E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eda Zari: "Ushqehem" me melos shqiptar

Muzika e saj përcjell sa një krijim origjinal, aq edhe një identitet shqiptar. Eda Zari, prej vitesh lëvron suksesshëm muzikën xhaz në skenat botërore. E vendosur në Gjermani, këngëtarja ruan brenda vetes brumosjen që në vegjëli(si pjesë e familjes Lela) me folklorin tonë. Por ky dimension shqiptar, i përthyer artistikisht se ka penguar të komunikojë me një publik të gjerë që adhuron këngët e saj e po ashtu se ka penguar të ngjitet në skena festivalesh botërore, shpesh e vlerësuar edhe me çmime. Së shpejti pritet të nxjerrë në treg një album të ri nga i cili nuk zbulon shumë, por tregon për rrugëtimin e saj muzikor.

Së shpejti pritet të dalë në treg albumi juaj i ri. Çfarë përfaqëson artistikisht për ju ky realizim?

Albumit të ri po i bëhen "lustrimet e fundit". Të ftuar janë edhe dy artistë të mirënjohur të klasikes dhe muzikës së filmit. Në vjeshtë të këtij viti do të nisë një tur promovimi për të. Për momentin nuk mund të zbuloj asgjë më shumë për këtë album.

Këngëtari është vazhdimisht në kërkim të terreneve të reja muzikore. Ku e gjeni ju lëndën artistike për interpretimet tuaja?

Jo vetëm këngëtari, por në përgjithësi njeriu i artit ka tendencën për t‘u vënë në kërkim të së resë. Dhe pikërisht në këtë moment fillojnë të ndahen dhe të përcaktohen udhët e krijimtarisë. Materia e muzikës është një "xhungël" pa fund. Shumica kërkojnë të realizojnë "vepra të mëdha" për të qëndruar në sipërfaqe të saj, gjë që është fare legjitime. Megjithatë, preferenca dhe këndvështrimi im muzikal orientohet te rrënjët e identitetit tim. Lëndët i gjej tek impulset që më ofron jeta ime ditore, aty ku gjërat mbartin jo ndonjë domethënie të veçantë, por janë esenciale për mesazhin tim artistik. Nuk besoj se jam në kërkim të ndonjë "terreni të ri muzikor", sepse kjo e fundit është relative. Natyrisht, unë nuk rri e i vë "syrin diellit". Jam gjithmonë në lëvizje për të krijuar një tingull të ri, me aksente sa më interesante në orkestrim etj. Gjatë një procesi krijues ndodhin të papritura, shpesh të pavetëdijshme, nganjëherë fare aksidentalisht komfrontohesh me ide spontane. Por muzika që krijoj, për mua duhet të jetë sublime për shpirtin dhe jo të humbasë kohë duke rrëmuar për të "renë" nëpër fushat nirvana.

Jeni cilësuar si një nga zërat më të mirë të muzikës xhaz. Më tregoni diçka për "dashurinë" tuaj ndaj kësaj gjinie, ngacmimet e para deri tek afirmimi si një këngëtare profesioniste...

Tingëllon bukur të thuash "dashurinë" për këtë gjini, por unë nuk do ta quaja të tillë. Ishte më shumë një "uri", një "etje" muzikale për të lëvruar në zhanrin e "Jazz music" (përherë duke pasur parasysh mundësitë e kufizuara dhe tabelat "Stop" në kohën e PPSH-së në Shqipëri). Rrija ashtu e gozhduar, mund të kem qenë 7-8 vjeç, pranë ekranit të televizorit "Iliria" dhe shihja te kanali i "Rai Uno-s" (kuptohet në bardhezi) një vajzë të vogël me dy gërsheta, e gëzuar dhe në shportë mbante një qenush të vockël çapkën... Më pas vajza u mërzit dhe në mërzitje e sipër, midis dengjeve të kashtës filloi të këndojë "Somewhere over the rainbow", në shqip "Diku përtej ylberit (balada e filmit "Magjia e Oz" 1939- me muzikë të Harold Alen dhe text të E.Y Harburg kënduar nga vogëlushja me zë magjik, e madhja Judy Garland). Diku përtej ylberit, larg ...është një vend për të cilin kam dëgjuar në përrallë...përtej ylberit zogjtë fluturojnë, atëherë pse nuk mundem dhe unë...

