LINDJA NE SHKRIMESI
Jacques Derrida-ja ishte zëri i fundit i atij brezi mendimtarësh që revolucionarizuan ndjeshëm formën tonë të të menduarit dhe të të vepruarit. Vepra dhe mendimi i tij shtratëzohen në thellësitë pa cak të paradoksit, shfaqen si "mitra" e honshme dhe pjellore e enigmave gjatë tërë gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas; të flisje për ekzistencën e "enigmës" në një shekull të sunduar bindshëm nga përparimi i hovshëm i shkencës dhe nga depërtimi i saj deri edhe në vetë bërthamën e atomit, nuk mund të shpaloste tjetër në vetvete përpos se një situatë fort paradoksale; ish njëlloj si t‘i lëshoje sfidën e humbësit njeriut që sapo ishte mbuluar nga dafinat e triumfit. Dhe Derrida bëri pikërisht këtë: i pajisur me një mprehtësi intuitive të lindur, duke lëvizur nëpër shtigjet e hapura nga Freud-i, Lacan-i, Husserl-i dhe, në mënyrë të veçantë, Heidegger-i, i lidhur fort miqësisht, dhe i distancuar po aq fort filozofikisht, nga rrethi i marksistëve të zjarrtë të Parisit të viteve ‘50-‘60, kryesisht nga Althusser-i, Blanchot, Foucault, Barthes-i etj., Derrida-ja mëtoi me këmbëngulje dhe arriti që të depërtojë deri në shtresat më të imta të mendësisë perëndimore, hetoi me kujdes zonat e saj të zbrazëta, pasiguritë, humnerat e saj të pandriçuara, dhe zhvarrosi prej syresh atë gjerdan enigmash dhe paradoksesh që vijonin të shfaqeshin ende fort sfiduese për mendësinë perëndimore të "supershkencëzuar"; janë enigma dhe paradokse që themeluesi i "dekonstruksionalizmit" -- parulla e ditës ndër qarqet akademike të pjesës dërrmuese të globit - i përdori jo thjesht si "thupër" për të fshikulluar krenarinë shkencëmadhe të kohës, por si mjet efikas për të demaskuar sigurinë e saj të rreme, luhatjet sizmike të qëndrimeve të "çimentuara" nën dritën e ndarjes së botës në dele të bardha dhe të zeza, të shndërrimit të saj në një fushë beteje të përgjakshme mes të "mirëve" dhe të "ligëve", të sojit që kapen fort pas retorikës së bardhë dhe moralit të rremë, duke lënë në harresë njeriun, natyrën, lirinë dhe patjetërsueshmërinë e tij, çka e vërehej qartas në arenën e zhvillimeve politike të kohës.
Duke mbajtur parasysh gjithë sa më sipër, besoj se s‘ka mënyrë më të mirë për të nderuar kujtimin e mendimtarit të madh francez në tetëdhjetë vjetorin e lindjes përpos se përmes paradoksit, ku vetë Derrida duket se na e thjeshtëson jo pak mëtimin. Të shkruash një In Memoriam për Jacques Derrida-në me rastin e përvjetorit të "Lindjes" shfaqet si një paradoks i pastër, po të kihet parasysh se gjatë tërë jetës së tij, Jacques Derrida-ja nuk reshti së medituari dhe së përgatituri për vdekjen. Dëshmi për këtë nuk kemi vetëm faktin se është Vdekja, dhe jo Lindja, ajo që shfaqet si një nga temat e tij më të rrahura, por edhe dëshminë e drejtpërdrejtë të vetë Derrida-së në një nga intervistat e tij të fundit. Në qershor të vitit 2003, pas një vargu analizash mjekësore, Derrida-ja mësoi se vuante nga kanceri, ndaj të cilit reagoi me forcë: vijoi sërish punën hulumtuese, shkroi dhe mbajti konferenca anembanë globit, duke luftuar admirueshëm kundër pasojave mendjebjerrëse të kimioterapisë, dhe, në një intervistë të dhënë për Le Monde (2004), ndërsa flet për këtë betejë për jetë a vdekje, pak përpara se të ndërronte jetë, Derrida-ja shprehet: "Kam një