E Diel, 1 Nëntor 2026

Stalin

Sekretare të detyruara të kënaqnin dëshirat e funksionarëve apo zyrat publike të përdorura për të pritur prostitutat. Në dokumentet sekrete tregohen çmenduritë e burokratëve të regjimit, që e detyruan kreun e Partisë Komuniste të ndërhyjë “S’ka seks, jemi komunistë” Kryqëzata moraliste e diktatorit

Moskë 1929. Kryeqyteti i Bashkimit Sovjetik gumëzhinte nga ethet revolucionare. Stalini gjithmonë e më i prerë në krye të pushtetit sapo kishte miratuar planin e parë pesëvjeçar për modernizimin e vendit. Dokumentari “Njeriu me kamera kinematografike” i Dziga Vertov tregonte të gjithë qytetarët të angazhuar në ndërtimin e socializmit. Por me se merreshin funksionarët e Sindikatës së Ndërtimit në selinë e tyre të thjeshtë afër Kremlinit. Na e tregojnë vetë ata në dokumentet e dala nga aktet gjyqësore të harruara: “Dolëm në orën dy të mëngjesit nga restorant ‘Praga’. Morëm ca kurva, makinë me qira dhe shkuam në zyrë”. Për të qenë më të qetë, duke parë dimensionet e apartamenteve që u jepeshin funksionarëve të lartë. Por mbi të gjitha kjo bëhej për të kryer misionin që i lejonin vetes brenda statusit që kishin: “Shoqëria jonë bazohet në dehjen totale dhe mbi dashurinë e lirë. Të gjithë anëtarët e grupit tonë kanë asistencë reciproke në shkëmbimin e grave”. Kështu, në vitin 1935 regjimi vendosi të frenojë “valën e shthurjes që minonte bazat e sistemit”. Në dokumentet sekrete të zbuluara javën e shkuar në Gjykatën e Moskës, gjendet një hetim i gjyqtarit Vycinskyij mbi një organizatë të quajtur “Bljadokhod”, që ndryshe përkthehet “Kurvëri”. Grupi ishte formuar nga tetë burra me funksion në parti në qytezën e largët Uvat në Siberi dhe drejtohej nga agronomi Komarov. Ajo që e ka shokuar gjyqtarin e atëhershëm është asimilimi perfekt i gjuhës dhe programit sovjetik nga ana e organizatës. Objektivi i Bljadokhod ishte “detyrimi për marrëdhënie seksuale i një numri sa më të madh grash”. Gjithçka ishte e mirorganizuar. Ishte vendosur se sa gra duhej të “përdorte” secili anëtar i grupit dhe sa prej tyre duhej të kontaminoheshin me sëmundje veneriane. Agronomi Komarov mbushte edhe preventivët e shpenzimeve. Kur të gjithë u arrestuan dhe u dënuan me dhjetë vjet burg, Komarovit iu caktua një dënim shtesë prej 24 muajsh për një krim akoma më të turpshëm për një agronom sovjetik: “Nuk asistoi në kolkoz, në rritjen e të mbjellave. Për pasojë në shumë kolkoze rezultati përfundimtar i prodhimit ishte më i ulët nga ai i parashikuari”. Morali dhe plani pesëvjeçar në fakt shkonin përkrah me logjikën e Kremlinit, që 75 vjet më parë nisi fushatën ndëshkuese duke pretenduar se furitë seksuale të burrave me post në parti bllokonin në një farë mënyre makinën e pushtetit. Kjo masë i takon 7 qershorit të vitit 1935. Hetimet mbi një komplot të rremë për të vrarë Stalinin tregonin se Kremlini ishte plot me njerëz që kishin qëndrime armiqësore ndaj qeverisë sovjetike. Thuhej se i gjithë faji ishte i Avel Enukidze, sekretar i Komitetit Qendror. Një komunist i thekur dhe i pakorruptuar e kishte rekrutuar personelin sipas kritereve të tij personale. “Duke qenë se arrinte të kishte, thonë