E Shtunë, 31 Tetor 2026

E garantuar edhe ndërkombëtarisht

Menjëherë pas zhvillimit të demonstratës popullore të 18 shkurtit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, disa media shumë pranë Qeverisë shqiptare shtruan, të përfshira me sa merret vesh nga një atmosferë paniku, përveç ca dezinformime qesharake, edhe pyetjen: A janë të ligjshme këto protesta dhe kërkesat për largimin e kryeministrit përpara përfundimit të mandatit të tij? Këtu nuk është vendi për të komentuar motivet e delegjitimimit të mandatit të këtij të fundit dhe të kabinetit të vet, që krijuan dhe nxitën prej më se një viti e gjysmë një krizë komplekse të portretizuar tashmë thellë. Por, në rezonancë me këto motive dhe nën efektin e reflektimit ndaj tyre, madje edhe të krimeve publike që ‘vulosën’ më 21 janar vendosmërinë represive qeveritare, ndoshta është koha për të shpjeguar, qoftë edhe shkurtimisht, se e drejta për tubime paqësore kurrë nuk mund të zhbëhet; ajo është e respektueshme ekstra – juridikisht dhe e garantuar ligjërisht jo vetëm në planin tonë të brendshëm, por edhe në rrafsh global.
Pa u zhytur thellë në histori, ndoshta është e nevojshme të kujtojmë që “karriera” e vërtetë e zbatimeve të konceptit mbi të drejtat e njeriut filloi pas Luftës II Botërore, si një kategori e zakonshme në mosmarrëveshje të ndryshme, si në fushën e së drejtës, po ashtu edhe në politikë, moral dhe fe. Nocioni modern i këtyre të drejtave mbetet i rrënjosur në përvojat e hidhura të “paligjshmërisë juridike”, kur krimet kryheshin me autorizimin e ligjit dhe kur qenieve njerëzore u mohohej statusi si të tilla. Dhe, si përgjigje ndaj këtyre përvojave nisi të shfaqej, formulohej dhe të aplikohej E Drejta Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut. Në këtë kuadër, pjesët e para, identike të preambulave të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut (1948) dhe të dy Pakteve Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (1966) theksojnë, se: “njohja e dinjitetit që u përket të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore dhe njohja e të drejtave të tyre të barabarta e të patjetërsueshme përbën themelin e lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”.
Mbi këtë bazë të gjerë arsyetimi, përmendet edhe fakti që vetëm disa muaj pas themelimit të Këshillit të Europës, Ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të tij u takuan më 4 nëntor 1950 që të nënshkruajnë Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, me qëllimin që “të vendosin themelet për një Evropë të re, të cilën shpresuan që ta ndërtojnë mbi gërmadhat e kontinentit të rrënuar nga lufta vëllavrasëse e një ligësie të pakrahasueshme” (Rolv Ryssdal, ish-kryetar i Gjykatës së Strasburgut, duke folur në Romë me rastin e 40- vjetorit të Konventës Europiane, më 5 nëntor 1990). Kjo Konventë, si e para dhe mjaft e suksesshme nga 3 dokumentet rajonale më të rëndësishme të kësaj fushe në shkallë botërore, në Preambulën e saj shënon, se Ajo është përpiluar që “të ndërmarrë hapat e para për zbatimin kolektiv të disa të drejtave të shtruara në Deklaratën Universale”.
Në përgjithësi, të 25 të drejtat dhe liritë që përmban teksti fillestar dhe Protokollet shtesë të kësaj Konvente janë natyrisht të definuara në detaje. Në shumë nene, paragrafi i parë përmban afirmim të një të drejte dhe paragrafët e mëpastajmë vendosin kufizimet e aplikimit të saj. Sidoqoftë, nëse ka mbështetje për sadisfaksion, atëherë duhet të përmendet një rezultat që vlerësohet si plotësisht i pamohueshëm: Sistemi Europian ka qenë i aftë të funksionojë në mënyrë efektive, sepse qeveritë përkatëse kanë pasur vullnet të bashkëpunojnë me organet shtetërore lokale për të siguruar realisht ushtrim efektiv të të drejtave të njeriut brenda territorit të tyre. Ndërsa, në rastin e Shqipërisë, veçanërisht gjatë viteve të fundit, konkluzionet në këtë drejtim janë krejt të ndryshme. Për shembull, të drejtat e pronës shkelen me të dyja këmbët, aq sa ‘mali’ i dosjeve me ankimime individuale drejtuar Strasburgut deri tani nuk mund të mbulojë dot as faturat e rënda që duhet t’u paguajë shteti ynë, si Palë e Lartë Kontraktuese e Konventës, nënshtetasve të vet për dëmet financiare që u sjell.
