E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sevilja, pa Fabianon e Kapelin kundër CSKA-së

Mungesat Dy lojtarët e andaluzes nuk kanë udhëtuar drejt Moskës për sfidën e parë me rusët

Sulmuesi Luis Fabiano dhe mesfushori i krahut, Diego Kapel, nuk do të luajnë në ndeshjen e parë të 1/8 të Seviljas, në fushën e CSKA-së së Moskës. Dy lojtarët e skuadrës andaluze janë dëmtuar gjatë ndeshjes së fituar 3-1 në fundjavë kundër Majorkës. Luis Fabiano e mbylli këtë takim me probleme muskulore në gjoks, ndërsa Kapel u zëvendësua në minutën e 55-të, për shkak të një dëmtimi muskulor. Në ekipin që do të paraqitet në stadiumin “Luzhniki” është përfshirë sulmuesi Frederik Kanute: 32-vjeçari sapo është rehabilituar nga një tërheqje në kofshë, e nuk pritet që të paraqitet në formë optimale.

Sfida ndërmjet CSKA-së dhe Seviljes pritet të jetë mjaft interesante. Aty pritet të verifikohet edhe gjendja e skuadrës ruse, duke qenë se gjatë kësaj periudhe ata nuk kanë luajtur për shkak të pauzës së kampionatit. Duke qenë se do të luajnë ndeshjen e kthimit në shtëpi (data e parashikuar është 16 marsi), spanjollët cilësohen si favoritët absolutë për t’u kualifikuar në çerekfinale. Gjithsesi, lojtarët e Seviljas duhet të bëjnë llogaritë me kushtet jo të mira atmosferike dhe pritet që të vuajnë në Rusi për të marrë rezultat pozitiv.

Ndërkohë, mbrojtësi i krahut te Sevilja, Adriano, u ka bërë thirrje shokëve të skuadrës që të impenjohen maksimalisht, pasi dështimi në Champions do të ishte i pafalshëm.
“E respektojmë CSKA-në, por jemi të gatshëm të përballemi me gjithçka: dëborën, të ftohtin dhe kundërshtarët për t’u kualifikuar”, tha braziliani.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›