jetë të tërë që po përgatitem për vdekjen, dhe ende druaj se po largohem pa qenë i përgatitur për të". Porse, kjo nuk do të thotë aspak se Derrida-ja kërkoi të krijonte dhe të kultivonte brenda vetes figurën e "filozofit të përmortshëm" ala Montaigne, të njeriut që mbyllet në kështjellë dhe nis përgatitjet për t‘u takuar me Vdekjen. Përkundrazi, për Derrida-në, filozofia gjallonte dhe lëvrohej nën dritën e një paradoksi enigmatik: ishte dashuri ndaj Jetës dhe përkujdesje ndaj Vdekjes. Dhe është pikërisht ky paradoks, kjo prirje e dyskajshme që lëviz brenda bërthamës gjenetike të Jacques Derrida-së dhe end pandalshëm fijet e meditimit të tij, ajo që na krijon mundësinë të shkruajmë në kundër-rrjedhë me vetë Derrida-në, duke folur për Lindjen, jo për Vdekjen e tij. Dhe, natyrisht, fjala nuk është për lindjen, për ardhjen e tij në këtë jetë më 15 korrik 1930 në El-Biar-it të Algjerit, në gjirin e një familjeje hebrenjsh sefarditë, por për Lindjen e tij në shkrimësi, e cila ka një gjeografi tjetër, një gjeografi që shtratëzohet dhe gjallon përtej çdo kombësie dhe race, madje, edhe përtej kufijve të ngushtë të kohës historike: është një univers që përshkon koordinatat kohëhapësinore për t‘u shtratëzuar në fund përtej tyre, për të jetuar kësisoj në gjithëkohësi. Derrida-ja u kujdes për Vdekjen nëpërmjet meditimit mbi Jetën, dhe u kujdes për Jetën nëpërmjet meditimit mbi Vdekjen. Këtë prirje të epërme, që përbën edhe paradoksin strukturor dhe të bërthamshëm të mbarë mendimit të tij të shtrirë e gjejmë të shprehur mjaft qartazi në vepra tashmë klasike, si Zëri dhe dukuria (La voix et le phénomène), Shkrimësia dhe ndryshueshmëria (L‘écriture et la différence) dhe Mbi gramatologjinë (De la Grammatologie); fjala është për atë përpjekje për të cilën do të kujtohet gjatë në historinë e mendimit dhe ideve filozofike të njerëzimit, për atë përpjekje që përqendrohej në përpjekjen për të kuptuar se në ç‘mënyrë ajo gjë e brishtë dhe e përkohshme që quajmë "prani" (présence) -- prania e diçkaje që buthton përpara syve tanë, prania e një miku, vetë prania jonë, e ideve dhe e mendimeve tona -- arrin të ruhet dhe të mbi/jetojë si e këtillë. Për Derrida-në, që vozit në vazhdën e Husserl-it dhe Heidegger-it, përgjigja është e prerë: përmes shkrimësisë, përmes kësaj amalgame të formësuar nga ndërveprimi i lëndës me shpirtin, duke sjellë shpesh ndërmend shprehjen latine "scripta manent" ( shkrimësia mbetet.).Prania "fizike" e gjësendeve dhe e njerëzve është kalimtare, fluturake; "njëlloj si lulja dhe njeriu", na sjell në kujtesë një varg tashmë i njohur biblik, "fryn era, e shkul, e rrëmben, dhe s‘dihet se ku është më". Ndërkohë që prania e vërtetë, prania që mbetet, ajo që mund t‘i mbijetojë kohës, janë idetë, të cilat, për të mos u bjerrur dalëngadalë nga harresa fosilizuese, për të mos u tretur së bashku me gjësendet dhe njerëzit që i plazmuan, është e nevojshme që të përcillen tek të tjerët dhe, mbi të gjitha, të shkruhen, t‘i besohen hapësirës së paoksidueshme të shkrimësisë, gjurmëve të saj, asaj lënde shpesh të përçmuar platonikisht nga ana e filozofëve, me qëllim që, ajo që ka qenë e pranishme të mos humbasë, të mos asgjësohet, por të mbi/jetojë si Ide. Kjo mbi/jetesë, kjo përcjellje e ideve përmes shkrimësisë do të përbënte edhe vatrën qendrore të hulumtimit