E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza” e marrëveshjes së mosmarrëveshjes

Ndërkombëtarët nuk heqin dorë nga ilaçi magjik: “Tryeza e partive”, e shpikur prej tyre që në fi llimet e sherr-politikës sonë pluraliste. Sa herë Shqipëria politike hyn në ngërç, në krizë, në kolaps, sa herë partitë (ndoshta më saktë duhet thënë: kryetarët e tyre) e çojnë vendin në prag të luftës civile, diplomatët e zyrtarët e huaj venevijnë e dalin nëpër konferenca shtypi që të japin kësi udhëzimesh e porosish klishe: filloni dialogun, shkoni sa më shpejt në Tryezë! Krerët e të dy palëve duhet të merren vesh e të ulin gjakrat! Kur edhe kjo këshillë dashamire dështon, përfaqësuesit e fuqive të mëdha, njëri pas tjetrit lëshojnë këtë ultimatum të përsëritur: në se nuk uleni në Tryezë e nuk bëni sa më shpejt dialog e marrëveshje, ne do të japim ndëshkime e sanksione! Po kundër kujt do të jepen sanksionet e ndëshkimet? Sigurisht ndaj Shqipërisë, ndaj qytetarëve të pafajshëm e jo ndaj shkaktarëve të ngërç-krizës, atyre të infektuarve me atë lloj “grip derri” që quhet politikë, përkatësisht ndaj zullum-kryetarëve të partive! Një nga këto këshilla, a n’daç kërcënime “demokratike”, na erdhi së fundi nga përfaqësuesit e lartë të BE-së, konkretisht nga z.Fyle: ose të shkohet në Tryezën e dialogut, ose do të kthehet regjimi i vizave; tjetra: përndryshe do të bllokohet edhe procesi i integrimit; tjetra: në se dështoi diplomacia e Krokodilit të parë, një tjetër Krokodil do të vijë kësaj here në Tiranë për një marrëveshje-ultimatum me dymbëdhjetë pika! Ndërsa z.Kukan nuk duroi dhe lëshoi këtë mesazh: vërini gishtin kokës se po rrezikoni të ardhmen e Shqipërisë!
Ka edhe zëra ogurzinj që thonë se...në rast se do të dështojë edhe Krokodili i Tiranës, si ai i Strasburgut, atëherë mund të na përjashtojnë edhe nga NATO si të padëshiruar, meqë jemi kaq të pandreqshëm!...Por askush nga ndërkombëtarët nuk del të thotë: në këtë histori të nakatosur me krokodilë, ambasadorë e komisionerë ç’faj e ç’përgjegjësi kanë qytetarët e zakonshëm nëse Krokodili i Tiranës bashkë me të dymbëdhjetë pikat e Fyles do të përfundojnë nesër në kosh të plehrave, d.m.th, në një tjetër mosmarrëveshje? Zoti Fyle e aq më pak zoti Arvizu nuk e dinë sa kollaj e kanë krerët ballkanikë që marrëveshjen ta konvertojnë në mosmarrëveshje, që Krokodilin ta bëjnë lepur, Tryezën-sofër, derrin-dajë, dialogun-sherr, armikun-mik, Fjalën-leckë, fytyrën-baltë, natën-ditë…
Por ama vetëm me një kusht: të mbeten sa më gjatë në pushtet!
