E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesione të gabuara

Nga komentet që bëri së fundi në media këshilltarja e Kryeministrit, mësohet se “mandatin e ardhshëm do t’i jepet prioritet transportit hekurudhor”. Sipas saj, hekurudha do t’u jepet me koncesion dy kompanive që kanë treguar interes për këtë çështje. Në disa nga shkrimet e mia, jam ndalur dhe folur për nevojën e investimeve në këtë sektor, si dhe për efektivitetin e dhënies së shumë sektorëve me koncesion.

Në përgjithësi, tek ne koncesioni është përdorur për interesa të ngushta nga një grusht njerëzish. Në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, koncesioni përdoret për sektorët pa efektivitet, pa rentabilitet dhe me humbje, me kusht që, në ato sektorë të investohet në teknologji moderne (dhe në kohën që i dorëzohet shtetit, të mos kalojë një normë amortizimi më shumë se 50%). Pra, 50% e amortizon koncesioneri që e shfrytëzon dhe 50% i ngelet shtetit për ta administruar, kur e merr në dorëzim.

Po marrim si shembull terminalin e ri të Rinasit, i cili është dhënë, në mos gaboj, për 20 vjet me koncesion, me kushtin BOT ( merr, shfrytëzo, dorëzo). (koncesion i kritikuar edhe nga kjo gazetë ku po shkruajmë, që në fillimet e tij, ende pa u firmosur). Sipas këtij kushti, i bie që logjistika dhe makineritë e pajisjet, të amortizohen 100% dhe Shqipëria duhet të bëjë shpenzime nga fillimi. Çfarë fitojmë nga këto lloj koncesionesh?

Më datë 20 dhjetor bëhet ‘tenderi’ i kontrollit teknik të automjeteve (do ta japin për 20 vjet). Ky vendim për ta dhënë dhe atë sektor me koncesion, është mjaft i gabuar, për shkak se: 1 - Ky sektor është me fitim dhe është investuar me teknologji moderne (pajisjet dhe makineritë i ka të fjalës së fundit suedeze dhe gjermane; objektet thuajse janë të reja). Atëherë? Çfarë do të bëjë koncesioneri?

2 - Duke dhënë me koncesion këtë sektor, do të cenohet siguria rrugore, do të shtohen aksidentet me pasojë vdekjet, për shkak se nuk do të paraqiten mijëra automjete për kontroll dhe rastet korruptive në patenta, kontroll, pagesa taksash do të shtohen. 3 - Ky sektor do të administrojë dhe sektorin e taksave, duke bërë dhe rolin e agjentit tatimor për taksën e regjistrimit dhe atë të qarkullimit. Në këtë mënyrë, përqindjet e agjentit tatimor, në vend që t’i mbajë shteti, do t’i marrë kompania koncesionare. Të kuptohemi, bëhet fjalë për miliarda lekë. 4 - Ruhet monopoli i këtij sektori, duke mos u dhënë asnjë shans sektorëvee subjekteve shqiptare që plotësojnë kushtet për të kryer këtë shërbim. (për këtë qëllim u amendua edhe Kodi Rrugor).

Në këtë mënyrë është vepruar dhe në sektorë të tjerë, pa bërë studime dhe procedura të tjera, që të çojnë në efektivitetin e privatizimit të ekonomisë.

Le të rikthehemi tek hekurudha. Është e vërtetë që transporti hekurudhor, sot, është me humbje (për shkak se është lënë qëllimshëm pa investuar, për të arritur argumentin e koncesionit). Shqipëria ka rreth 500 km rrjet hekurudhor, tërësisht i amortizuar, me përjashtim të segmentit Tiranë-Durrës (rehabilituar me fondet e kooperacionit italian, në 1998-n). Po të kemi parasysh se Shqipërisë i duhen 5 granitura vagonë pasagjerësh (një graniturë ka 6 vagonë) dhe rreth 10 granitura vagonë mallrash (përfshi dhe vagonët e specializuar për mallra të veçanta), investimi i këtij sektori, në total, nuk shkon më shumë se 250 milionë euro, edhe nëse vagonët merren të rinj. Pa dyshim që i kuptojmë edhe mundësitë që ka aktualisht qeveria, por strategjia që ka zgjedhur është thjesht rruga më e shkurtër dhe më pa telashe, por jo më e mira.

Para pak kohe, Rumania mori 400 vagonë me kredi Japoneze, të aranxhuar nga General motors. Edhe ne kemi pasur të tilla oferta. Pse nuk e provojmë që këtë sektor ta administrojë dhe menaxhojë vetë shteti? Nuk e shihni çfarë po ndodh në botë, ku shteti po rimerr në duar bankat dhe industritë? A e kupton njeri se këtu në Shqipëri, veç të tjerash, çdo ditë po shtohet ushtria e të papunëve dhe mungojnë iniciativat për të hartuar politika për punësimin?

Nëse qeveria ka arritur vendosmërisht në përfundimin se ai sektor duhet të privatizohet, atëherë le të privatizohet, së paku, vetëm sektori i shërbimit për transportin e mallrave (jo me koncesion). Për pjesën tjetër të ruhet monopoli në duart e shtetit. Në të kundërtën, veprimet që lidhen me këtë sektor do të jene pa efektivitet.

Dhe është për të ardhur keq që, pjesën e majme të subvencioneve, kjo qeveri e Shqipërisë t’ua japëkompanive të huaja dhe jo shqiptareve. Të njëjtat opsione dhe strategji qarkullojnë dhe për aeroportet e brendshme Vlorë, Sarandë, Korçë, etj. Ato nuk kërkojnë fonde të mëdha. U privatizuansektorët ARMO, OSSH, etj. dhe te jeni të sigurt se do të kalojnë pak vite dhe do të rezultojnë pa efektivitet. Ndaj, le të mos nxitohemi në këtë sipërmarrje. Në fund të fundit, ato që do të humbasin janë shqiptarët.

*Autori është ish-zv. ministër i Transporteve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›