dhe mendimit të Derrida-së, duke shenjuar edhe rikthimin në debatet e kohës të kësaj problematike të shtruar fillimisht nga Platoni. Pa shkrimësinë nuk mund të ketë kujtesë, dhe pa kujtesë, nuk mund të ketë prani të Idesë. Lënda e kujtesës nuk është fizike, por ideore, është sjellje në prani e Idesë që përçon thelbin e realitetit të kujtuar. Madje, lindja e shkrimësisë erdhi si fryt i nevojës për të kujtuar, për të ruajtur të pranishme kujtimin, praninë e një realiteti të caktuar si Ide, çka e zbulojmë të shprehur mjaft qartë tek miti i Theutit të dhënë nga Platoni në faqet e Fedrit, ndonëse parashtrimi i saj bëhet në mënyrë kritike dhe për ta ndëshkuar shkrimësinë si e këtillë. Dhe, në të vërtetë, rreth Sokratit dhe ideve të tij nuk do të dinim asgjë, madje, jo vetëm që nuk do të dinim se u dënua padrejtësisht, por as edhe se kish ekzistuar, në qoftë se Platoni nuk do të kishte shfrytëzuar fuqinë e shkrimësisë për dialogët e tij, pikërisht të asaj lënde ekzistencën e të cilës ndëshkon, përmes të cilës na përcjell imazhin, idetë, por edhe ekzistencën e Sokratit. Prej këndejmi, shkrimësia për të cilën flet Derrida-ja jepet e përceptuar krejt ndryshe nga ideja që pati lëvruar Platoni, ndërkohë që edhe kujtesa (kujtimi) shfaqet konceptualisht e ndryshme: ndërsa për Platonin ky kujtim është kujtesë e një realiteti statik dhe të pagojë (libri i shkruar nuk të jep kurrfarë përgjigjeje, në rast se do t‘i bënim ndonjë pyetje, pohonte Platoni tek Letra e VII), për Derrida-në kjo kujtesë perceptohet si mbi/jetesë, ku shkrimësia, gjurma shkrimore, pjesa e saj lëndësore (imazhive) na paraqitet jo thjesht si bërthamë strukturore e kësaj dukurie të pasvdekjes, por edhe si kusht i pashmangshëm i mundshmërisë së saj për t‘u shfaqur si e këtillë. Në fund të fundit, shkrimësia, na thotë Derrida-ja, e paraqitur përmes gjurmës shkrimore, është ajo masë e lëndës që i bën të mundur pëllumbit të ngrihet drejt hapësirave qiellore, ku krahët dhe ajri ndërveprojnë me njëri-tjetrin si lënda me shpirtin, ndërkohë që në një tjetër hapësirë, pohon: i larguari nga jeta mbetet një i zhdukur, si një njeri që ka humbur udhën e kthimit, duke mos lënë pas vetes përpos se imazhin, idenë, hapësirën e mbushur nga gjeometria e vështrimeve, e perspektivave. Dhe në thelbin tim nuk jam përpos se një imazh, madje, edhe në çastin që pohoj besoren e cogito sum, e di që jam një imazh për tjetrin, sidomos për atë që do t‘i mbijetojë vdekjes time fizike. Dhe Derrida-ja ishte vërtet i këtillë; si një pëllumb i ngjitet qiellit të shkrimësisë, për të lindur në gjirin e saj si ide, si imazh, por edhe si një shtysë për të menduar, për të kujtuar, për të mbijetuar si idepërçues dhe idekrijues, a ndoshta për t‘u hedhur në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës që ka çdo Ide për t‘u shfaqur si e këtillë, siç pati bërë më 1979, kur krijoi "shtabin e përgjithshëm të filozofëve" dhe organizoi tubimin e 1200 filozofëve nga i gjithë globi për të zhvlerësuar ligjin përmes të cilit parlamenti francez ndalonte mësimdhënien e lëndës së filozofisë në shkollat e mesme. Ky ishte, është, dhe do të mbetet Derrida-ja: një Ide, një Liri, një përtejkohësi ynë. Dhe kjo është, ndoshta, mrekullia më e madhe që njeriu krijoi për vete përmes shkrimësisë: përmes lindjes në të, preku gjithëkohësinë.