E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guri i shekullit XII dëshmon lashtësinë e zonës

Edhe Lushnja mund të konsiderohet një qytet i lashtë. Të paktën kështu shpresojnë dhe mendojnë studiuesit e zonës, të cilët gjatë ditëve të fundit janë përballur me zbulimin e një objekti të lashtë. Bëhet fjalë për një gur me mbishkrime bizantine, që mendohet se është shumë më i vjetër se periudha që daton. Guri që ka në sipërfaqen e tij disa mbishkrime, është zbuluar në kishën e Shën e Premtes në Lushnjë. Në këtë mbishkrim janë gdhendur kryqi dhe heshta, të cilat simbolizojnë jo vetëm periudhën bizantine, por njëkohësisht edhe torturat e Krishtit. Mbishkrimi, sipas studiuesit të artit, Niko Ferro, i përket shekullit XIII të erës sonë. "Bëhet fjalë për një gur të vjetër që gjendet në anën e pasme të kishës dhe bëhet fjalë për dy simbole që janë gdhendur në sipërfaqen e tij. Është një kryq bizantin dhe një majë heshte. Them se ky gur mund të jetë më i vjetër se shekulli XVI, kur edhe është ndërtuar kisha në fjalë. Do të jenë autoritetet e arkeologjisë ato që do të japin të dhënat e sakta historike të këtij zbulimi", ka shpjeguar ai. Guri i vjetër është zbulimi i parë që është bërë në qytetin e Lushnjës dhe hedh hipoteza të qarta mbi lashtësinë e krijimit të këtij qyteti. Studiuesi Ferro kërkon që autoritetet përkatëse dhe aq më shumë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të kujdesen për kishën e Shën e Premtes, ku dhe është zbuluar guri i vjetër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›