Tragjedia e 9 janarit, Spahiu negocion me grevistët
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka qenë i pari zyrtar që ka tentuar të negociojë me familjarët e të zhdukurve të tragjedisë së 9 janarit, të cilët kanë hyrë në një grevë urie. Gjatë një vizite që u bëri grevistëve dje, Spahiu deklaroi se ekziston baza ligjore për të rinisur hetimet në lidhje me të zhdukurit. Ndërkohë, ai u tha grevistëve të ndalnin protestën ekstreme dhe të përpiqeshin ta zgjidhnin çështjen pa rrezikuar jetën e tyre. Sapo ka dalë nga ambientet ku po zhvillohet greva, nënkryetari i KLD-së tha: "Situata është mjaft e rëndë, nga 10 të dënuar 5 prej tyre janë dënuar në mungesë me vendim të formës së prerë. Nuk është normale që ende këta persona bredhin rrugëve të Shqipërisë, apo nëpër botë. Një drejtësi e vonuar të mos jetë një drejtësi e cunguar. Presidenti i Republikës, i cili është edhe kryetari i KLD-së, po e ndjek nga afër dhe me shqetësim këtë grevë". Më tej, duke folur për mediat, nënkryetari i KLD-së tha se "kërkesat e grevistëve janë të drejtpërdrejta dhe të sakta. Ekziston baza ligjore që Prokuroria e Vlorës të marrë në shqyrtim kërkesën e tyre, pasi duhet plotësuar e të dalë një hetim i thellë dhe më pas shpresojmë për një gjykim të drejtë nga gjyqësori në Vlorë". Ndërkohë, gjendja shëndetësore e grevistëve duket e rënduar. Tre grevistëve u është shtuar dje edhe një tjetër nga familjarët e të zhdukurve dhe të katërt duken të vendosur për t‘i dhënë fund jetës, nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre për rifillimin e hetimeve. Familjarët e të zhdukurve të tragjedisë së 9 janarit 2004 e nisën këtë grevë urie pasi pretendojnë se kanë siguruar dëshminë e ish-drejtorit të Krimeve në Vlorë, Sokol Bizhgës, i cili para prokurorëve ka pohuar se "më datë 10 janar rreth orës 06.30 është identifikuar një mjet lundrues, që shikohej me sy të lirë. Dy mjete tonat, njëri i policisë dhe tjetri i ushtrisë, u nisën për të shtyrë drejt bregut mjetin lundrues, tek i cili më thanë se kishte viktima. Unë nuk hipa te mjetet tona, se nuk kishte vend për mua. Pas rreth katër orësh, mjetet italiane identifikuan gomonen e dytë, ku ishin dhe 20 të vdekurit". Sipas familjarëve, këta trupa janë varrosur në zonën rreth Vlorës dhe ata i kërkojnë shtetit t‘i gjejë dhe pasi të bëjë analizat e ADN-së t‘ua kthejë familjeve, ndryshe ata do të vetëflijohen. Familjarët e viktimave të tragjedisë së 9 janarit, ku humbën jetën 28 persona dhe 8 rezultojnë të zhdukur, akuzojnë si fajtorë për tragjedinë strukturat shtetërore, Ministrinë e Mbrojtjes, të Rendit dhe atë të Transporteve, për mosdhënien e ndihmës në kohën e duhur, duke lënë të mbyten qëllimisht ata që ishin në gomone. Sipas familjarëve të viktimave, duhet të ngrihet një komision hetimor parlamentar për zbardhjen e tragjedisë, të bëhet denoncim publik për njerëzit e veshur me pushtet, që nuk kanë dalë para gjyqit.