E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në prokurori, ose një hap i çalë

Miratimi me shpejtësi nga Komisioni i Ligjeve i ndryshimeve dhe shtesave në ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë ...", konsideruar si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë, mund t‘i kujtojë ndokujt rrëfenjën e Faik Konicës për murgun e Mesjetës që, në ditën e kreshmës, donte të hante mish gjeli. Meqenëse këtë ia ndalonte besimi, ai gjeti një zgjidhje origjinale; e lidhi gjelin te pema dhe iu drejtua shpendit të ngratë me fjalët: "Të pagëzoj si peshk, në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë!". Mandej, i qetë në ndërgjegjen e tij dhe në paqe me besimin u shtrua në tavolinë. Duke lënë mënjanë anën groteske të ritualit të së premtes paradite të murgut të Konicës, është koha që të shihet me vëmendje e shqetësim ana tragjike e këtij procesi, që ka marrë me gjithë të drejtën vëmendjen e posaçme të publikut. I cili ka të drejtë edhe të besojë se ndryshimet e ofruara si reformë nuk reformojnë thelbin, por shërbejnë si make-up për problemet reale të institucionit. Për javë të tëra diskutimet u përqendruan në dy dispozita kryesore. Nuk ka asnjë dyshim që raportimi i ministrit në Kuvend për rezultatet e inspektimeve në prokurori, e dobëson Prokurorin e Përgjithshëm. Raportimi i nesërm, me të gjitha gjasat, i hap rrugën procedurës së shkarkimit të mundshëm të numrit një të organit të akuzës. Ndërsa abrogimi i atyre pak garancive të prokurorëve për mbrojtje nga kontrollimet dhe sekuestrimet, pa dyshim që i bën ata më të prekshëm nga trysnia e segmenteve të devijuara të ekzekutivit dhe gjithashtu, edhe më pak të qetë në përmbushjen e detyrës. Këto ndryshime, së bashku me shtesat e tjera të propozuara, nuk prekin dhe as zgjidhin thelbin e problemeve të sistemit. Pas miratimit të tyre nga Kuvendi, institucioni i gjendur përbri rrugës së Barrikadave, nuk do të ketë barrikadën e nevojshme ligjore përballë politikës dhe ndryshimit të humorit të saj. Në godinën me arkitekturë sovjetike, do të vazhdojë të vërtitet po ai mekanizëm i ndryshkur i prokuraturës së vjetër, të cilit ndryshimet e propozuara do t‘i bëjnë thjesht grasatimin e radhës.

Sot, prokuroria kritikohet për mungesë efektiviteti në ushtrimin e ndjekjes penale, por jo më pak serioze janë problemet që lidhen me objektivitetin e saj, në përmbushje të detyrimit ligjor për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe për sigurimin e parimit të barazisë së shtetasve para ligjit penal. Këto probleme është vështirë që të marrin udhë në një sistem thellësisht monokratik, në të cilin zgjidhja e procedimeve dhe politika e personelit vazhdon të administrohet sipas një modeli tepër hierarkik. Modeli kushtetues i prokurorisë, fatmirësisht, siguron të quajturën pavarësi të jashtme, pavarësinë në raport nga pushtetet e tjera të shtetit. Por, ai nuk siguron pavarësinë nga politika, përderisa procesi i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm nuk mund t‘i shmanget dot ndikimit politik. Ndaj, një reformë e sistemit, në kuptimin e vërtetë të fjalës, duhet të zgjidhë dy probleme themelore, të cilat janë anë të së njëjtës medalje: së pari, të sigurojë pavarësinë e brendshme, pra pavarësinë e prokurorëve nga drejtuesit e tyre hierarkikë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm në vendimmarrjen përfundimtare dhe,

së dyti, t‘i bëjë prokurorët më të përgjegjshëm në ushtrimin e funksioneve të tyre përmes një sistemi kapilar kontrolli.

