E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-i e vlerëson të mirë situatën në veri

Udhëheqësi i Misionit te EULEX-it, Yves de Kermabon, ka thënë se EULEX-i po punon shumë, për vendosjen e sundimit të ligjit në veri, po ashtu edhe për vënien në funksion të
Gjykatës së Qarkut atje.

“Ju e dini se që nga dhjetori ky mision është në Kosovë. E dimë që situata nuk është njësoj si në Veri dhe në Jug. Ne po veprojmë në mënyrë që të krijojmë kushte më të mira të jetesës”, pohoi ai, duke shtuar se që nga vendosja e tyre në veri, kontrabanda është zvogëluar më shumë se 60 për qind.

“Me zyrtarët e policisë, kemi bërë disa operacione policore dhe doganore në Veri të Mitrovicës për të kontrolluar kontrabandën”, tha ai.

Kermabon po ashtu deklaroi se përkundër kësaj situata atje nuk është e kënaqshme dhe se janë në fazën e hapjes së Gjykatës. “Kemi shumë raste të gjykatave, më e rëndësishmja është ajo për të drejtat njerëzore, njerëzit janë duke pritur për drejtësi. Para një viti një ekip teknik multietnik, është në gjykatë në mënyrë që të përgatisë funksionin e gjykatës”, tha ndër të tjera Kermabon.

Ai më tutje shtoi se së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe me Këshillin gjyqësor, po punojnë që të kthehen sa më shpejtë që është e mundur gjykatësit serb dhe shqiptar në mënyrë që të kemi një panel të përbashkët.

“Është e vështirë. Jemi duke punuar shumë për këtë, por unë jam optimist se mund ta arrijmë këtë cak së shpejti. Keni të drejtë se situata atje nuk është e kënaqshme dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë në këtë situatë të vështirë”, tha Kermabon.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›