E Diel, 1 Nëntor 2026

E kaluan urën, çdo bëjnë me kuajt

/>Nga Xhevahir TAHIRAJ
Formalisht u mbyll edhe kleçka ngecje e vendit dhe u rregullua vrima e zezë që u hap në Kushtetutë. Kushdo që sadopak thellohet në këto pehlivanllëqe të të mëdhenjve Berisha-Rama-Rama e merr sinjalin e zgjedhjeve të ardhshme sa të lira, sa të drejta, sa të ndershme, sa transparente do të jenë ato. Nga e gjitha kjo zhurmë, rebelim e demonstrim kundërshtish, kuptohet se lidhjet e marrëveshjet e dyshes janë të thella, të pista e të pandalshme. Rëndësi ka që të dy të mëdhenjtë kanë ende frikë, janë ende të pasigurt, kanë trishtim e panik të brendshëm që sa vjen e do tu rritet e ashpërsohet deri në konkluzione gjatë fushatës. Gurët e mullirit B-R do të vendosen në mes për të bluar çdo forcë politike që do dalë nga rreshti i tyre. për demokracinë, ky kod është sa turp aq edhe fatal, është një kthim prapa, një shou alla ballkanas, gjellë tradicionale me tërë parametrat brenda. Ndaj nuk janë larg 6 muajt dhe ne do shohim reminishencën e fushatave, mitingjeve, rrahjeve, rrëmbimit të kutive, ose marifeteve të tjera tamam si në 1992-dhe 1996. Edhe shpresën te ndërkombëtarët e shuan qëndrimi i deritanishëm, thjeshtimi dhe vulgarizimi i sherrit kod zgjedhor në çështje teknike. Tani nuk bëhet më fjalë se kush do të fitojë. Dy të mëdhenjtë brenda janarit e vendosën atë dhe ne do ta lexojmë në premtimet, mburrjet, karshillëqet, krekosjet e kanosjet e tyre. E tërë kjo tragjikomedi për popullin e demokracinë i ngjan asaj ndodhie që një miku im nga labëria më tregonte: Ishte vendosur fati i luftës dhe ishte dalluar forca e parë- tregonte ai- por gjyshin tim që anonte nga Balli Kombëtar e pyet komisari i çetës:! Po tani çdo thuash, kush do të fitojë?- ju do të fitoni- i thotë ai, por edhe Balli nuk do të humbë!
Tamam zgjedhjet e ardhshme nuk do të kenë të fituar, por as të humbur. Po pati të humbur, ai dhe i vetmi do të jetë populli, në rast se u jep pushtet dy të mëdhenjve që dukshëm po evidentohen të pangopur me pushtet dhe diktat. Deri tani kemi tre protagonistë në politikë. Dy e kanë kaluar urën, madje kaluar dhe shohin të tretin që i ka hyrë lumit më këmbë. Nga dy të mëdhenjtë njëri është në krye të sofrës, ai e ka vetëzgjedhur riskun dhe e vetëpret pjatën plot. Por ata kanë edhe halle dhe kontradikta. Të dy kërkojnë dorë të fortë, pushtet të pakufizuar ndaj veprimet e tyre ngjajnë sa të Ahmet Zogut aq të Benito Musolinit, sa të masonëve, aq të islamikëve. Deri diku humanizmi dhe terezia ua prishin ca gjëra të vogla, por që i kanë të përbashkëta. Të dy kanë satelitë dhe kometa. Satelitët i kanë të përcaktuar, edhe orbitën, edhe kohën e rrotullimit. Kështu, ato vazhdojnë rrotullimin tradicional. Djathtas Starova, Pollo, Lesi, Xhuveli, Godo-Mediu u jep garanci edhe kodi. Po ashtu, edhe Milo-Gjinushi, Velia u plotësohen orekset majtas. Por halli është te kometat që hera herës dalin nga orbitat planetare si Ndoka, Dule, Koçi, Shehi, Ngjela, disa nga shoqëria civile për të cilët duhet përpunuar ose plani i institucionalizimit me fonde me atribute ose
