Përmbytje në Itali, rëndohet bilanci i viktimave
Itali- Rëndohet nga ora në orë bilanci i viktimave të motit të keq që ka goditur Italinë e Veriut e në veçanti, Ligurian dhe Toskanën. Tetë viktima deri më tani ndërkohë që mendohet se janë gjashtë persona që konsiderohen të zhdukur. Gjashtë persona kanë humbur jetën në një fshat në Spezzino, që thuajse është shkatërruar si pasojë e përmbytjeve nga lumi me të njëjtin emër. Tre personave, dy bashkëshortë mbi 80-vjeçarë dhe një grua 50-vjeçare, që kanë mbetur të vdekur si pasojë e shembjes së një ndërtesë në Cassana, i shtohen edhe tre viktima të tjera, një çift të moshuarish të mbytur në banesën e tyre dhe një tjetri të mbytur në rrethana që ende nuk janë të qarta. Dy viktima janë shënuar në Aulla, Masa Carrara, ku rreth 300 vetë janë evakuuar për shkak të motit të keq. Mbi 50 prej tyre janë shpëtuar falë ndërhyrjes me gomone të skuadrave të zjarrfikësve. Shkatërrime, rrëshqitje dheu, autostrada dhe rrugë të mbyllura, trena të bllokuar, përmbytjet, kanë gjunjëzuar rajonet e Ligurias dhe Toskanës ku lumenjtë kanë dalë nga shtretërit. Autoritetet në Italinë verilindore kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së katastrofës natyrore në zonë ndërsa balta po fshin fshatra të tërë. Imazhet e videove amatore tregojnë masa të stërmëdha balte dhe uji që pushtojnë qendrën e Monterosos, në Liguria. Uji duket se ka arritur mbi dritaret e kateve të para. Monteroso është një qendër e rëndësishme turistike, pjesë e zonës së mbrojtur nga UNESCO, Cinque Terra. Buldozerët po punojnë ndërkohë për të pastruar rrugët nga pemët e shembura dhe nga balta, ndërkohë që automjetet e kanë thuajse të pamundur të udhëtojnë në rrugët e përmbytura.
Shkrime të tjera me interes: