E la i dashuri nëntë vjet më i ri, i ngul thikën pas shpine
Fundi i një lidhjeje dashurore bëhet shkak për një tentativë vrasjeje në Korçë. Protagonistë janë një çift i pazakontë, ajo 40 vjeçe, ai 31. Gruaja nuk e ka përballuar dot ndarjen dhe faktin se ish i dashuri e kishte konsideruar thjesht një aventurë lidhjen e tyre. Pasi ka debatuar gjatë me 31-vjeçarin Vasil Goskova, Majlinda Denasi nuk ka ngurruar të përdorë thikën për të "shprehur" mosaprovimin për vendimin e tij. Sipas policisë, gruaja nga fshati Goskovë për pak sa nuk e ka kthyer në tragjedi dështimin në lidhjen e saj dashurore, kur e ka qëlluar me thikë ish të dashurin, i cili është pronar i një lokali në qytetin e Korçës. Pasi është bërë e qartë se lidhja nuk do të mund të vazhdonte më, gruaja ka rrëmbyer një thikë nga banaku i lokalit në pronësi të Vasil Goskovës. Ajo e ka qëlluar atë pas shpine, në prani të disa klientëve të lokalit, që shërbente ushqim të shpejtë. Këta të fundit kanë njoftuar menjëherë policinë, si dhe kanë transportuar me shpejtësi të plagosurin për në spital. Ndërkohë, gruaja nuk ka nxituar të largohet nga vendi i ngjarjes, por ka qëndruar në lokal, ku është arrestuar pas pak minutash nga agjentët e Policisë së Komisariatit të Korçës. Ajo është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, të cilët saktësuan se motivi i kësaj plagosjeje ishte vendimi i 31-vjeçarit për t‘i dhënë fund lidhjes dashurore me 40-vjeçaren e arrestuar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe thika, me të cilën është kryer plagosja, që për fat të mirë nuk ka qenë e rëndë. Policia tha se i plagosuri Vasil Goskova nuk ka pasur rrezik për jetën. Gjithsesi, për ish të dashurën e tij është ngritur akuza për vrasje me dashje, të mbetur në tentativë. Për hetimin e mëtejshëm të çështjes ka nisur punën Prokuroria e Rrethit Korçë, ndërsa gruaja e arrestuar pritet të dalë sot përpara gjykatës, ku do t‘i komunikohet akuza dhe do t‘i caktohet masa e sigurisë.