E kishim thënë, “dosja Fazlliç, pesë me hiç”

Togfjalëshi “dosja Fazlliç, pesë me hiç”, që nga përdorimi i tij i parë shtatë muaj më parë, ka fituar legjitimitetin që të bëhet edhe më “popullor”. Një “status” të tillë këtij togfjalëshi ia dha jo aq gazeta “55”, ku ai “u lind”, por ia dhanë fabrikuesit mediatikë të “dosjes” Fazlliç, të cilët ironizonin për atë, pse kishte edhe media që nuk i merrnin seriozisht tendencat politiko-mediatike, për ta futur në qorrsokak edhe Prokurorinë e Përgjithshme, apo atë të Tiranës, sigurisht me dëshirën e madhe të këtyre organeve të akuzës, për të rikonfirmuar rolin e të keqpërdorurve.
Sot, shtatë muaj më pas, togfjalëshi “dosja Fazlliç, pesë me hiç”, jo vetëm certifikon largpamësinë e gazetës “55”, që më tepër se dëshirat për të fabrikuar skandale të paqena, analizoi rrethanat dhe faktet dhe paralajmëroi (sikurse ndodhi) dështimin e radhës të organit shqiptar të akuzës, por ky togfjalësh i “vë vulën” edhe kufirit mes dëshirës së një pjese të mediave dhe drejtuesve të tyre, që masturbohen edhe nga mbështetja e prokurorisë dhe misionit real që duket se këto media e kanë humbur, atë të informimit. Dëshira për të prodhuar skandalin e radhës, nga media e “mediatorë” të njëjtë, është shumë, shumë e ndryshme nga ekzistenca e një skandali real të mundshëm. Gjithkush prej nesh herë-herë ka dëshira “prej të marri”, por nuk është e thënë se po u shkruan këto dëshira në gazeta, janë të realizueshme e të vërteta.
Për analogji, kjo ndodhi edhe me “dosjen Fazlliç, pesë me hiç”.
Diku, dikur një “i marrë” nuk e fshehu dëshirën të p(o)rodhonte një skandal qeveritar, duke “importuar” për këtë për “protagonist” edhe një shtetas britaniko-boshnjak. Fatkeqësia në këtë “iniciativë” qëndron se prokuroria, sërish nuk mund të duronte pa u përfshirë, duke u bërë frymëzuese (me veprimet e mosveprimet e saj) e tymnajës së thashethemnajës së radhës.
Po ti hedhësh një sy shpejt e shpejt të gjithë “sercha”-ave të shtatë muajve të fundit me emrin Damir Fazlliç, në internet apo edhe arkivat e komjuterave të punës, sheh se emri i këtij shtetasi britaniko-boshnjak, del si “i implikuar”, në atentate, në trafik armësh, kontrabandë cigaresh e karburantesh, në lidhje me grupe kriminale, në privatizim operatorësh celularë..., etj., etj. Dhe pas të gjitha këtyre hamendësive, që i njohin të drejtën vetes të publikohen në disa media shqiptare dhe që, sërish nuk e kalojnë kufirin e dëshirës, pse fabrikuesit e tyre ashtu dëshirojnë që të jetë, për “begraund” nuk mungojnë edhe “akuzat” për “pastrim parash” në Shqipëri, akuzë, të cilën jo më larg nga dje, edhe Prokuroria e Rrethit të Tiranës, në mënyrën më të pabujshme, mori guximin për të mos e marrë në konsideratë.
Pyetja që lind, pas kësaj ka të bëjë me faktin se “çdo të bëhet me fatin e përdhosjeve ‘inkriminuese’ të Damir Fazlliç, në atentate, në trafik armësh, kontrabandë cigaresh e karburantesh, në lidhje me grupe kriminale, në privatizim operatorësh celularë..., etj., etj., pasi edhe zanafilla e këtyre hamendësive u rrëzua dje nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës?”.
Dashtë etika gazetareske dhe p(o)rodhuesit të “Sagës Fazlliç”, nuk i vete mendja e të vazhdojë të besojë në “marritë” e tij... Por gjasat duken, pas asaj heshtje të djeshme “si prej varri”, sot e në vazhdim, amplifikatorët e “Sagës Fazlliç”, të bëjnë harraqin dhe indiferentin ndaj përbaltjeve dhe qurravitjeve të tyre 7-mujore.
...