“Rama”, një institucion kryesisht, një publikisht
Në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, që nga 16 marsi i vitit të shkuar, kur mungojnë dhe dy muaj të bëhet një vit, tre lajme sundojnë, ajo në ngarkim të ministrit Lulzim Basha, çështja “Fazlliç”, çështja e Gërdecit dhe fjalimet e Ina Ramës në dy analiza apo një intervistë e saj në BBC. Me pak vëmendje vë re se kjo nuk është veçse një faqe hetimore politike, ku katër lajme janë për Gërdecin, dy për deputetin e mazhorancës pa imunitet Lulzim Basha, një për Fazlliç, pra gjysma e njoftimeve shkojnë si lajmërime për çështje, ku mazhoranca është në akuzë për shkelje, abuzime, korrupsion. Pjesa më e madhe e këtyre ngjarjeve me aq sa janë edhe bërë publike kanë nisur si hetime kryesisht, duke mbetur prej afro një viti në një gjendje konstante me veprime hetimore jopërmbyllëse. Nuk ka asgjë jokorrekte në publikimin në faqen zyrtare të këtyre lajmeve, paçka se kanë edhe peshë politike, pasi më herët të gjitha këto njoftime, unë së paku i kam lexuar jo vetëm te “Zëri i Popullit”, por edhe në media të tjera të shëndetshme financiarisht, që lidhur me këto ngjarje, i ngjajnë asaj ndjeshëm. Ky model nuk është konflikt interesi, por bashkim interesash njerëzish që janë përfshirë politikisht, qoftë në parcela partiake apo institucionale, dhe media është mënyra më e mirë për ta thënë me dhe pa zë. Ina Rama pa dashjen e saj, por me dashjen e ngjarjeve, është pjesë e një përplasjeje të dosjeve, që konvertohet në institucionale, por që nuk kanë standard të njëjtë vëzhgimi, ndonëse kanë përmbajtje të përafërt penale.
Zemërata e akuzës është mbërthyer nga jopavarësia, edhe për faktin se ligji i lustracionit atakon hetues e prokurorë që kanë një të shkuar problematike, që nuk përputhet me detyrat, e kjo nuk i vë ata me gjithë hierarkinë që kanë si përfaqësuesit e duhur. Askush nuk ka cenuar, urdhëruar, apo përjashtuar, të drejtën e Prokurores së Përgjithshme për t’u deleguar kompetenca prokurorëve që janë në trupën e mbi 300 prokurorëve të paatakuar nga askush si pjesë e Sigurimit të Shtetit. Një mik i huaj që jep asistencë ligjore në Shqipëri më tha këtu e pak kohë me parë se ju keni juristë shumë të zot, të aftë, të specializuar në Perëndim, sepse dikur i kishit të shkolluar në Leningrad, Stalingrad, Moskë, thjesht në selinë e komunizmit, nga ku u importuan mijëra bela të tjera për vendin tonë. Profesionalizmi i tyre është vërtet për t’u pasur zili dhe mes tyre jo vetëm unë di emra që janë larguar nga detyra, sepse “reforma” në gotë nuk i pëlqeu. Por pikërisht tek ata që janë në detyrë, mund të përzgjidhen plot për të marrë në duar çështje të rëndësishme, që i hetojnë, pavarësisht ngarkesave politike që kanë në përmbajtje. Duke mos u treguar fort të matur ligjërisht, institucioni i “Ramës”, jo kreut të PS, por të akuzës, ka devijuar në përballje dhe kërkon çuditërisht që në çdo dalje publike për të deklaruar një përfundim apo pretendim, të ketë dëgjuar më parë trupin diplomatik, përfaqësues të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Kjo ndjenjë varësie e bën atë të ngathët në mijëra punë që ka ky institucion për të përfunduar. Nuk duhet lënë në harresë se sëmundja më e plakur e drejtësisë, duke e përfshirë në këtë mes Prokurorinë, është Nepotizmi, që më pak kureshtje nxjerr emra kushërinjsh, motrash, vëllezërish, krushqish, që për nder janë punësuar duke ngjizur një rrjet që ka nisur të prodhojë dëm.
Por duke iu kthyer me kujdes dhe një argumenti tjetër, nuk mund të lë pa përmendur ngjarjen që pritej nga ndërrimi i qeverisjeve dhe që njerëzit kanë doza jo të pakta zhgënjimi, është lufta ndaj korrupsionit që përsëri ka mbetur anemike në disa e prej disa institucioneve.
