E Shtunë, 31 Tetor 2026

E fejuara e "të fortit", plumba djemve që e ngacmuan

 

Ngacmimi i një vajze i kushtoi shtrenjtë një grupi djemsh, njëri prej të cilëve u plagos prej saj me pistoletë dhe ndodhet në rrezik për jetën në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ngjarja ndodhi më 25 dhjetor, rreth orës 14:30 në vendin e quajtur, kryqëzimi i lagjes Radanec. Enejola Zaqe, e cila po udhëtonte e vetme me mjetin e saj BMW X5 me targa italiane, është ndeshur me grupin e të rinjve pikërisht te ky kryqëzim. Djemtë kishin ndaluar mjetin e tyre tip "Benz" dhe po qëndronin në rrugë. Kur 24-vjeçarja është afruar dhe do t'i parakalonte, ata i kanë hedhur shumë fjalë, disa prej të cilëve edhe fyese. Vajza e cila ishte në lagjen e saj dhe njihej nga personat që gjendeshin rreth vendit ku ndodhi ngjarja, me sa duket nuk i ka duruar fjalët e djemve të rinj. Pasi udhëtoi vetëm disa metra, ajo u kthye mbrapsht me mjetin e saj dhe iu afrua atyre që e ngacmuan. "Përse më fyeni", mësohet t'u jetë drejtuar 24-vjeçarja grupit të djemve me ton tepër të ashpër. Por këta të fundit, vijuan fyerjet akoma edhe më të rënda ndaj saj. Sipas dëshmitarëve, 21-vjeçari Ledion Belortaja, ishte më aktivi ndër shokët e tij me ofendimet karshi vajzës. Kaq ka mjaftuar që ajo të nxjerrë nga mjeti një pistoletë dhe ta qëllojë atë në pjesën e poshtme të trupit, duke e plagosur rëndë. Ndërsa Belortaja është rrëzuar gati pa ndjenja dhe mes një pellgu gjaku, shokët e tij, nga frika se mos i qëllonte edhe ata, janë larguar sa sytë këmbët. Dëshmitarët që janë gjendur afër vendit të ngjarjes e çuan të riun në spitalin e Korçës. Për shkak të hemorragjisë së madhe dhe gjendjes së rëndë shëndetësore i plagosuri, edhe pse u operua në këtë spital, u dërgua në Tiranë pasi jeta e tij ishte në rrezik. Policia e sinjalizuar për ngjarjen nisi hetimet. Por vajza është larguar dhe nuk gjendet as në lagjen 17 të qytetit dhe as në fshatin e lindjes, Vreshtas. Ajo është shpallur në kërkim për veprat penale të "vrasjes me dashje e mbetur ne tentative" dhe "mbajtje pa leje e municioneve dhe armëve luftarake". Mësohet se 24-vjeçarja është e fejuar me një nga të "fortët" e qytetit. Dyshohet se ky i fundit ta ketë pajisur atë me armën e zjarrit dhe me mjetin luksoz. Policia bëri të ditur, se kanë nisur kërkimet për arrestimin e saj me akuzat e mësipërme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›