Por, le të mbetemi te tema konkrete. Paragrafi 1 i Nenit 11 të Konventës parashikon që: “Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit paqësor dhe të organizimit, të drejtën e themelimit me të tjerë të asociacioneve dhe të pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij”. Këto të drejta janë të lidhura ose të justifikuara nga vlerat politike dhe sociale të një shoqërie demokratike; ato përfaqësojnë gjithashtu në një shkallë të madhe shtrirje dhe zgjerim të të drejtave të lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë (Neni 9). Po kështu, institucionet e Konventës pohojnë vazhdimisht se, në garantimin e lirisë së tubimit, Neni 11 lejon manifestimin e bindjeve “në komunitet me të tjerë, publikisht dhe privatisht”. Sikurse, të drejtat e garantuara nga Neni 10 (liria e shprehjes) prekin aktivitete në grup si, për shembull, demonstratat. Gjykata e Strasburgut, megjithëse e konsideron Nenin 11 si ‘lex specialis’ në këto raste, kur bën interpretimin e çështjeve gjyqësore që kanë të bëjnë me lirinë e tubimit dhe të organizimit mban parasysh përmbajtjen e Nenit 10.
Ushtrimi i këtyre kufizimeve nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre që, të parashikuara me ligj në një shoqëri demokratike përbëjnë, sipas paragrafit 2 të Nenit 11, “masa të domosdoshme për sigurimin kombëtar, për sigurinë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirisë së të tjerëve”. Në vështrim të këtij spektri privimesh, nuk mund të justifikohet kurrsesi krimi i rëndë qeveritar i kryer publikisht dhe egërsisht më 21 janar. Pavarësisht që ende nuk kanë përfunduar hetimet e plota dhe gjithëpërfshirëse të tragjedisë së para një muaji, justifikimi për shtypjen e një ‘grushti shteti’ ngjason me libret të një komedie horrash, që i bën spektatorët të lëshojnë lot, jo nga të qeshurat sesa nga të qarët. Mandej, edhe nëse do të pranohej që dhuna e demonstruesve me popla dhe me çadra nuk u provokua fillimisht prej forcave të policisë, nuk mund të konsiderohen si të drejta reagimet e këtyre të fundit me tërbimin e një lukunie të egër ndaj qytetarëve të pambrojtur. Aq më pak mund të quhen “heronj” të kombit ata gardistë, që edhe sikur të kishte hyrë këmbë protestuesi në territorin e Kryeministrisë, kurrsesi nuk u lejohej të shtinin me municione luftarake mbi bashkëqytetarët e tyre, pa ndërmarrë fillimisht masa alternative, që i përcakton mjaft qartë edhe Ligji për Gardën e Republikës. Dhe, interpretimi i pothuajse të gjitha dispozitave të Konventës asnjëherë s’mund të bëhet pa u vlerësuar veprimet nën dritën e të paktën dy kritereve kryesore: ligjshmërisë dhe proporcionalitetit.
Për të vazhduar me demonstratat e mëpasme, si procesioni publik përkujtimor i 28 janarit ose demonstrata e 18 shkurtit, që dëshmuan vlerat e një qytetërimi civil të admirueshëm, arsyetimet e mësipërme do të ishin vërtet të panevojshme. Nën këtë prizëm, krejt të pabaza do të ishin edhe ‘argumentimet’ e qeveritarëve tanë, sipas të cilëve, demonstratat masive të udhëhequra dhe orientuara prej opozitës politike dëmtokërkan imazhin e vendit dhe pengojnë integrimin e tij. Përkundrazi. Qysh më 1970, Gjykata Europiane e Drejtësisë me seli në Luksemburg ka deklaruar se “respekti për të drejtat themelore është pjesë integrale e legjislacionit komunitar”. Dhe, vetëm pesë vjet më vonë, edhe Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (sot OSBE) e inkuadroi këtë respekt të veçantë si një ndër parimet e Aktit Final të Helsinkit. Mirë, po çfarë rezultati do të japë seria e demonstratave qytetare të vazhdueshme për ndryshimin e gjendjes në Shqipëri? Nuk mund të parashikohen me saktësi as koha dhe as vendi ku do të ndalen ato. Por, një gjë është e qartë: meqë vala valën po ngre, ato shumë shpejt do të arrijnë të pasqyrojnë edhe një herë atë të vërtetë, me të cilën Buddha i drejtohej njerëzimit: “Were there is Law there is Victory” (“Ku është e Drejta, aty është Fitorja”).

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›