***
Sipas njoftimeve të shtypit, diplomatëve ndërkombëtarë të mbledhur kokë më kokë në Tiranë po synojnë të bindin Berishën dhe Ramën që të pranojnë të ulen,- më në fund!- në një “Tryezë për dialog”. Po u pajtuan ata, po i dhanë dorën njëri-tjetrit e sidomos po ranë dakord për të dymbëdhjetë pikat e Fyles, Shqipëria, sipas tyre, mbi ne do të bjerë, medemek, paqe e në rehati! Në “Tryezën e dialogut” qenka çelësi magjik i zgjidhjes së krizës e ngërçit politik! Nuk ka dyshim që dy “armiqtë e përbetuar” do të kapen për veshi e do të ulen në po atë “Tryezë”, ku kryetarët e partive, më se njëherë kanë ulur të ndenjurat jo dhe aq për të bërë dialog, se sa për të rënë dakord për “pikat” e ofruara nga ndërkombëtarët, si kusht “i daljes nga kriza” e radhës. Një “Tryezë” e ngjashme e la Berishën në vitet 1997-‘98 në politikë, një tjetër “Tryezë” bëri ndryshimet e Kushtetutës për një natë, duke e transformuar postin e kryeministrit në një sovran më të fuqishëm edhe se Mubaraku…Nuk ka dyshim që drejt një “Tryeze-krokodil” po shkohet edhe kësaj here, ku, si çdo herë, paria e Tiranës do të shfaqet e dhjerë, por ama krenare! Kryetarët do të shtiren se përnjimend besojnë që “Tryeza” e iniciuar nga Fyle apo nga Arvizu tekefundit do të shërbejë për të na bindur se “zjarrin mund ta shuajnë vetëm ata që e patën ndezur”. Kjo do të thotë se “Tryeza” do të transformohet edhe njëherë tjetër në sfond të një amnistie të re, të një vetëpastrimi moral që ata, ata pra, krerët e konfliktit, korrupsionit e mashtrimit të kërcejnë vallen e Osman Takes, si të mos kenë pas qenë ata përgjegjës e shkaktarë që Shqipëria mbeti e çalë, e fundit në rajon, nga që nuk del dot nga ngërçet e krizat!…
Askush, besoj, nuk dyshon që dy kryetarët nuk do ta firmosin marrëveshjen e dymbëdhjetë pikave të Fyles, e cila, për shumëkënd dukej si një mision i pamundur. Edhe pse nuk kanë lënë gjë të ndyrë pa thënë kundër njëri-tjetrit, duke buzëqeshur e duke shtrënguar duart para kamerave, si një shenjë vullneti, kënaqësie e mirëbesimi për realizimin e “marrëveshjes historike”, (ceremonia do të kryhet nën hijen ose të ambasadorit amerikan Arvizu, ose të komisionerit Fyle, ose të baroneshës Ashton), ata do të deklarojnë me gëzim se demokracia shqiptare, më në fund, falë tyre, u ngjit në një stad akoma më të lartë!....”Tryeza e Krokodilit” do të sjellë paqen e munguar! Pas kësaj “marrëveshjeje” nuk do të ketë protesta, as sherre, grindje e shpif-sharje të ndërsjella në Kuvend, do të shuhen akuzat për puçe, do të harrohet Gërdeci dhe abuzimet në rrugën e Kombit, katër të vrarët në kryeministri nuk do t’i përmendë njeri, ndërsa videopërgjimet do të flenë në “sirtarët e krimit”, etj, etj. Paqja e munguar do të burojë si qumështi i kalasë së Rozafës nga “Tryeza” e dy kryetarëve të paqtuar! Ndërsa deputetët alibejanë të listës e të dy krahëve si dhe zëdhënësit përkatës nuk do të kacafyten më…E paskësaj në kancelaritë perëndimore do të raportohet për suksesin e “Tryezës”, për arritjen e dialogut, për zgjidhjen e ngërçit, për atmosferën e bashkëpunimit pozitë-opozitë…etj. etj...Kjo deri në 8 Maj, se, pas zgjedhjeve, humbësi do të fillojë avazin nga e para! “Tryeza e Krokodilit” do të quhet dështim, mashtrim, hile, një shkelje e besës…!
***
Nëse merret si e mirëqenë që zgjidhja e ngërçit dhe e krizës do të varet nga “Tryeza”, nga dialogu, nga një marrëveshje mes dy kryetarëve, pra në se këta dy krerë, Berisha dhe Rama, me urdhër të ndërkombëtarëve do të bien në ujdi që me gjasë të mos zvarritemi më nga kriza në krizë, atëherë, një arsyetim i thjeshtë të bën të besosh se kriza nuk paska qenë në shoqëri, se ngërçi nuk është rrjedhojë, si na kanë mëtuar, e mosfunksionimit normal të demokracisë, e mungesës së kulturës demokratike të popullit, e mosrespektimit të ligjeve të ekonomisë së tregut, e keqadministrimit të fondeve publike, e keqqeverisjes, e rritjes së çmimeve dhe korrupsionit, e papunësisë, e bllokimit të institucioneve të pavarura, si p.sh, Drejtësia etj, etj, por ajo më së shumti është krizë që gjendet në kokat e kryetarëve të partive...Madje, mund të thuhet, pa frikën e ndonjë gabimi, se kriza nuk ekzistoka as në marrëdhëniet mes dy partive, as mes militantëve, derisa ajo mund të shuhet kaq kollaj me një “Tryezë dialogu”, apo “Krokodili”, mes dy kryetarëve, të cilët deri dje dukeshin të hasmosur për vdekje!
