A do të mbështetet nisma e 17 Janarit nga institucionet e kultit...?
Fillimisht, duhet thënë se historia e individit shqiptar kundrejt fesë dhe Zotit pa dyshim që për shkaqe krejt konkrete gjeo-politike dhe gjeo-kulturore ka pasur luhatje dhe zhvillime krejt të ndryshme ndaj të njëjtës dukuri realizuar te kombet fqinje në rajon.
Cilido që e pranon rolin pozitiv dhe të rëndësishëm të fesë dhe besimit ndaj Zotit kundrejt individit dhe shoqërisë, parimisht pranon gjithashtu se edhe relacioni i individit shqiptar me këto institucione të rëndësishmes, edhe për shkak të një historie të gjatë ateiste, duhet të jetë më i dobët në shtetin amë (Shqipëri) si kundrejt pjesëve të tjera të kombit ashtu edhe kundrejt kombeve të tjerë rajonalë.
Apriori, secili nga ne e kupton se institucioneve të kultit në Shqipëri u ka rënë një peshë e madhe për të rindërtuar në baza të mirëqena këto lidhje me individin shqiptar dhe institucionet e tjera socio-politike të këtij shteti të zhvilluara në një rrugë me një mijë pengesa deri në rikthimin e të drejtës për të besuar lirisht në fe dhe Zot.
Sigurisht lidhja individ - fe - Zot dhe individ - Zot - fe është më e vlefshme kur trajtohet kundrejt atyre të cilët nuk shkojnë në kishë apo xhami për një thes me ndihma (fenomen krejt njerëzor dhe i justifikuar), por për të marrë dhe dhënë mesazhe socio-filozofike dhe hyjnore të cilat nuk u vlejnë vetëm atyre, por edhe familjeve përkatëse dhe në fund edhe vetë shoqërisë!
Për ta bërë këtë lidhje sa më efektive, pa dyshim që institucionet e kultit duhet që të kenë instrumente të nevojshme dhe një aksion ndëraktiv të efektshëm me individët dhe institucionet laike të cilat ndihmojnë për një ekuilibër më të mirë të vetë individit me institucionet e kultit dhe pa dyshim me shoqërinë dhe shtetin si rregullator i të gjithëve dhe të gjithave...
FDE-ja dhe një nismë e veçantë që vjen në vëmendjen publike…
Forumi për Demokraci dhe Etikë (FDE) së fundi është shfaqur publikisht me një nismë disi krejt të veçantë socio-politike dhe filozofike gjithashtu. FDE-ja si organizatë ose lëvizje politike në përmbajtje, por jo në formë (siç edhe e interpretojnë ata vetë dhe ku në fakt bëjnë pjesë drejtues të rinj të angazhuar në parti të ndryshme politike) ka vendosur të kontribuojë për të lehtësuar dhe inkurajuar dialogun mes faktorëve kryesorë politikë në vend.
Këto vajza e djem të rinj, idealistë edhe pragmatistë midis tyre, në mënyrë që të arrijnë një konsensus mbarëpolitik i cili të ofrojë zgjidhje dhe konkretisht edhe zgjedhje më të mira për shqiptarët, duke iu referuar një date historike si ajo e 17 Janarit (dita kur ka ndërruar jetë Heroi Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu) i bëjnë thirrje pjesës politike dhe jopolitike të kombit të reflektojnë dhe rrezatojnë vullnet pozitiv që politika të jetë më e përgjegjshme ndaj të ardhmes së përbashkët me shoqërinë.
FDE, institucion publik, parimisht laik, u kërkon njerëzve të thjeshtë apo përfaqësuesve të tyre politikë, pa dallim feje, ideje, krahine apo partie, të ulen në gjunjë para Zotit (të Cilin sigurisht jo të gjithë e besojnë apo të paktën e konceptojnë njësoj ekzistencën e Tij ) dhe të luten për paqe dhe dashamirësi, fisnikëri dhe dinjitet.
Ata në thelb po kërkojnë publikisht që drejtuesit politikë të vendosin vendin përmbi partitë, të vendosin interesin publik mbi atë personal dhe të dëgjojnë e kujdesen njëkohësisht për qytetarët e tyre.
FDE, nëpërmjet kësaj nisme që do të realizohet parimisht më 17 Janar 2009 e ka konceptuar si Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar, duke synuar që qytetarët shqiptarë së bashku me politikanët (por këta të fundit në cilësinë e qytetarit) të luten para Zotit dhe të reflektojnë me ndërgjegje të plotë për një Aleancë të Madhe Mirëbesimi, e cila sipas të gjithëve ne rezulton pa dyshim e munguar veçanërisht në politikën tradicionale shqiptare…
A do t’i bashkohen institucionet e kultit kësaj nisme?
Personalisht jam i sigurt që dikush që është semplicist në formimin e tij, pa dyshim që mund ta përkufizojë një iniciativë të tillë si utopike! Individët e tillë që pa dyshim janë të shumtë në numër, apriori janë të falur për këtë, sepse sipas një teorie idealiste... nuk dinë çka bëjnë!
Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për komunitetet fetare dhe veçanërisht drejtuesit e tyre... kur të paktën dihet se relacionet fetare me individin ndërtohen në atë që quhet institucioni i besimit... Personalisht, gjykoj se frika e disa drejtuesve religjiozë të cilët në mënyrë sipërfaqësore i druhen “përzierjes” me lëvizje politike, për këtë rast rezulton e pajustifikueshme totalisht.
FDE, e palëkundur nga debati i fundit publik ndaj figurës dhe kontributit të Heroit Kombëtar, sipas këndvështrimit të tyre të gjetur duke nënvijëzuar faktin se Gjergj Kastrioti u lind nga një nënë ortodokse, u rrit si mysliman dhe qeverisi si katolik, kërkon të gjejë tek dimensioni i tij gjeopolitik dhe historik simbolikën e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare dhe ndërpolitike të mbarë shqiptarëve.
FDE pa dyshim që këtij këndvështrimi politik i ka shtuar edhe atë socio-filozofik ndaj Zotit i cili në traditën monoteiste fetare të kombit shqiptar ka rezultuar mjaftë pozitiv, ndaj kanë kërkuar që më 17 Janar 2009 gjatë gjithë ditës besimtarë të ndryshëm të bashkohen dhe luten në sheshin “Skënderbej” apo edhe nga shtëpitë e tyre...
Kështu pra, projekti i Forumit për Demokraci dhe Etikë do të kontribuojë realisht edhe ne forcimin e institucionit të besimit, por... sipas burimeve nga FDE-ja, nuk dihet ende nëse vetë institucionet e kultit dhe veçanërisht drejtuesit e tyre do të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrë të institucionalizuar. Nëse jo..., për ta nuk mund të thuhet: “Fali o Zot se nuk dinë çka bëjnë...!