E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama të heqë dorë nga ofendimet ndaj arsimtarëve

25-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri inauguron Gjimnazin e ri “Said Najdeni” të qytetit të Peshkopisë, me vlerë 160 milionë lekë

Gjatë vizitës së tij në Qarkun e Dibrës, kryeministri Sali Berisha, ishte dje edhe mes nxënësve të gjimnazit “Said Najdeni” të qytetit të Peshkopisë, për të inauguruar së bashku mjediset e reja dhe moderne. Sipas Kryeministrit, për qeverinë dhe për Partinë Demokratike, arsimi përbën një nga përparësitë absolute më madhore të programit të saj.
“Për qeverinë që unë kryesoj dhe për Partinë Demokratike, arsimi përbën një nga përparësitë absolute më madhore të programit të saj. Ne besojmë se Shqipëria, se shqiptarët do të kenë të ardhmen që meritojnë vetëm si shoqëri e dijes, si Shqipërisë  e dijes, si Shqipëri e edukimit, si Shqipëri e shkollimit. Ndaj dhe ne kemi bërë përpjekjet më të mëdha  që të ndërtojmë një infrastrukturë moderne në këto vite. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla, 120 objekte të tjera arsimore janë në ndërtim e sipër. Ne gjatë viteve që vijnë do të bëjmë gjithçka që nxënësit shqiptarë kudo që ndodhen, të ulen në banka, të mësojnë në shkolla të njëjta me ato të qyteteve tona, të njëjta me ato të standardeve evropiane”- u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë siguroi se, katër vitet e ardhshme s’do ketë arsimtarë me pagë nën 700 dollarë. “Të gjithë përpjekjen tonë për arsimin ne  e bazojmë më se pari tek ju, tek aftësitë tuaja, tek përkushtimi juaj, por gjithnjë duke ju dhënë ju mbështetjen më të madhe, ndaj dhe në këto pak vite ne përcaktuam si objektiv madhor, rritjen e rrogave në arsim më shumë se në çdo sektor tjetër dhe këtë e realizojmë, por kjo rritje e cila sot shkon sipas kategorisë, nga 120 në 140 %, nuk do të ketë të ndalur.4 vitet që vijnë rrogat tuaja do të kapin 700 dollarë. Në Peshkopi janë bërë investime të mëdha në fushën e  arsimit, është ngritur universiteti, janë ndërtuar dhe rindërtuar qindra shkolla në të katër anët. Arsimi, edukimi do të jetë shtylla jonë kryesore, do të jetë përparësia më madhore për 4 vitet që vijnë. Kjo është alternativa e kësaj qeverie”- theksoi kryeministri. Duke përmendur se PS dhe kreu i saj, Rama i quan nxënësit dele dhe mësuesit më të padijshëm se ata të 100 viteve më parë, Berisha i kërkoi kreut socialist, të heqë dorë nga trysnitë mbi arsimin, nga ofendimet kolektive. “Alternativa tjetër është e provuar. Zotëria që i quan nxënësit dele dhe mësuesit më të padijshëm se ata të 100 viteve më parë, ju thoshte dy ditë më parë qytetarëve të Tiranës se “nuk ndërtova shkolla se nuk kisha para”. Një mashtrim i mirëfilltë, 21 milion euro, 2,5 miliard lekë ka patur të garantuar kredi nga qeveria për të ndërtuar shkolla. Me gjysmën e këtyre parave, bashkia e Kamzës ndërtoi 13 shkolla, bashkia  Tiranës ndërtoi gjithsej 7 shkolla, sepse shkollat kërkonin troje, por trojet i merrnin për pallatet e miqve të klientelës. Ndaj dhe i kërkoj zotërisë të heqë dorë nga trysnitë mbi arsimin, nga ofendimet kolektive. Ato nuk i bëjnë nder një njeriu të qytetëruar. Edhe njëherë, një ditë i shpall të padijshëm, ditën tjetër u thotë mësuesve se do të shihni hekurat. Dje, i shkatërruar nervash, ka marrë ne telefon drejtoreshën e njërës prej gjimnazeve të më kryesore duke  e kërcënuar pse ti u thua këtë apo atë nxënësve.
Mësues dhe mësuese, kudo që jeni, të çdo bindje që jeni, jeni të lirë të propagandoni, të mbroni, të promovoni pikëpamjet që besoni, të mbështesni partinë që besoni”- theksoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›