Ndërkombëtarët e Brukselit dhe Washingtonit janë të bindur se kriza mund ta eliminohet, vetëm nëse bien dakord të ulen dy krerët në Tryezë; kjo do të thotë se janë ata që e kanë pjellë e mbajtur gjallë krizën, pra vetëm ata “etër” të situatave konfliktuale në këto 20 vite mund të sjellin paqe, harmoni e mirëkuptim! Ja përse kjo: “dialog, dialog, dialog!”në të vërtetë do të thotë: duhet të merren vesh jo qytetarët me qytetarët, as qytetarët me qeverinë, po të dy kryetarët, pasi populli presupozohet të bëjë ashtu si do ta urdhërojnë ata, kryetarët! Në se “ata” do të deklarojnë pas “Tryezës” që nuk ka krizë, në Shqipëri nuk ka krizë! Në se “ata” do të merren vesh mes vedi, edhe ne do të jemi të mirëkuptuar!...Me sa duket ndërkombëtarët vazhdojnë të besojnë se kriza shqiptare nuk buron nga poshtë, por ajo ndodhet lart, në kokë…Këmbëngulja dhe zgjidhja që pritet të vijë nga “Tryeza” do të thotë se ndërkombëtarët besojnë që rreziku i shpërthimit nuk ndodhet brenda “tenxheres me presion”, dmth në popull, po në valvulat shkarkuese të tij, që në rastin konkret janë kryetarët e partive.
Nisur nga kjo bindje, ndërkombëtarët nuk kërkojnë ndërrimin e valvulave, që do të sillte një shkallë sigurie më të madhe, më të sigurt e pa shumë kosto…Në të kundërt, eksperimenti i “diplomacisë së Krokodilit” shpreson të sjellë sukses nëpërmjet një “marrëveshjeje” laboratorike në Tryezë, e cila, si shumë herë të tjera, duke “çliruar” sadopak “valvulat” e dialogut mes dy krerëve, ka për qetësuar situatën kritike…Për këtë arsye, “diplomacia e Krokodilit” nuk synon shërimin e sëmundjes, por të provojë efektin e dialogut” i cili në fakt nuk është ilaç, por narkozë…”Diplomacia e Krokodilit” nuk kërkon të zbulojë diagnozën e sëmundjes, nuk tenton të shkulë nga rrënjët krizën, shkakun e qelbit, të infeksionit, por të largojë përkohësisht dhimbjet e shoqërisë. Specialistët e “diplomacisë së Krokodilit” të BE-së, apo edhe të SHBA-ve, shpresojnë se vetëm kështu “tenxherja me presion” përkohësisht nuk ka për të shpërthyer, pra vetëm kështu mund të garantohet stabiliteti në vend e sidomos në rajon, gjë që do të thotë se në Shqipëri, me gjasë, nuk do të ketë protesta masive si ato të Egjiptit e Tunizisë, ku kriza dhe përmbysja erdhën nga poshtë për t‘u ngjitur lart…Këtë synon “Tryeza”e Krokodilit!
Kështu u veprua edhe në vitet ‘97-‘98, kështu po veprohet edhe tani: me ndihmën e një “Tryeze” të imponuar nga ndërkombëtarët shpresohet të lirohen valvulat e “tenxheres me presion”, paçka se tranzicioni ynë, krizat, konfliktet e ngërçet, mosmarrëveshjet dhe sherrnajat bash për këtë shkak nuk kanë pasur as anë dhe as fund! Sepse për diplomatët e Krokodilit rëndësi ka që “tenxherja me presion” e shqiptarëve të mos shpërthejë….Ky quhet stabilitet. E pikërisht ky stabiliteti ka më shumë rëndësi se gjellët që gatuhen në tenxheren tonë me presion e që ne, shqiptarët, duam nuk duam, na pëlqejnë ose jo, kemi për t’i ngrënë edhe për ca kohë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›