dokumentet, të mira luksoze të paarritshme nga pjesa tjetër e popullsisë, ‘blinte’ gra të çdo lloj moshe, që më pas u jepeshin miqve të tij”. E vërtetë apo e rremë është e vështirë për t’u pranuar. Por ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin e Komitetit Qendror më 7 qershor, ku vendosi të përjashtojë nga Partia Enukidzen “për sjelljet e tij dhe mënyrën e jetesës”. Gjyqtarët e kuptuan se çështja morale ishte bërë prioritare dhe rihapën dosje të tëra të lëna në harresë në arkiva. Vetëm kështu pas 15 ditësh gjykatësi Vycinskij kishte firmosur kundër Serghej Meshki, drejtor i “Intourist” dhe burrave të tjerë të shtetit. Sipas gjyqtarëve të Stalinit, Meshki ishte një rekordmen, kishte detyruar më shumë se 300 të punësuara që ta kënaqnin. Disa prej tyre u dyfishonte racionet ushqimore ose u rriste rrogën. Ato që nuk pranonin i merrte me zor dhe i dhunonte, duke e ditur se nuk rrezikonte denoncimin. Seksi dhe pushteti shkonin aq mirë bashkë sa dikush shpiku një pushtet që nuk e kishte. Kështu bëri Boris Gonkun, që duke falsifikuar një teserë partie në vitin 1907 arriti që për vite me radhë ta shihte veten si një ish-sekretar i Leninit. Me këtë etiketë magjike shpesh ofronte të kujdesej për jetime të vogla të “peshkuara” herë pas here nga institutet për fëmijët apo jetimoret. Rezultati ishte një listë e frikshme me episode pedofilie ndaj vajzave me moshë nga 10 deri në 14 vjeçe. Por ankthi moralist i Stalinit zgjati shumë pak. Proceset nuk ishin publike, por zërat se epshet erotike më në fund do të ndëshkoheshin u përhapën me shpejtësi. Kallëzimet nëpër gjykata u përhapën në masë. Por kur vinin emra të paprekshëm asgjë nuk bëhej. Deri kur një urdhër i pashkruar nga Kremlini i bëri të kuptonte se kishte ardhur koha të merreshin me të tjera gjëra. Për shkrimtarin Viktor Erofeev “Bashkimi Sovjetik nuk nisi vetëm me propagandën e komunizmit, por edhe me dashurinë e lirë”. Teoria e Aleksandra Kollondaj, sipas së cilës të bëje seks ishte njëlloj sikur të pije një gotë ujë, u bë një banderolë e rinisë në vitet ‘20, kur martesat dhe divorcet u bënë një formalitet bosh. Mes studentëve në universitet Frojdi nuk ishte më pak popullor se Marks. Gjithë letërsia sovjetike ishte dëshmitare e faktit se vendi ishte i mbushur me një atmosferë që të çonte te seksi dhe sëmundjet seksuale. Stalini e ndaloi prostitucionin dhe propozoi të krijonte një lloj barazie mes meshkujve sovjetikë. Por natyra njerëzore u tregua më e fortë se Stalini. Stalini e dinte se seksi do e ndalonte të ndërtonte komunizmin dhe në praninë e tij ndaloheshin edhe poezitë e thjeshta që flisnin për dashurinë, por burrat e terrorizuar që nuk njihnin kënaqësi të tjera, e shndërruan seksin në një mjet vetafrimi sekret dhe proteste të pandërgjegjshme kundër kushteve të ekzistencës sovjetike. Sapo funksionari sovjetik apo aktivisti i partisë merrte paprekshmërinë që ia dhuronte pushteti, përpjekja e tij e parë bëhej seksi dhe jeta e tij shndërrohej në një bordello ku bënin pjesë sekretaret, anëtaret e reja të Partisë Komuniste, gratë e shokëve dhe minorene.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›