E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënoi bankierin, mohon akuzën

 

TIRANE – I akuzuari nga Prokuroria si autor i kërcënimeve dhe gjobëvënies ndaj bankierit egjiptian në Tiranë do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për 27-vjeçarin Lulëzim Makisti, “gjobëvënësin” e 100 mijë eurove për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”. Burime pranë gjykatës thanë se gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, Makisti mbajti qëndrim mohues ndaj akuzave. Sipas burimeve, ai mohoi të ishte autori i kërcënimeve në drejtim të drejtorit të Bankës së Bashkuar Arabe në Tiranë. Prokuroria kërkoi lënien e të pandehurit në burg deri në përfundim të hetimeve, kërkesë që u pranua në vendimin e gjykatës. Makisti u arrestua nga policia e kryeqytetit mbrëmjen e së martës. Sipas Prokurorisë, ai është autori i disa mesazheve kërcënuese telefonike dërguar në shkurt të këtij vit bashkëshortes së shtetasit egjiptian Ehad Shukri Saad, drejtorit të bankës ABA. Në këto sms thuhej se nëse kryebankieri nuk dorëzonte 100 mijë euro, jeta e tij dhe e familjes së tij ishin në rrezik. Nga hetimet rezultoi se numri nga ishin nisur sms-të ishte regjistruar me një certifikatë të falsifikuar.                            ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›