se kryesisht ndodhen në Shtetet e Bashkuara, pasi grupet e huaja terroriste e kanë shumë të vështirë që të realizojnë një atentat ndaj Presidentit amerikan. Sipas raporteve të fundit, bëhet fjalë për dhjetëra grupe të klasifikuara si paraushtarake, të cilat megjithatë mund të eliminohen lehtësisht nëse Presidenti do të bashkëpunonte me “engjëjt e tij mbrojtës”.
#