E Shtunë, 31 Tetor 2026

E kaluara dhe sfida për politikë qytetare

Kur lexoheshin librat e pafund me kujtime e shënime të diktatorit Hoxha, nuk ishte e vështirë të konstatohej se personazhet e tij ndaheshin në dy kategori: të mirët, ata pozitivë, shokë e miq të tij besnikë, anëtarë të kupolës së lartë të PPSSh-së apo të klanit të tij familjar, - dhe të këqijtë, ata negativë, kritikë apo rivalë të tij politikë, viktima të luftës për pushtet ose të konkurrencës politike. Të parët etiketoheshin si patriotë, qytetarë, të aftë dhe humanë; të dytët etiketoheshin si tradhtarë, të paaftë, intrigantë, kriminelë dhe të pabesë. Ndarja "bardh e zi" ishte vijë zyrtare, qëndrim e politikë zyrtare në të gjithë retorikën, historiografinë dhe median e periudhës komuniste. Për mentalitetin stalinist të partisë-shtet, asnjanësia ishte e njëjtë me qëndrimin kundër, ndaj çdo individ klasifikohej "pro" ose "kundër", "besnik ose "armik". Ata "pro" shpërbleheshin me poste e ofiqe, ata "kundër" denigroheshin dhe dënoheshin deri në ekstrem.
Kjo praktikë diskriminuese, ideologjike dhe klasore u shtri në të gjitha sferat e shoqërisë dhe me të u rritën dhe u edukuan më shumë se dy breza qytetarësh. Prandaj, nuk ishte surprizë që ardhja e demokracisë në vitet 90 u shoqërua me dy faktorë kontraversalë: përpjekja për ndërtimin e sistemit demokratik përmes individëve apo praktikave të formëzuara nga sistemi komunist. Nuk patëm disidencë, nuk patëm qeveri në emigracion, diaspora në perëndim nuk pati rol në formimin e partive të reja politike dhe kështu, sistemi i ri erdhi si zgjatim i të parit, me shpresën se njerëzit janë të ndryshueshëm, janë të korrigjueshëm dhe vetë shoqëria mund të ketë forcë reflektimi.
20 vjet pas rënies së sistemit komunist, bilanci i procesit të demokratizimit ka thelluar kontrastin social me atë politik. Qytetet janë shndërruar tërësisht, janë ndërtuar mijëra pallate e dhjetëra gradaçela, rrugë të reja dhe investime të mëdha, janë krijuar institucione të reja kushtetuese dhe instrumente të demokracisë. Gjithçka vizive ka ndryshuar, me përjashtim të disa modeleve të mendimit dhe të sjelljes politike, disa mentaliteteve të formëzuara herët, të shfaqura hera-herës në publik dhe që gjithnjë e më shpesh imponohen edhe si politika publike. E tillë është përpjekja për të mbajtur të paprekur modelin e ndarjes së shoqërisë në "bardh" e "zi", për të bërë një ndarje radikale midis "të mirëve" dhe "të këqijve", "europianëve" dhe "anti-europianëve", "patriotëve" dhe "tradhtarëve".
Shqipëria e vitit 2011 nuk ka aftësi ende të krijojë dhe diferencojë standardet qytetare të demokracisë siç nuk ka ende mekanizma të evidentojë çfarë mbetet vlerë e qytetarit dhe çfarë mbetet pengesë e mbeturinë e mentaliteteve të së kaluarës. Ajo vijon të shfaqë të njëjtat sëmundje publike si më 1950-ën, 1967-ën, 1982-in apo 1990-ën, kur shoqëria ndahej në dy pjesë, kur individët me pushtet impononin ligjin dhe historinë, mënyrën e të sjellurit dhe të të vepruarit, kur fjala kritike apo qëndrimi kundër ishte i barabartë me veprën penale. Natyrisht që Shqipëria sot ka instrumentet e mbrojtjes juridike, askush nuk ndëshkohet ligjërisht për bindjet e tij, por në një shoqëri para demokratike, gjyqi publik është shpesh më i rëndë sesa gjyqet formale penale.