Ajo më ngjante mua ose unë asaj,( ndoshta duket naive)por kjo ndjesi më kishte pushtuar. Megjithëse unë atëherë nuk kuptoja përmbajtjen e këngës, me atë shpirt të vogël muzikal që më lëvrinte si krimbac, ndieja që vajza ëndërronte (ashtu sikundër dhe unë). Aspekti tjetër, edhe sot e kësaj dite kam bindjen se ishte lirizmi baladesk, bazuar në një harmoni të panjohur, por për mua mjaft familjare, që bëri çudira tek unë. Artistja e vogël qe rritur dhe ishte tashmë një super, superstar në Hollivud, një legjendë. Nga ai moment, ajo u kthye heroina e ëndrrave të mia, e cila me himnin e saj më shpalosi një horizont të ri muzikal. Kënga bazohet në skemën e Jazz Standarts, si dhe formën klasike kompozicionale të "musicals"- amerikane. Në vitet që do të pasojnë unë do të përjetoja impakte si: Billie Holiday, diverse Jazz koncerte të Duke Ellington Big Band, Ella, Nat King Cole dhe shumë filma dokumentarë mbi evoluimin e muzikës së xhazit inovator me Chet Backer, Miles Davids apo Herbie Hanckock,(me të cilin në 2001 në të njëjtën natë "ndava" skenën e Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit në Vjenë) emisione të cilat i hasja nëpër televizionet e fqinjëve tanë jugosllavë apo italianë. Kështu që "uria" për këtë stil, në vite u kthye në oreks. Me albumin tim të parë "The art of time" filloi udha ime profesionale në botën e muzikës xhaz. E kam nënvizuar dhe e përsëris, unë asnjëherë nuk kam pretenduar ose nuk e kam konsideruar veten si një këngëtare xhazi. E them këtë të fundit, sepse rrënjët e mia muzikale kanë tjetër origjinë, ngjyrë, tjetër frymë muzikale, paçka se në repertorin tim ndihet nëpërmjet orkestrimeve, përzgjedhjes së formacionit ekzekutiv, shpirti i improvizimit, mënyra spontane interpretuese, apo influenca të ndryshme harmonike apo ritmike të xhazit. Muzika xhaz është tepër komplekse dhe nuk mund ta fusësh në një sirtar të emëruar. Ndoshta dhe unë dua të "rebeloj" kundër këtyre titujve përkëdhelës!

Këngët popullore shqiptare kanë qenë një frymëzim i vazhdueshëm për ju...

Polifonia e jugut, këngët e vajit dhe shumë balada të eposit të rapsodëve, duke mos lënë mënjanë jaret e magjishme shkodrane apo perlat e valleve dhe motivet e Shqipërisë së Mesme janë shumë të çmuara, të shtrenjta dhe një thesar i gurrës sonë popullore. Unë jam rritur në këtë oaz të pafund inspirues. Aty gjetën tabanin e duhur dhe titanët e muzikës sonë klasike si Prof. Çesk Zadeja, Tonin Harapi etj., ku "xhonglonin" me ritmet e thyera e të përziera, të përkryera deri në detaj. Pa dashur asnjëherë të spërkas nota patriotike në këtë të fundit, por kudo të shkosh dhe sado ekskursione apo eksperimente muzikale të ketë lënë pas shpine një muzikant, artist, dikur herët a vonë do të zgjohet zëri i brendshëm që të bën t‘u kthehesh rrënjëve. Frymëzimi shpesh më çon në nostalgji (ndodh që kjo e fundit të bëhet pengesë, sepse automatikisht mund ta bëjë krijimin të rrëshqasë në "Kitsch") ndaj dhe punoj që mos orientohem nga ky shpirt, por të nxjerr një esencë elegante muzikale nga ana stilistike, me të cilën unë rehatshëm mund të identifikohem.

Cilat janë këngët më të dashura shqiptare për ju? Çfarë vlerësoni më shumë në to?

Janë të shumta, por njërën prej tyre do veçoja: "N´penxheren e zotëris sate"! Do thoni pse pikërisht këtë këngë? Asgjë nuk është vërtet më e vështirë sesa e thjeshta. Kjo këngë i dedikohet temës më të lashtë, por dhe më aktuale të jetës: dashurisë dhe bukurisë së femrës. Është një ndër ekzemplarët e gjuhës instrumentale -vokale të repertorit të moçëm përmetar. Është gati-gati një udhëtim muzikal i shoqëruar nga interpretimi subtil i klarinetës, ndërtuar mbi njohuritë muzikale dyqind apo mos më shumëvjeçare, ku vokali joshës i këngëtarit e përcjell dhe na e sjell deri te bota jonë e sotme intime! Teksti është i përkryer, elegant dhe plot metafori erotike. Në disa momente më duket sikur është "motër" me ndonjë blues free ballade, sepse kënga këndohet vetëm për kënaqësi, kornizohet nga Iso, dhe shoqërohet nga një bordun instrumental( lahuta, klarineta, violina, firzamonika dhe darja e lirë). Më ngjan një kryevepër kur e dëgjoj të interpretohet nga i madhi Myslym Lela (gjendet në albumin e titulluar "Polyphonies vocales et instrumentales d‘Albanie", edituar nga Label Bleu- Paris).

Sot tregu muzikor botëror është shumë kompleks, promovues, por edhe kërcënues për shumë muzikantë. Ndiheni ju e plotësuar artistikisht brenda këtyre zhvillimeve?

Momentalisht ndihet kudo një krizë totale, e cila ka prekur artin dhe muzikën etj. Në industrinë e muzikës mbretëron prej kohësh komercializmi dhe instrumentalizmi. Por koha të regj dhe "kërcënimet" janë pjesë e saj. E plotësuar? Kjo është relative. Kur mund ta quajë veten të plotësuar një artist? Ai është përherë kritik, maniak dhe kërkues në maksimum ndaj vetes. Ndërsa me zhvillimet e cituara nuk mund t‘i konceptoj si të tilla.

