E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pavërtetat e sigurta të njeriut modern



Shoqëria e konsumit si modeli ekzistues i shoqërive që prej shekullit të 19-të e deri më sot, si çdo periudhë apo fazë e historisë njerëzore, mbart mbi vete avantazhet dhe dobësitë e veta. Nën një vështrim të ngushtë ekonomik, mirëqenia dhe dobia ekonomike kanë arritur majat e veta më të larta për masat e gjera të njerëzve dhe jo vetëm për më të pasurit. Tregu i lirë ka bërë të mundur që shumica e njerëzve të mos jetojnë në varfëri, por të kenë akses në mallra dhe shërbime, që kurrë më parë nuk kanë qenë të arritshme si sot për punëtorin, mësuesin, punonjësin e bankës apo edhe për një burokrat të thjeshtë. Dhe nëse nuk arrijnë të kenë këto të mira materiale në vendin ku jetojnë, kanë më shumë mundësi se më parë ta gjejnë mirëqenien diku tjetër, falë lirisë në rritje të lëvizjes. Por kjo “begati” nuk shfaqet vetëm në botën materiale, por edhe në atë politike. Si asnjëherë më parë, individët e kohës sonë janë të lirë të zgjedhin qeverinë që dëshirojnë, të lexojnë gazetat që duan, të thonë mendimin e tyre në emisione të tipit “vox pop”, në televizione, forume interneti apo sondazhe. Të grumbullohen në shoqatat që u pëlqen, për të mbrojtur të drejtat e tyre apo të kërkojnë ato kur u cenohen. Tek e fundit mund të zgjedhin të bëjnë ç’të duan me vullnetin e tyre të lirë, pa cenuar të njëjtat të drejta të patjetërsueshme të të tjerëve. Por liria politike dhe ajo ekonomike janë të lidhura pazgjidhshmërisht me aktivitetin ose jetën publike të njeriut.

Pra, si asnjëherë më parë, individi e ka shtrirë ushtrimin e vullnetit dhe zgjedhjes së lirë në çdo sferë të aktivitetit njerëzor. Dhe si rrjedhim nuk ka si mos të shtrihet kjo hapësirë e re veprimi e pamatë, edhe në rrafshin moral. Dobësimi i rendit moral që shtrëngonte dekada a shekuj më parë veprimin njerëzor në rrafshin e “çështjeve të jetës”, ka sjellë zgjerimin e asaj që rëndom quhet “liri e zgjedhjes”. Sepse individi i sotëm përfiton mundësinë që i ka krijuar vetes për të mos qenë “skllav” i një jete të shëndoshë besimtare, që përkthehej më pas në kufizime ligjore që janë rrëzuar jo në pak raste. Si për shembull, ndalimi i martesës mes personave të të njëjtit seks, divorcit, abortit, legalizimi i drogave etj. Në këtë përmasë të re të zgjerimit të lirisë, një kontribut të madh ka dhënë ndërgjegjësimi i njeriut për të marrë fatet e veta personale në dorë. Pasi fitoi lirinë politike dhe atë ekonomike, nuk i mbeti gjë tjetër veçse të zgjedhë vetë se ç’të bëjë me jetën e tij. Asgjë nuk mund ta detyrojë njeriun e sotëm që të mbetet peng i disa konstruksioneve morale apo sociale, si kodet e dikurshme që ndalonin të merrte vendimet të rëndësishme, thellësisht personale. Inercinë e lirisë askush nuk mund ta ndalojë. Ajo po përparon deri brenda mureve të sferës private, familjes apo e thënë ndryshe oikonos-it, për të cilin shkruante Aristoteli 2400 vite më parë. Dhe njeriu ia arriti edhe kësaj dite, por këtu fillon problemi. Pasi jeta publike dhe ajo private ndryshojnë thelbësisht nga njëra-tjetra. Të thyejë tabutë e deriatëhershme apo edhe të tanishme morale. Diku i ka arritur e diku tjetër po përpiqet t’i arrijë këto fitore të fundit të lirisë së vet.

E megjithatë, beteja për të “marrë dhe kalanë e fundit” të kufizimeve të lirisë nuk duket dhe aq e lehtë. Faktorët ideologjikë, intelektualë, artistikë dhe së fundmi dhe ata politikë të njohur si progresistë, të cilët prijnë këtë përplasje me traditën dhe besimin, po ushtrojnë presionin e tyre që prej revolucionit kulturor të viteve ’60, që nisi në hemisferën perëndimore. Nga ana tjetër, një pjesë që mendon ndryshe e shoqërisë, e drejtuar nga faktorë me frymëzim tradicional e të besimit, rezistojnë në mbrojtje të rendit moral, vazhdojnë të ushtrojnë rezistencën e tyre përkundër presionit të ithtarëve të kësaj lirie. Këta të fundit vazhdojnë të besojnë se vlerat janë ato që e bashkojnë një shoqëri dhe jo goditja e tyre. Ndaj janë rreshtuar kundër kërkesave për lejimin e abortit, divorcit, eutanazisë dhe legalizimit të drogave. Këta konservatorë i bashkon me progresistët ideja e lirisë politike dhe ekonomike, por kurrsesi ajo e lirisë në çështjet e jetës.

Kjo betejë e fundit e lirisë ka nisur prej dekadash e ndoshta do të vazhdojë për të tjera. Se kush ka të drejtë, nuk e di askush. Parashikimi i gjendjes njerëzore është i pamundur. Se si është bota më e mirë është e vështirë të thuhet. Por një gjë është e sigurt, se ithtarët e lirisë së zgjedhjes në rrafshin ngushtësisht moral, janë rreshtuar në krahun e mosmarrjes së përgjegjësisë nga individi për veprimet e veta përballë familjes, fëmijëve, e në fund të fundit ndaj vetvetes e jetës, gjithnjë në emër të lirisë. Barra e përgjegjësisë për vendimet e marra duket të jetë e papërballueshme për ta. Ajo kërkon besim tek realiteti i rendit të papërsosur të natyrës njerëzore, ndaj më mirë duhet rrëzuar, goditur dhe shkatërruar, për t’u zëvendësuar me lirinë e pakufi, me qëllimin për të kërkuar pafundësisht lumturinë e paqartë. Siç shkruan një filozof i shekullit të kaluar, “joshja për të rënë nga e vërteta e pasigurtë tek e pavërteta e sigurtë, është më e fortë tek këta njerëz”.

Nga Edvin Kulluri

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›