E Shtunë, 31 Tetor 2026

E gjithë beteja që zëri i qytetarëve të dëgjohej- pres certifikimin për të marrë postin

04-06-2011 / Gazeta 55

Lulzim Basha falënderon votuesit e Tiranës për besimin që i dhanë si dhe premton se zëri i tyre do dëgjohet kurdo herë

Kandidati fitues për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha doli mbrëmë në një konferencë për shtyp, vetëm pak minuta pasi Kolegji Zgjedhor kishte dhënë vendimin për certifikimin e rezultatit të KQZ, për bashkinë e Tiranës. Basha pohoi para mijëra mbështetësve te selia e Partisë Demokratike se, është fitues i postit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por theksoi se, duhet pritur certifikimi i plotë i rezultatit. “Kolegji Zgjedhor mori një vendim të rëndësishëm duke lënë në fuqi vendimin e KQZ për të numëruar çdo votë. Në pritje të certifikimit të rezultatit final dhe në respekt të plotë të tij, dua të them vetëm pak fjalë: “Sonte jam tejet i lumtur, sepse kam pasur vetëm një qëllim, të dëgjohej zëri i çdo qytetari”. Më vjen shumë mirë që çdo votë u numërua në rregull, sipas parimeve të demokracisë, ligjit dhe Kushtetutës dhe me një transparencë të admirueshme të panjohur deri sot. Kjo është fitorja më e madhe. Falënderoj të gjithë qytetarët, nëse votuan për mua apo jo, për durimin dhe qytetarinë me të cilën po presin përfundimin e këtij procesi. Duke respektuar të drejtën tuaj legjitime për të festuar, ju bëj thirrje që të tregoni respekt të plotë të institucioneve deri në certifikimin final të këtij rezultati”- u shpreh Z.Basha në fjalimin e tij para mbështetësve të Partisë Demokratike. Basha shprehu edhe një herë falënderime për votuesit që i dhanë besimin më 8 maj kurse shprehu dhe vlerësim për durimin që patën mbështetësit e tij, derisa Kolegji Zgjedhor dha verdiktin e formës së prerë.

Pas certifikimit të Kolegjit, atmosferë festive te selia e PD
Pak minuta pasi Kolegji Zgjedhor certifikoi rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, selia blu u “pushtua” nga atmosfera festive e simpatizantëve të Partisë Demokratike. Qindra e mijëra qytetarë të pranishëm përshëndetën kandidatin fitues të Partisë Demokratike si dhe vlerësuan mbështetjen që selia blu i dha Z.Basha në një fushatë zgjedhore tepër ekselente si dhe të ‘pushtuar’ nga emocionet. Vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor të Apelit, hallka e fundit e sistemit të ankimimit, e shpall zyrtarisht kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Kësisoj, Tirana ka një kryebashkiak të ri, i cili me besimin që i ka dhënë qytetarëve, do ta kthejë kryeqytetin në një qytet të jetueshëm dhe ashtu siç i ka hije Metropolit të një vendi që aspiron t’i bashkohet Evropës së Bashkuar. Në bazë të rekomandimeve që parashikon ligji, Basha pritet të marrë mandatin e kryetarit të bashkisë, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.  
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›