E Shtunë, 31 Tetor 2026

E lënë për verë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka vendosur që turneun tradicional ‘Adem Jashari’ ta organizojë në fund të kampionatit, përkatësisht në muajin qershor, e jo gjatë javës së parë të muajit mars, siç është zhvilluar tash e dhjetë vjet me radhë.

Këtë vendim, drejtuesit e futbollit kosovar e kanë marrë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, të cilat gjithmonë kanë ndikuar që turneu kushtuar Komandantit Legjendar të mos jetë edhe aq atraktiv.

Përveç kësaj, edhe data e turneut ka qenë e papërshtatshme për drejtuesit e FFK-së që të mund ta sjellin në Kosovë ndonjë ekip të njohur evropian për pjesëmarrje në turneun ‘Adem Jashari’, pasi në atë kohë të gjitha skuadrat janë të përqendruara në garat kampionale.

“Në turneun e fundit ia dolëm ta sjellim Albanian Stars nga Amerika dhe as njëqind shikues nuk ishin në stadium. Ajo kohë është e papërshtatshme. Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari meritojnë të nderohen me një turne më atraktiv dhe më madhështor, i cili duhet të tubojë numër masiv të shikuesve”, deklaroi për Express, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

“Andaj, ne kemi vendosur që turneun ‘Adem Jashari’ ta organizojmë në fund të kampionatit. Atëherë kushtet atmosferike janë dukshëm më të mira dhe është më lehtë të sjellim ekipe të njohura të huaja në turne”, theksoi ai.

Salihu tregon se në turneun ‘Adem Jashari’, i cili pritet të zhvillohet në muajin qershor, synojnë të sjellin skuadra të njohura evropiane.

“Mendojmë të sjellim ekipe të forta dhe të njohura evropiane, si nga Turqia, Italia, Gjermania etj. Ne duam që turneun ‘Adem Jashari’ ta organizojmë ashtu siç e meriton Komandanti Legjendar dhe Familja Jashari”, pohoi ai.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë se FFK-ja nuk do ta nderojë me ndonjë turne të futbollit manifestimin tradicional, ‘Epopeja e UÇK-së’, i cili mbahet tradicionalisht me rastin e njëmbëdhjetëvjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, manifestim ky që shënohet më 5, 6 dhe 7 mars.

Drejtuesit e futbollit kosovar do ta nderojnë këtë manifestim me një turne në futsall, i cili do të quhet ‘Epopeja e UÇK-së’ dhe i cili pritet të mbahet në fillim të muajit që po vjen.
Në këtë turne, drejtuesit e FFK-së po mundohen t’i sjellin disa përfaqësuese të shteteve të rajonit në futsall.

“Për dallim prej viteve të kaluara, sivjet prej datës 5 deri më 9 mars, do ta mbajmë një turne në futsall, i cili do të quhet ‘Epopeja e UÇK-së’ dhe i cili pritet të jetë shumë atraktiv. Përveç përfaqësueses së Kosovës në futsall, në këtë turne po bëjmë përpjekje ta sjellim edhe përfaqësuesen e Shqipërisë, të Maqedonisë dhe atë të Kroacisë. Pra, përfaqësuese nga vendet e rajonit”, tha Salihu.

Ai tregoi se ky sistem do të zbatohet edhe në vitet e ardhshme. Pra, fillimisht në muajin mars do të mbahet turneu në futsall, ‘Epopeja e UÇK-së’, kurse në muajin qershor do të organizohet turneu ‘Adem Jashari’ në futboll të madh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›