Ju jetoni në Gjermani, por interpretoni në shumë vende të botës. Në cilin publik ndiheni më mirë?

Dihet se "MEKA" e Jazz Music është USA, por në pesëvjeçarin e fundit ndihet dukshëm një multisimpati ndaj xhazit në vendet skandinave. Ky interes është pasuar me një nivel mjaft autentik të ekzekutuarit nga shumë banda të reja të xhaz, funk ose new wave music.

A ka një sekret për të bërë muzikë të bukur?

Më falni që po e përsëris veten, por po e theksoj edhe njëherë se asgjë nuk është vërtet më e vështirë sesa e thjeshta. Kam dobësi për minimalisten.

Duket se keni marrëdhënie pak të largëta me aktivitetet artistike që realizohen në Shqipëri. Ka arsye?

Jo, aspak. Arsyeja është fare e thjeshtë. Në dhjetor të 2007-s u bëra për herë të dytë nënë. Pas 13 vitesh së lindjes së djalit të parë, linda djalin e dytë dhe këtë herë doja t‘i dedikohesha fëmijës dhe ecurisë së tij, me shumë kohë, me shumë përkëdhelje, shumë më shumë përkushtim. Për këtë arsye në dyvjeçarin e kaluar në axhendën time kam realizuar vetëm koncertet e kontraktuara që ishin planifikuar më përpara. Nuk mora asnjë kontratë të re deri në fund të 2008-ës. Unë vij me kënaqësi në mëmëdhe, me dëshirën që i ngjason një artisti i cili kërkon të ndiejë rehatllëkun e shtëpisë së vet. Nga ana tjetër nuk dëshiroj t‘i përkas asnjë klani të caktuar medial apo të kthehem në një figurë që përfaqëson interesa të çuditshme të një grupi njerëzish. Shpesh arti në Shqipëri ballafaqohet me një mediokritet të papranueshëm. Shumë artistë e vetëgjejnë veten në një situatë anakronike dhe kjo e fundit pengon zhvillimin e asaj që është më se esenciale: realizimin dhe shpërfaqjen e lirë të talentit dhe mesazhit artistik. Artit tim unë i vë vetëm vulën time dhe vetëm asaj i përkas. Këtë liri e kam fituar me djersën time dhe nuk bëj pazar me të.

Jeni cilësuar ambasadore e kulturës shqiptare. Cili është mesazhi që ju dhe kënga juaj mbart?

Jam mirënjohëse për këtë titull, megjithëse gjenden shumë shqiptarë nëpër botë që kryejnë këtë rol edhe pa qenë të titulluar apo "graduar" si të tillë. Ndaj nuk më pëlqen të kapardisem pa vend me këtë titull. Repertori im nuk mban ndonjë mesazh të përkufizuar për arsye të kësaj të parës. Por në një kohë si e sotmja ku globalizmi dashur pa dashur u ka rrëmbyer shumë kombësive identitetin, unë mundohem me artin tim të marr nga gjithë ato ç‘kam trashëguar muzikalisht nga fëmijëria ime, romantizmin dhe melosin shqiptar, motivet dhe ritmet e këngëve të qëmoti, kryelartësinë dhe krenarinë por jo të sëmurë ndaj folkut tonë. Megjithëse një përqindje e madhe e teksteve të këngëve të mia janë në shqip, fryma muzikale i bën ato të kuptueshme para çdo publiku. Kjo më lumturon.

Ju jeni diplomuar për soprano lirike. E mendoni në të ardhme skenën e operës?

Gjatë kohës së studimeve, si dhe pas diplomimit tim për degën e kantos (primare) dhe dramës në Konservatorin e Kölnit, Gjermani, kam qenë e angazhuar me 6 projekte skenike (te "Freischütz" të Carl Maria von Weber, një nga shoqet e Agatës; si dhe te "Rrëmbimi nga Sarajet" në rolin e Blondches), dy angazhime te musical "Beauty & Beast", si dhe musical "Mass" e kompozitorit Leaonard Bernstein, për të vazhduar me dy opereta. Te kjo e fundit, një rol kokete. Por unë kërkoja më shumë. Doja të isha vetë Ali, vetë Kadi, në jetën time artistike. Dhe këtë luks ia kam krijuar vetes. Skena teatrale klasike ka spektakolaren dhe botën e saj, të cilën e kam shumë për zemër. Por kjo etapë është tashmë një "passe"! Nuk e përjashtoj veten nga çdo projekt interesant. S‘ka vend për hezitim, vetëm trokisni.

Deri ku shkon ambicia e Edës?

Nuk do doja të flisja për ambiciet, por për dëshirat dhe pasionet. Fotografia është muza ime. Më rrëmben në inspirime dhe shpesh më fut në meditim. Gjithashtu dua të njoh më shumë magjinë e fjalës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›