Shpërndante heroinë, arrestohet 28-vjeçari
Durrës- Policia e Durrësit ka arrestuar një 28-vjeçar në flagrancë ndërsa po i shpërndante drogë klientelës së siguruar më parë. Policia kishte siguruar informacion se Orges Pasha, banor i lagjes nr.17 të Durrësit shpërndante drogë të llojeve të ndryshme. Specialistet e seksionit të luftës kundër narkotikëve, pasi e vunë nën kontroll arritën që ta kapin në flagrancë me një sasi droge të përgatitur që më parë për shitje.
Pas shoqërimit në dhomat e izolimit, atij i është bërë edhe kontrolli, nga i cili ka rezultuar se ai kishte me vete një sasi lëndësh narkotike të ndarë ne qese të gatshme për konsum. Droga ishte dy llojesh: heroinë dhe kanabis ativa. Policia ka bërë me dije se në momentet e arrestimit atij iu gjetën me vete 10 doza substancë e ngjashme me lëndën narkotike të llojit heroinë, të ndara në doza për shitje si dhe 1 qese me një sasi lënde të ngjashme me canabis sativa.
Pas kësaj është ushtruar kontroll edhe në banesën e tij, ku është zbuluar një ‘punishte’ për paketim të llojeve të narkotikëve që shiteshin nëpër rrugicat dhe lokalet e zonës.
“Gjatë kontrollit në banesë janë gjetur edhe 66 doza të bëra gati për shitje, të dyshuara si heroinë si dhe 7 qese me përmbajtje si ajo e bimës narkotike canabis sativa. Nga peshimi në total i lëndës sëbllokuar rezultoi se sasia e substancës së dyshuar si heroinë, e ndarë në 76 doza ishte 36,3 gr. dhe ajo e Canabis Sativa e vendosur në 8 qese, 17.9 gr”- thanë burimet e policisë.