leksione këshillimi demokratik të rrinë urtë. Nuk mjafton kaq por belanë e shtojnë edhe grerëzat. Brenda formacioneve që hedhin idera, mendime, apo bëjnë lëvizje që nuk u shkojnë për shtat as për oreks të mëdhenjve. Ndaj të dy të mëdhenjtë e kanë filluar fushatën me sloganet Shqipëria në NATO, Shqipëria po ndryshon, Shqipëria kantier, madje monopol e energjisë bërthamore, Tolerancë zero ndaj korrupsionit, etj., etj. Edhe tjetri dialog nëpër Shqipëri me politikë të re, me politikë ndryshe, që po qajmë hallet, po njohim me të vërtetë krizën e thellë. Mirëpo shqiptarët si ahengun nuk e nisin shpejt, para dasme., as varrimin nuk e shtyjnë nga ora e shpirtit. Kështu që shenjat e lodhjes dhe ngjyrat e imazhit bashkë me bezdisjen e gjerë e kanë brenda riskun e fushatës së ardhshme. Dhe tani nga kjo lojë e dy të mëdhnjve ne po gëzojmë një politikë virtuale, pazaro-konsensuale, marrëveshjesh-kontraktuale. Pluralizmi u hibridizua dhe demokracia po homogjenizohet. Tirania e ligjeve të shumta tirania apo pangopësia e pushteteve mbi institucionet, duke gjetur dyer të ndryshkura të opozitës shkatërroi demokracinë. Edi e dha dhuratë çelësin e opozitës, kodin e seriozitetit dhe vullnetit të socialistëve gjithmonë në ruajtje të demokracisë dhe për inat të Tosit që dha presidentin, i lëshoi të gjitha institucionet. Tani mjeshtri tallet deri aty sa u kujton edhe sterilitetin e kokrrave që ai ua paska hequr. Mirëpo çifti Berisha-Rama ngjan shumë edhe në përzgjedhjen e ekipeve. Ata penalizojnë kundërshtarët, kërcënojnë rebelët, përçmojnë fjalën e lirë dhe njerëzit e guximshëm. Ndërsa njëri fyen e shan jashtë çdo norme etike qytetare, tjetri përjashton e pështyn me kulturën e goditjes dhe harresës në mënyrën më të kulturuar bizantine. Filozofia e qëndrimit i tradhton sikur kanë lidhur krushqi apo miqësi çifligjesh, monopolesh apo tortash. Por kjo kaq hapur as duhet të jetë e vërtetë dhe as mund të bëhet përballë fundit të karrierës së tyre. ndaj ata e gërvishtin njëri-tjetrin edhe me të vërteta edhe me mufka të radhës. Edhe pse ngjarjet e mëdha e të rënda të mazhorancës po i merr 2008, edhe pse lëvizjet e vogla e naive të opozitës për ti zhbiruar ato duken si të harruara, memoria popullore në apelin e fushatës do përcaktojë. Sepse vlerat e shfaq karakteri por i peshon veprimi dhe shërbimi ndaj shoqërisë. Ka ardhur momenti që njerëzit ti thërrasin arsyes. Para të keqes njerëzit gjithmonë janë bashkuar. Bashkimet kanë hequr zgjedha e kanë përballuar kriza. Ndër elementët e arsyes dalin të parat besimi dhe respekti: Të dyja janë binjake që lindin e rriten në shpirtin e njerëzve dhe reflektojnë mirëkuptim dhe dashuri. Parlamenti gaboi që nuk e përfilli të tretin, Metën. Për fatin tonë të mirë, Rama bëri mirë që e çoi inatin e tij deri në fund, duke nxjerrë panikun e tij për rritjen e Ilir Metës në faktor përcaktues për qeverisjen e ardhshme. Edhe lëkundra e Berishës për të lëshuar ndaj të tretëve përveçse shpreh pasiguri, është edhe pikat djegës në çorbën e të majtës. Tani sa më shumë ta sulmojnë Ilirin, ta denigrojnë, kryqëzojnë apo bllokojnë atë, aq më shumë do të rritet e forcohet besimi dhe respekti për atë. Takimi i të urtëve që do të thosha i të mirëve, i të respektuarve popullorë nuk është dorë e shtrirë, as tërheqëse as humbëse e Ilirit, por një xhest burrëror, sinqeriteti dhe qëndresë dinjitoze ndaj një mazhorance të ashpër e qeverie krizash si dhe ndaj një opozite të nëpërkëmbur e të nënshtruar që e përçarë do të hyjë me frikën sa e lepurit në zgjedhje. Kësaj i thonë: O balo të hëngërt tënja, se e ke të keqen brenda.                          
              

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›