Në TOB, Sajmir Tahiri si Berberi i Seviljes
Shfaqja mbaroi dhe perdet e farsës u mbyllën në Teatrin e Operës së Baletit, ku socialisti Sajmir Tahiri u kurorëzua kryetar i PS së Tiranës ashtu siç ishte lehtësisht e parashikuar kohë më parë. Në fakt, gjithçka ishte vendosur përpos telekomandimit të “kundërshtarit” Ilir Zela. Ky i fundit duhej “poshtëruar” përpara se të listohej kandidat për deputet në zgjedhjet e 2013. Kurse Saimir Tahiri është ylli në ngjitje që përfaqëson klasën sunduese të opozitës, zgjatim e investim personal i kreut Edi Rama. Këtë fakt e konfirmoi edhe Saimir Bashkim Tahiri që tha gjatë fjalës së tij, “erdha në PS pa njohur njeri”, sikurse të parin eksponent partiak që paska njohur në PS-ja ishte Eduart Shalësi, edhe ky politikan për “longa manus” të Ramës.
Megjithatë 520 nga 620 anëtarët e Asamblesë së zgjeruar të Tiranës që ndoqën performancën komike të dy kandidatëve, Sajmir Tahiri dhe Ilir Zela, duartrokitën zellshëm. Regjisori i kësaj vepre operistike, kryetari i PS Edi Rama, mungonte sepse ishte duke pirë raki me qejfliun e Elbasanit, Qazim Sejdinin. Në vend të regjisorit prezent ishte skenaristi organizativ Blendi Klosi që tha se “të dy kandidatët e duan partinë”, pavarësisht, se roli qesharak i takoi Ilir Zelës, që u bë si Maqo Lakroni në rastin e rizgjedhjes së dytë të Ramës në krye të PS, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009. Natyrisht Ilir Zela është rikthyer në PS pas një oferte dhe për të merituar dhuratën i duhet të luajë lojëra që kanë të bëjmë më shitjen e idesë së afrimit të themeluesve të partisë duke imituar kështu modelin e ofruar nga PD-ja në 2005, paçka se Ilir Zela është një figurë anemike.
Kuptohet vetiu që kjo arie e shfaqur në Teatrin e Operës së Baletit nga PS-ja është një precedent i rrezikshëm dhe demotivon konkurrencën e ideve dhe alternativave elitare në partinë më të madhe opozitare, që teksa na shitet si procedurë demokratike, në të vërtetë është një ballo me maska të paracaktuara.
Ndërsa Rama na e shet trukimin si një proces model për gjithë Shqipërinë, e kundërta bërtet me të madhe se kjo parti nuk bëhet. Sepse në Tiranë të gjithë e kishin kuptuar se kush do të drejtonte degën e partisë socialiste, pas dorëheqjes së frustruar të Besnik Bares, i cili u bë kokë turku për humbjen e Bashkisë së kryeqytetit. Fitorja e Lulzim Bashës në Tiranë, ku PS-ja pas 2007 kishte 24 mijë vota më shumë, duket se ka shkaktuar një tërmet në strukturat lokale. Edi Rama për të pasur mbështetjen e gjerë e besnike në qytetet e mëdha ka caktuar drejtues njerëz që e kanë të lidhur fatin dhe historinë e tyre politike me të. Prandaj në zgjedhjet e 2009 bëri një listë deputetësh të rinj pa ndonjë kontribut në parti për të larguar njerëzit të deklaruar afër ish-liderit Fatos Nano. Ky i fundit është përjashtuar deri në një komunikim të dytë në partinë që e drejtoi për më shumë se një dekadë. Sigurisht lista e deputetëve socialistë të 2013 do të përmbajë besnikët e kryetarit dhe do të largojë deputetët që mendojnë ndryshe në Parti. Atij i pëlqejnë të nënshtruarit që vështirë se e kundërshtojnë në formë dhe përmbajtje. Kjo u duk ashiqare në votimin e ndryshimeve të Kodit Penal, ku në Komisione Parlamentare dhe në Kuvend deputetët socialistë për 10 orë rresht u betuan haptazi se nuk do të votojnë ndryshimet, dhe në një moment u desh dërgimi i një sms-je grupi që PS-ja të votonte bashkë me maxhorancën të gjitha nenet e debatuara të Kodit Penal. Mesazhi elektronik i Ramës bëri që 63 burra të dilnin kundër vetes se tyre dhe të votonin pro. Ky është një ilustrim i asaj çfarë quhet tredhje intelektuale ku deputetët janë kthyer në eunukë në haremin e Padishahut.