Institucionet: Tenderi, Policia dhe Garda pa karburant

Garda e Republikës
Vonesa në dërgimin e dokumenteve, ministritë dhe Gjyqësori pa naftë për makinat. Ministria e Brendshme: Zgjidhja, në prill.
Policia, Garda dhe disa ministri skanë naftë për automjetet.
Disa institucione ndodhen në vështirësi për shkak të mungesës së karburantit për automjetet që përdoren në ushtrimin e funksioneve shtetërore. Policia, Garda, disa ministri dhe sektorë të tjerë, janë duke konsumuar rezervat e fundit të karburantit, pasi edhe pse ndodhemi në muajin e tretë, ende nuk është realizuar prokurimi i blerjes së karburantit. Sipas një vendimi të qeverisë, rreth dy vjet më parë, Drejtoria e Përqendruar e Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme është ajo që kryen procedurat e blerjes së lëndëve dhe materialeve të nevojshme për kryerjen e detyrave nga institucionet. Drejtoria e Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme është pa drejtues prej më se një viti, megjithatë komisionet e vlerësimit të ofertave dhe organet tjera të prokurimeve funksionojnë normalisht. Mësohet se shkak i problematikës së krijuar me mungesën e karburantit në disa institucione është vonesa që vet këto institucione kanë krijuar në dorëzimin e dokumentacionit në Ministrinë e Brendshme. Një tjetër shkak për rëndimin e situatës ka qenë problemet që pati vitin e kaluar kompania që ishte përzgjedhur për furnizimin e disa institucioneve me karburant. Kështu, Policia, SHISH, Garda e Republikës dhe institucione të tjera u ndeshën me ndërprerje të furnizimit dhe për pasojë, tani që ankandi po vonohet, kanë mbetur pa rezerva. Situata vjen e rëndohet në kohën kur mësohet se blerja faktike e karburantit mund të vonojë të paktën edhe një muaj. Vetëm Policia e Shtetit ka mbi 400 automjete të ngarkuara vetëm me detyra operative, si patrullime, shoqërime etj., pa përmendur këtu automjetet që përdoren për nevoja të tjera. Në të njëjtën situatë gjendet edhe Garda e Republikës, e cila ka përgjegjësinë e ruajtjes së personaliteteve dhe institucioneve të rëndësisë së veçantë. Shumë prej këtyre detyrave realizohen me anë të automjeteve me të cilat lëvizin truprojat dhe forcat e sigurisë.
Anomalia
Sipas procedurës, në varësi të numrit të automjeteve dhe funksioneve e detyrave që ato duhet të kryejnë, çdo fillimviti secili institucion bën një inventar dhe mandej një preventiv. Ky preventiv ballafaqohet më pas me buxhetin e vënë në dispozicion nga Ministria e Financave për secilin institucion në zërin “shpenzime karburanti”. Pas ballafaqimit me buxhetin në dispozicion, hartohet më pas edhe dokumenti përfundimtar me sasinë e karburantit dhe llojin e saj, përfshirë edhe një shtesë nevojash e cila shërben për rezervë. Nisur nga parashikimet për shpenzimet që mund të bëhen në karburant gjatë një viti apo një 6-mujori, institucioni bën një pasqyrë shifrash e cila pasi kalon në duart e ekonomistëve dërgohet për veprim në njësinë e prokurimeve, që është një institucion i përqendruar në Ministrinë e Brendshme. Procedura parashikon që ankandi për karburantin të kryhet në fillim të vitit, në një kohë kur edhe ndonjë vonesë “e vogël” nuk u kushton institucioneve të cilat ndërkohë duhet të kenë një rezervë në rast zvarritjeje të procedurës së blerjes së karburantit. Pikërisht kjo rezervë ka mbaruar, ose është duke mbaruar në disa institucione të rëndësishme, duke krijuar vështirësi në ushtrimin e detyrave shtetërore. Situata bëhet më problematike kur bëhet fjalë për automjete të institucioneve që kanë të bëjnë me sigurinë apo rendin publik.
45 DITE është afati paraprak për procedurën e tenderit ndërkombëtar për blerje karburanti, para se komisioni i vlerësimit të hapë ofertat e paraqitura nga pjesëmarrësit.
20 DITE të tjera parashikohen si afat vlerësimi, ankimimi dhe vendimmarrje nga komisioni, numëruar kjo që në momentin pasi janë hapur ofertat e pjesëmarrësve.
Ministria e Brendshme: Ska asnjë vonesë, tenderi është ndërkombëtar

Ministria e Brendshme
TIRANE – Ministria e Brendshme, si institucioni që ka detyrimin të organizojë blerjen e karburantit për një numër institucionesh të shtetit, pohon se ligjërisht dhe proceduralisht nuk ka asnjë vonesë apo anomali. Problemi i vetëm, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, është tek ato institucione që nuk kanë rezerva dhe që mund të kenë mbetur pa karburant, edhe pse nuk ka ende një lajmërim zyrtar për situata të tilla. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, zoti Florian Nuri, tha për “Panorama” se Ministria e Brendshme ka kërkuar që në janar nga të gjitha institucionet dokumentet e nevojshme për fillimin e procedurës. Sipas Nurit, me vendim të Këshillit të Ministrave, afati i fundit për marrjen e dokumenteve nga institucionet dhe nisjen e procedurës, është data 31 janar. Ministria e Brendshme tha se brenda kësaj date ka marrë dokumentet e nevojshme nga institucionet, pa lejuar asnjë vonesë. “Duke qenë se vlera është më e madhe se 200 milionë lekë, procedura është tender ndërkombëtar, i cili zgjat jo më pak se 45 ditë deri në hapjen e ofertave”, tha sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Florian Nuri. Ky numërim fillon nga 31 janari, afat i caktuar me VKM dhe vazhdon më pas edhe me 20 ditë të tjera, deri në përfundimin e gjithë procedurës së tenderit. Me një llogaritje të thjeshtë i bie që procedura e blerjes së karburantit të jetë gati në mesin e muajit prill. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, i cili ka në administrim edhe Drejtorinë e Prokurimeve Publike, ka pohuar se nga ky dikaster nuk ka pasur asnjë vonesë apo zvarritje. Nuri tha se mungesa e karburantit në disa institucione, në rast se ka ndodhur, nuk ka ardhur nga mungesa e fondeve apo problemet me buxhetin. Sipas Nurit, procedura që po ndiqet këtë vit me blerjen e karburantit është ajo që është ndjekur çdo vit, ndërsa shtoi se nuk mund të japë shpjegime për ato institucione që nuk kanë rezerva apo që u kanë mbaruar rezervat.