Kryeministri Sali Berisha përmendi se janë qindra dosje në prokurori që përgjumen e që i përkasin së shkuarës. Ai falënderoi prokurorinë që ka hetuar e dërguar për gjykim zyrtarë të qeverisë së tij, që janë akuzuar për ligjshkelje.
Por Prokuroria e Përgjithshme duket se e ka ndarë mendjen të jetë kryesisht në punë, vetëm për ca dosje, të cilat janë dëshirë e majtë, që të zhurmohen, ndonëse brenda tyre mund të mos ketë elementë të veprës penale. Më ngjan se më tepër lexoj çështje, lajme, hetime, apo prag-hetime në shtypin e majtë sesa në njoftimet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të përveçme. Në dosje të përmendura dukshëm dhe që kanë marrë reagimin e prokurorisë, gjykata i ka zhvleftësuar me vendime në mënyrë të përsëritur, duke na ngritur dyshime që më parë nuk kanë qenë në këtë përmasë e në këtë pozicion. Fakti qëndron në adresën e qartë se ngutja e prokurorisë po prodhon çështje që duan të përcjellin kosto politike në një kahe, ku ofrohet mbështetje e përkohshme, besueshmëri parlamentare e marrjes së detyrës, që ka ndërruar origjinë dhe jo dëshirë të bërjes dhe më pas dhënies së drejtësisë. Pavarësia e këtij institucioni të rëndësishëm është mirë të jetë gjithnjë e më pranë së vërtetës dhe kur “Ina Rama” shkon në gjykatë nuk duhet të kthehet pas, vendim ndryshe nga pretendimi, duke lënë të kuptojë se akuza e kishte mire. Ka një gjykatë, që këtë herë në nivele të ndryshme, në shkallë të parë e të dytë, ka treguar se prokurorët me tepër janë “detyruar” të paraqiten atje sesa kanë ndarë mendjen së bashku me dosjet.
Nuk është e pamundur të nisësh kryesisht një hetim për deputetin Tom Doshi, kur shtypi ofron pafundësi ngjarjesh që përbëjnë elementë të veprës penale. E nëse jo, Rama mund të shohë për pak minuta që në adresë të këtij deputeti për biznesin e “Profarmës” ka një dosje në Prokurorinë e Përgjithshme, që është mbyllur çuditërisht shpejt e me ngut. Jo vetëm kaq, por deputetë të PS-së janë mbushur me pjesë dosjesh, që dalin nga prokuroria dhe i nxjerrin në konferenca shtypi, e kjo provohet se është mirëdashje e akuzës, sepse dosjet nuk kanë shkuar ende në gjykatë, ku rrethi i bamirësve dhurues dokumentesh të jenë gjykatësit e avokatët. Kjo shkelje e pahetuar nga Ina Rama nuk ka thënë publikisht se deputetët socialistë i ka thirrur e pyetur se përse cenojnë sekretin hetimor, ose ndoshta t’i falënderojë se po i plotësojnë dosjen nga selia e opozitës. Dhe shumë gazetarë kronike të gazetave dhe televizioneve, kanë në arkivat e tyre shkrime, pjesë dosjesh të qeveritarëve të majtë, politikanë, deputetë e ministra të akuzuar, kanë lajme që i kanë marrë nga dosjet që janë në Prokurorinë e Përgjithshme, sepse i kanë marrë nga ata që janë vartës të Ina Ramës sot, e që duhen falënderuar për bashkëpunimin me ne, por janë lënë mënjanë, sepse përpara kemi zgjedhjet, e na duhen këta që janë në pushtet mbase. Mos vallë numri një i akuzës ka frikë se po të hapë dosjet e deputetëve të majtë, e humbet mundësinë për të qenë në krye të detyrës, se mund të votohet shkarkimi i saj? Nëse po, më mirë ta bëjë, sepse kështu ka provuar pavarësinë e saj dhe me këtë veprim do ta mund ligjërisht, moralisht dhe në çdo formë Parlamentin në tentativën e parë. Nëse jo, do të shndërrohet në prokurore të përveçme, e për më tepër një prokurore që ka humbur shumë vota popullore, atë të shpresës se juristja e aftë e premtuese do ta niste aty ku e la Theodhori Sollaku, e jo të kthehej pas, që nga ardhja në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.