E Shtunë, 31 Tetor 2026

E imagjinoni dot botën pa plastikë?

Dihet që plastika nuk do të jetë më me shumicë, ashtu siç ndodhte dikur. Por askush sot nuk e imagjinon që epoka e plastikës të marrë fund papritur, duke gjunjëzuar njerëzimin. Mendoni se është fantashkencë? Ndoshta një pjesë, jo e gjitha. Le të përpiqemi të imagjinojmë këtë skenar të çuditshëm. Ja çfarë do të ndodhte një ditë qershori të vitit 2019...

Misteri i qeskave

20 qershor 2019. Qeskat plastike të plehrave po fillojnë të shkrihen njëra pas tjetrës në disa qytete të Francës. Kur klientët shkojnë për t‘u ankuar në supermarket, shitësit mendojnë se mos është bërë ndonjë gabim gjatë prodhimit. Por i njëjti fenomen verifikohet edhe në Lion, Paris e qytete të tjera. Qeskat ishin prodhuar në rregull nga fabrika dhe duken sikur i ka ngrënë ndonjë gjë. Qeskat plastike të bëra vrima-vrima fillojnë të nxisin debate te qytetarët.

Lamtumirë televizorit dhe internetit

29 qershor 2019. Fillimisht ndonjë rast, më pas vetëm disa lidhje interneti në disa firma dhe shtëpi. Telefonatat duken shumë të zhurmshme, deri sa ndërpriten fare. Edhe televizorët transmetojnë keq. Pamjet fillojnë të shformohen derisa në ekrane shfaqet vetëm një "mjegull" e bardhë. Teknikët e zbulojnë menjëherë problemin: veshja plastike e kabllove të sinjalit është brejtur.

Por kjo nuk është e gjitha. Makinat ndalojnë papritur në rrugë, sepse serbatorët u janë bërë vrima-vrima. Ndërkohë çantat plastike që mbajnë ushqimet çahen, duke hedhur gjithçka në tokë. Detergjentët e lëngshëm dhe shampot fillojnë të rrjedhin nga ambalazhet plastike. Edhe rrobat fillojnë të grisen.

Laboratorët kinezë

2 korrik 2019. Në të gjithë botën shkencëtarët fillojnë të studiojnë fenomenin e frikshëm. Kinezët zgjidhin enigmën: një bakter, deri në atë moment i panjohur, ka "mësuar të hajë" gjithçka që përbëhet nga hidrokarburet e polietilenit. Çdo send i përbërë nga kjo lloj plastike, bëhet shkrumb e hi sa hap e mbyll sytë. Askush nuk di ta shpjegojë se si kjo gjallesë njëqelizore ka ardhur në botë. Sipas disa teorive, mikrobi shkatërrues e ka prejardhjen nga ndonjë laborator kërkimesh gjenetike, ku rriten organizma artificialë. Në fakt, krijimi i një mikroorganizmi të tillë për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e plehrave nuk do të ishte një ide e keqe, por natyrisht jo me një oreks të pakontrolluar të këtij lloji.

Kinemaja në errësirë

3 gusht 2019. Për mikrobiologët është e pamundur të punohet. Pjesa më e madhe e provëzave të reaksioneve, pipëzat dhe sendet e tjera të laboratorit janë të papërdorshme. Ndërkohë, brejtësi i plastikës "po ha" poliestrën. Në të gjitha sallat e vjetra kinematografike, skenat kanë mbetur në errësirë, sepse filmat janë bërë copë e çikë. Supermarketet janë të detyruara të mbyllen për shkak të mungesës së materialeve të ambalazhimit. Mikroorganizmi llupës nuk ndalet as para polikarbonateve: CD-të dhe DVD-të bëhen të papërdorshme brenda natës.

Xham dhe karton

12 shtator 2035. Pas katastrofës, njerëzimi e ka gjetur zgjidhjen dhe pak nga pak e ka ndërtuar teknologjinë e shkatërruar me materiale alternative. Në supermarket tani njerëzit janë rikthyer duke bërë pazar te frutashitësit dhe bulmetoret. E blejnë qumështin me shishe qelqi dhe makaronat në ambalazh kartoni. Mishi dhe djathi tregtohen si dikur në letër oleat. Tashmë ambalazhet me ngjyra janë zhdukur. Fundet e shkurta pa geta najloni vishen vetëm në verë.

Kompjuter qeramike?

7 mars 2036. Kabllot janë montuar në sipërfaqe dhe janë veshur në mënyrë provizore me një letër të lagur me vaj. Filmat, kasetat dhe sendet e tjera për regjistrimin e të dhënave, i përkasin së shkuarës, edhe pse sot informacionet mund të regjistrohen në formatin dixhital, përmes disqeve rigidë dhe stilolapsave USB. Transmetimi i të dhënave arrihet përmes satelitit dhe filmat pasqyrohen në mur me projektorë dixhitalë.

Ajo që përbën me të vërtetë problem është ndërtimi i kompjuterëve ekonomikë. Po bëhen tentativat e para me qeramikë, por një produkt ekonomik është ende shumë larg.

Janë prodhuar sërish shiringa qelqi dhe metalike, ndërkohë që testet laboratorike janë shumë më të shtrenjta se në të kaluarën. Makinat janë ndërtuar sërish me pjesë metalike dhe druri. Janë më të bukura, por edhe më të shtrenjta e më të rënda dhe konsumojnë më tepër.

Në kërkim të bardhësisë

12 qershor 2036. Komforti dhe bollëku i dikurshëm i përkasin një të kaluare legjendare. Tani të gjithë janë të lumtur. Njerëzit kanë zbuluar dashurinë për dizajnin. Sipas disa ambientalistëve dhe mjekëve njerëzimi ka fituar diçka nga katastrofa që ndodhi: zhdukjen e materialeve dhe lëndëve plastike, të cilat gjendeshin kudo. Ndërkohë, gjërat nën ujë shkojnë për mrekulli. Rrjetat e mëdha plastike, që përdoreshin për të kapur peshq nuk ekzistojnë më dhe detet e oqeanet e botës janë boshatisur nga mbeturinat. Tani bakteri misterioz që "hante" çdo gjë plastike është zhdukur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›