E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksamil, protesta të dhunshme kundër shembjes së shtëpive pa leje

Shembja e objekteve të konsideruara të paligjshme në bregdetin e Ksamilit, vazhdon të krijojë tensione mes banorëve të zonës dhe strukturave shtetërore. Dje ka qenë dita e dytë e protestave, që hera herës e kanë tejkaluar cakun, duke degjeneruar në përleshje me forcat e policisë. Në tri nyje të rëndësishme të komunikimit të Ksamilit me Sarandën dhe Butrintin, ka ndodhur ditën e djeshme bllokimi i rrugës nga banorët. Rreth 600 qytetarë kanë bllokuar rrugën në tri pika, duke protestuar kështu kundër operacioneve të përsëritura të inspektorateve ndërtimore, të mbështetura edhe nga uniformat blu, për prishjen e ndërtimeve të konsideruara të paligjshme. Bllokimi i rrugës ka nisur në orët e para të ditës së enjte dhe ka vijuar në orët e pasdites së djeshme. Është mësuar se shkak për grumbullimin e banorëve të Ksamilit dhe bllokimin e rrugës ka qenë, sipas tyre, se hera-herës ata kanë marrë lajme se do të prishen ndërtimet e tyre, ndërkohë që të gjitha ndërtimet e listuara për t‘u shembur janë në proces legalizimi pas vetëdeklarimit të bërë nga pronarët. Këtë e ka deklaruar edhe kryetari i komunës, Vesel Koçia, i cili është shprehur edhe një herë se aq sa është kundër reagimit me bllokim të rrugës, aq edhe kundër prishjes së ndërtimeve në mënyrë selektive. Koçia tha se ka bërë kallëzim penal në prokurori për strukturat që kanë vepruar kështu. Në përballje me forcat policore, që janë vënë në mbështetje të operacionit të shembjeve, mësohet se të enjten nuk kanë munguar as veprimet e dhunshme, të shprehura me goditjen e furgonëve me gurë. Të pranishëm kanë qenë në operacion edhe shefi në detyrë i Komisariatit të Sarandës, Luan Hyseni, si dhe shefi i rendit, Shemshedin Abazi. Ndërkohë, dje ishin banorët ata që akuzuan policinë për dhunë, duke thënë se, disa persona, të konsideruar organizatorë të protestave, janë keqtrajtuar. Por ajo që konfirmohet nga Komisariati i Policisë së Sarandës, është shoqërimi gjatë ditës së djeshme i nëntë prej banorëve, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, të dyshuar si autorë të organizimit të trazirave. Ndërkohë, mësohet se dy të shoqëruarit e një dite më parë, Robert Myrto dhe Adriatik Bufi, janë lënë që dje të lirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›