Fenomeni i një brezi të vjetër politik, i cili edhe pas 20 vitesh, vijon të sillet e të flasë si përpara 20 viteve, - përveçse pengesë e të sotmes për demokracinë, po bëhet pengesë edhe për të ardhmen e saj. Retorika e niveleve të larta politike që ndan dhe etiketon, fyen dhe përçmon kritikët dhe mendimet e kundërta, përbën "kështjellën" e fundit të mbetur ende në këmbë nga një sistem antivlerë, për të cilin nuk ishin të huaja liritë dhe të drejtat e njeriut. Kjo trashëgimi bashkë me mentalitetin e partisë-shtet, shprehur si pushtet personal dhe pa kufi, përbëjnë edhe burimin kryesor të konfliktualitetit të gjatë politik në Shqipëri, të zgjatjes së tranzicionit dhe të penalizimit permanent të ambicieve tona integruese nga Bashkimi Europian.
Dhuna verbale si mjet, fushatat denigruese ndaj tjetrit vetëm se ai nuk pranon të jetë ushtar në betejën tënde personale për pushtet, përpjekja për të baltosur këdo dhe kështu, për të krijuar idenë e gabuar se ky vend kaq kapacitet ka, se ka klasën politike që meriton ose se shqiptarët kështu janë, të paaftë të bëjnë shtet e demokraci, - janë litari mallkues mbi varr që la regjimi komunist në rënien e tij. Kjo është arsyeja që sot retorika personale me fyerje e denigrim politik ka për autorë institucionet kryesore politike (partitë politike kryesore, drejtuesit kryesorë të vendimmarrjes ekzekutive e parlamentare, aktorët publikë me peshë mediatike dhe civile), një sjellje që nuk gjendet dhe as imagjinohet të ekzistojë në asnjë prej vendeve anëtare në Bashkimin Europian. Kjo është arsyeja që qytetarët duhet të largojnë fëmijët nga ekrani kur kemi lidhje direkte me debatet parlamentare apo debate të nxehta politike, që një pjesë e madhe e qytetarëve civilë e fisnikë i largohen debatit dhe kontributit publik nga frika relative e përbaltjes politike.
Si mund të ndryshojë kjo gjendje? Me votë? Nuk mjafton! Me refuzim? Nuk mjafton! Me pjesëmarrje në të njëjtin pellg politik? Absolutisht jo! Vende të tjera e kanë kaluar këtë fazë-krizë në kulturën politike dhe identitetin politik përmes zhvillimit imponues të kulturës, arsimit dhe integritetit qytetar. Nëse qytetarët krijojnë mjedis kulturor në familjen dhe rrethin e tyre shoqëror, nëse ata e bazojnë aktivitetin e tyre profesional e publik në meritë dhe aftësi, nëse ata jo vetëm refuzojnë retorikën denigruese por edhe ushtrojnë presion për një vizion e sjellje të re qytetare, pra nëse ata kërkojnë të ndahen me të vërtetë nga e kaluara në sistem dhe mentalitet, atëherë jeta politike në Shqipëri mund e duhet të jetë shumë më civile, shumë më qytetare, shumë më europiane. Kultura dhe etika fitohet në familje, në shkollë, në shoqëri, në mjedis, në komunitet, në njohjen më të mirë të kulturave e realiteteve të vendeve të tjera. Këtë e dëshmon edhe fakti se politikanët që kanë jetuar jashtë shtetit, janë shkolluar ose kontraktuar profesionalisht atje gjatë fazës postkomuniste, - kanë krijuar edhe një profil shumë diferencues me modelet e vjetra politike, produkt i "njeriut të ri" të viteve 60-70-të.
Recetat janë për t'u verifikuar dhe efekti i tyre kërkon kohë, energji, durim dhe angazhim aktiv të kujtdo që mendon ndryshe nga politika e dhunës verbale. Është një sfidë që ia vlen, për veten, për familjen, për të ardhmen e fëmijëve dhe për vendin. Sepse dita kur qytetarët politikë në Shqipëri, sidomos politikanët vendimmarrës, të flasin hapur, të respektojnë mendimin ndryshe, të respektojnë etikën dhe standardet normale të komunikimit, të kenë kurajë të kërkojnë falje kur gabojnë apo të pranojnë vlerën e mendimit të tjetrit, është dita e parë kur shoqëria shqiptare do të jetë shoqëri europiane.
*Mendimet janë personale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›