E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentja, akt publik tek ura e Lanës

E gjakosur në fytyrë dhe trup, ka ikur nga makina, ka dalë tek ura e Lanës, në afërsi të Rrugës së Elbasanit në Tiranë, dhe ka tentuar të hidhet, me qëllim për t‘i dhënë fund jetës, pasi kishte frikë të kthehej në familje. Ky është akti tragjik që ka dashur të kryejë dje një 18-vjeçare, e cila është marrë me dhunë nga xhaxhallarët, teksa ajo festonte me shokët dhe shoqet e klasës. Ndërsa policia ka shoqëruar dy xhaxhallarët e saj, ku ka kuptuar se ngjarja ishte edhe më e rëndë, pasi njëri prej tyre ishte vetë pjesë e uniformave blu. Hysni Ç., xhaxhai i vajzës së masakruar, nuk e ka pranuar se ka goditur adoleshenten, por edhe kjo nuk e ka shfajësuar nga prezenca, pasi ai është punonjës policie dhe nuk duhet të kishte lejuar që të ndodhte diçka e tillë. Gjithashtu, në polici është shoqëruar edhe xhaxhai tjetër, Hasan Ç.

Ngjarja tragjike është regjistruar pikërisht mesditën e djeshme, te kryqëzimi i Unazës me Rrugën e Elbasanit, pikërisht te vendi i quajtur "Ura e Lanës". Vajza e re, gjimnaziste te "Myslym Keta", e cila njihet edhe si valltarja e shkollës, kishe marrë leje në familje për të festuar me rastin e "7 Marsit", pasi dita e sotme është pushim, dhe një organizim festiv është zhvilluar dje. Por, gjatë kësaj feste, dy xhaxhallarët e saj e kanë parë vajzën e re dhe e kanë marrë me dhunë, pasi nuk e pranonin një fakt të tillë. Duke e goditur me pëllëmbë në fytyrë, e kanë futur në makinë dhe rrugës kanë nisur ta godasin edhe më shumë, duke i shkaktuar plagë në fytyrë. Gjaku i ka mbuluar fytyrën nga plagët, ndërkohë që makina po afrohej drejt urës së Lanës. Aty, punonjësi i policisë rrugore, i cili ishte me shërbim, ka vënë re brenda makinës vajzën e gjakosur, ndërkohë që një nga dy personat, të cilët ishin brenda, e ka goditur në fytyrë. Kaq ka mjaftuar dhe uniforma blu ka reaguar, duke bërë shenjë që makina të ndalojë. Menjëherë, vajza që ndodhej në bord, ka hapur derën dhe është ngjitur te parmakët e urës. Ajo ka kërcënuar që do të hidhej në lumë, por polici ka nisur negociatat me të, që mos të kryente një veprim të tillë.

Nga ana tjetër, punonjësi i policisë ka kërkuar përforcime nga kolegët, ndërkohë që në ndihmë i kanë ardhur edhe qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë nisur negociatat me vajzën, që mos ta lejonin të hidhej në Lanë. Më pas, ajo ka zbritur nga parmakët e urës dhe është ulur poshtë, pranë bordurave të betonit. Kur njerëzit janë afruar për ta ndaluar, ajo është hedhur në lumë, duke pësuar fraktura në këmbë. Menjëherë adoleshentja është dërguar në spital, ku është kaluar nën kujdesin e mjekëve. Më pas, në spital ka mbërritur edhe babai i saj, Ramë Ç. Ai ka treguar për policinë se i kishte dhënë leje vajzës së tij të shkonte në festë dhe nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur. Nga ana tjetër, uniformat blu kanë shoqëruar në Komisariatin Nr. 1, agresorin e dyshuar, Hasan Ç., 40 vjeç, i cili është xhaxhai tjetër i të dhunuarës.

Bashkë me të në polici ka shkuar edhe vëllai i tij, Hysniu, i cili ishte edhe poseduesi i mjetit ku u dhunua vajza. Ai, si punonjës policie për hetimin e krimeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ka deklaruar se mjeti "Mecedes Benz 200", me targa TR7910 H, është në pronësi të tij dhe që nuk kishte ushtruar dhunë ndaj mbesës. Megjithatë, kjo nuk e shfajëson punonjësin e policisë, pasi sipas ligjit duhet ta kishte parandaluar këtë ngjarje brenda familjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes, ata janë marrë në pyetje, ndërkohë që policia ende nuk kishte vendosur se çfarë mase të merrte ndaj tyre. Ndërsa vajza e re, e mjekuar në spital, është dërguar në banesën e saj te "21 Dhjetori". Sipas mjekëve, ajo ka fraktura në hundë, pas koke dhe në këmbë. Frakturat në kokë mendohet se janë krijuar nga goditjet me grushte, që i kanë shkaktuar edhe të vjella gjatë gjithë kohës. Ndërkaq, hetim për këtë ngjarje ka nisur edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pasi dyshohet se është përfshirë një punonjës policie. Gjithashtu, policia nuk ka dhënë detaje nëse adoleshentja e dhunuar ka pranuar të denoncojë dy xhaxhallarët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›