Kësisoj, forcimi i pavarësisë së prokurorëve krijon mundësinë për të shmangur çdolloj ndikimi (edhe politik) në zgjidhjen e procedimeve, kurse përsosja e sistemit të kontrollit nuk lejon keqpërdorimin e pushtetit, në dëm të drejtësisë dhe të interesave të shtetasve.

Prokuroria ka nevojë për frymëmarrje demokratike, e duke thënë këtë, vlen të theksohet se, sidomos në shoqëritë pasdiktatoriale, ku kundërshtitë midis forcave politike janë të theksuara dhe ku ende nuk funksionon një sistem i përbashkët vlerash themelore, nuk rekomandohet përqendrimi i pushtetit të ndjekjes penale në një dorë të vetme. Kjo është një ide që përsëritet e ripërsëritet nga zërat më autoritarë të studimeve të kësaj fushe. Janë të gatshme modelet evropiane që mund të funksionojnë shumë mirë në mjedisin tonë institucional, sikurse besoj se është modeli portugez. Shkurt, prokuroria duhet të drejtohet realisht nga një organ kolegjial, i përbërë në shumicë prej prokurorësh të zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme e tyre, por me fuqi të plota vendimmarrëse në lidhje me administrimin e personelit, inspektimin e veprimtarisë së prokurorëve dhe procedimin disiplinor. Lipset, pra, institucionalizimi i një Këshilli të Lartë të Prokurorisë, i ngjashëm me modelin e administrimit të gjykatave. Në varësi të këtij Këshilli duhet të ndërtohet një shërbim cilësor dhe rezultativ inspektimi, i cili do të kishte detyrën parësore të kontrollit periodik të prokurorëve dhe të vlerësimit të meritave të tyre, duke i bërë ata më të përgjegjshëm para ligjit dhe qytetarëve.

Këto ndryshime duhet të shoqërohen me ndërhyrje në procedurën penale. Jemi vendi i vetëm i botës së qytetëruar ku prokurori vendos të dërgojë në gjyq të akuzuarin e tij. Përkundër kësaj, si e drejta e kontinentit ashtu edhe ajo e traditës anglosaksone, nuk i lejojnë prokurorit një pushtet të tillë. Ai duhet t‘i drejtohet gjykatës, e cila është autoriteti i vetëm që vendos nëse një person duhet të gjykohet apo jo. Vlen parimi që në një proces palësh, asnjëra prej tyre nuk mund të formulojë kërkesa në dëm të palës tjetër jashtë kontrollit juridiksional të gjykatës. Ka dhe ndërhyrje të tjera, të cilat mund të plotësohen nga kontributi i aktorëve të tjerë të sistemit.

Një reformë serioze në këtë drejtim, i ka të gjitha gjasat që të rrëzojë strukturat e prokuraturës së vjetër, por sidomos mendësinë e lidhur me të. Atë mendësi që rëndom i bën disa prokurorë arrogantë, të pandjeshëm ndaj interesave të drejtësisë dhe fatit të njerëzve të pambrojtur, që iu bjerr përpjekjet për thellimin e kulturës profesionale dhe që vazhdon të na mbajë, prej më se 60 vjetësh, tmerrësisht larg nivelit të kolegëve evropianë.

Këtë reformë duhet të bëjë politika, është e drejta dhe detyrimi i saj për të vënë në lëvizje mjetet dhe mekanizmat e nevojshëm që sigurojnë funksionimin sa më të mirë të drejtësisë penale. Ndërkaq, të besosh se ndryshimet e propozuara mund të quhen reformë, mendoj se është njëlloj sikur t‘i thuash natës ditë. Një fakt besoj se është i qartë për gjithë trupën e prokurorëve: me miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve dhe shtesave që sapo kaloi Komisioni i Ligjeve, sistemi do të bëhet edhe më i dobët e vulnerabël, i gatshëm të ndajë të njëjtin fat ...me gjelin e murgut të mesjetës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›