E hidhura e grevës
Aksioni politik i disa deputetëve të majtë dhe të djathtë risolli ndërmend 11 vite të shkuara, grevën tre javore të urisë së “Mandelës” shqiptare, Pjetër Arbnori dhe disa paralele, që nuk kanë të bëjnë sa me urinë, as me motivet, por shijen e hidhur që të lë e shkuara politike.
Ish-kryetari i Kuvendit Popullor, me mbi 20 vite vite burg mbi shpinë, kishte gjetur mënyrën e radhë të protestës, duke zaptuar zyrën e katit të parë te kryesia e Kuvendit. Ai qëndroi atje për shumë ditë, në një grevë reale, si qendrestar, ashtu siç do ta mburrte Sali Berisha, në ditën e 14-të të grevës, kur fliste hidh-e prit me spikerin e Kuvendit, të idhëtin Skënder Gjinushi, në 3 shtator 1997.
Arbnori protestonte për qëndrimin e njëanshëm të RTVSH-së, që nuk jepte të plota fjalimet e deputetëve të PD-së në Kuvendin e pas zgjedhjeve të 29 qershorit 1997. Por kush kishte RTVSH-ja kur PD-ja e Arbnorit ishte në pushtet në vitet 1992-1997? Një institucion qesharak, i cili në ditët e “ngordhjes” profesionale, që qëllonin me ditët e marsit 1997, ndërsa vendi digjej, jepte biseda për agronominë, apo edukimin blegtoral, që për 5 vjet ishte shndërruar në një armë dezinformimi në duart e pushtetit absolut të ish-presidentit Berisha.
Greva paqësore e Arbnorit, mbaroi dhe ai u ndje krenar për protestën paqësore, por PD-ja e tij, një vit më vonë do të shkallmonte ndërtesën e RTVSH-së, duke deklaruar rënien e qeverisë së majtë, duke treguar se sakrifica të tilla me mision ndërgjegjësues nuk zënë rrënjë në një parti që nuk ka vijë politike, por vetëm krah të armatosur.
Personazhet e grevës tashmë pesë ditore, nuk kanë të shkuar më të mirë elektorale, me të cilën duhet të krenohen. Ilir Meta ishte vërtet një kryeministër luftarak, por ishte ai kryeministri i qershorit 2001, kur u sajua Dushku i deformimit të votës dhe një fshat i humbur i dha 10 deputetë të majtës, e cila ra në batakun e mbingopjes nga pushteti katër vite më vonë. Ishin organet gjyqësore, të mbështetura fuqimisht nga Ekzekutivi, që sajuan mbi 40 deputetë të padrejtë.
Nard Ndoka ishte një ministër qesharak për mbi një vit kur mbajti kolltukun e ministrit të Shëndetësisë dhe pasojat e papërgjegjshmërisë së drejtimit të shëndetësisë duan vite të riparohen. Është një gropë e madhe financiare prej 23 milionë eurosh, me ilaçet që po vdesin pacientë, apo po i rrjepin për së gjalli familjarët e të sëmurëve, dhe për të cilën nuk ka pëergjegjës tjetër veç kabinetit që kishte mbledhur Ndoka.
Petro Koçin nuk mund ta marrë më askush seriozisht, sepse nga viti 2001, kur doli nga “vatha” e PS-së, i shkoi pas Fatos Nanos për katharsis-in anti-Meta, dhe u përlye bashkë me të në batakun e korrupsionit kur u bë kryeministër, më pas e ndoqi sërish Nanon për “katharsisin anti-Rama, pastaj sajoi PS’91, për tu rikthyer sërish te Meta që kish mallkuar në 2001.
Këta të tre, të ndihmuar edhe nga shtatë të tjerë po mbajnë flamurin, “Vota është e shenjtë” atje në sallën e Kuvendit. Shenjtëria e votës është një aksion politik që i duhet vërtetë Shqipërisë, sepse ka mbetur i vetmi vend në rajon që nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edhe greva e urisë është një aksion shumë i respektueshëm dhe që të bën më njerëzor. Por kjo s’e heq atë shijen e hidhur që të jep e shkuara e atyre që po mbajnë flamurin e kësaj greve.