Burri ekzekuton me armë bashkëshorten
Viktima, 41-vjeçarja Naime Abazi, nënë e 4 fëmijëve. Hetim mbi kushtet ekonomike dhe xhelozinë.
Tropojë, kthehet krimi në familje. Ngjarja në mesnatë në Llugaj.
Kthehet krimi në familje. Një 50-vjeçar nga fshati Luzhë i komunës Llugaj në Tropojë ka qëlluar për vdekje të shoqen. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, duke tronditur fëmijët e çiftit dhe të gjithë bashkëfshatarët e tyre, të cilët janë zgjuar nga krismat e pistoletës. Asgjë nuk ka mundur të bëhet për të shpëtuar jetën e 41-vjeçares Naime Abazi, pasi plumbat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autori është bashkëshorti i saj, Xhelal Abazi, 50 vjeç. Sipas burimeve zyrtare të Policisë krimi u shënua në dhomën e gjumit të çiftit, prindër të katër fëmijëve të rritur. Fillimisht një grindje mes bashkëshortëve e më pas dy krisma pistolete kanë shkaktuar tragjedinë në familjen Abazi. Mësohet se armën e mbante i zoti i shtëpisë pa leje në banesë. Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e rëndë, Policia e Tropojës ka udhëtuar drejt fshatit Luzhë. Në vend ka gjetur autorin e krimit, Xhemal Abazi, në kushtet e një tronditjeje të rëndë mendore. Familjarë të tmerruar kanë deponuar në polici se çifti kishte kohë që kishte grindje mes tyre dhe kulmin konflikti mes tyre e kishte shënuar natën e krimit. Policia nuk jep një pistë të saktë të shkakut, duke u mjaftuar vetëm me atë të mosmarrëveshjeve në çift, ndërsa po verifikohet nëse grindja që solli deri në krim ka pasur si shkak motivet e xhelozisë nëpërmjet burrit e gruas, apo e justifikuar nga kushtet e vështira ekonomike. Bashkëshorti vrasës është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ku i është komunikuar masa e arrestit në flagrancë, si dhe është bllokuar arma e krimit. Ai nuk ka arritur të japë dëshminë mbi shkaqet, për shkak të tronditjes psikike. Çifti kishte katër fëmijë, më i madhi 20 vjeç, të cilët ndodheshin brenda në shtëpi kur babai i tyre qëlloi për vdekje nënën. Grupi hetimor pritet të rikthehet në fshatin ku jeton familja Abazi për të marrë në pyetje dhe një herë fëmijët, të afërmit dhe fqinjët e çiftit për të zbardhur ngjarjen. Vrasja e 41-vjeçares nga bashkëshorti shënon krimin më të rëndë që nga fillimi i këtij viti në qarkun e Kukësit dhe të parin brenda familjes. Prej rreth 1 muaji në të gjithë qarkun nuk u regjistrua asnjë ngjarje. Dëbora që bllokoi fshatrat dhe qytetet paralizoi bashkë me jetesën normale të banorëve edhe aktivitetet kriminale. Lajmi i krimit të djeshëm ka tronditur opinionin, ndërsa puna ka mbetur në duart e grupit hetimor për të zbardhur të gjithë çështjen.