E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta e Ramës numëron mungesat tek bazat e të djathtës

21-09-2011 / Gazeta 55

Opozita e Edvinit s’del dot nga qerthulli i bojkotit, por për kursin anti-reformë i mungojnë Dule dhe Gjinushi. Nard Ndoka si zot shtëpie dhe Preç Zogaj si zëdhënës, janë tregues i krizës së identitetit të opozitës antieuropiane

Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe Skënder Gjinushi i PSD-së mungonin sërish në takimin e përjavshëm të opozitës, ku u diskutua mbi reformën zgjedhore. Edi Rama shoqërohej nga dy negociatorët e Partisë Socialiste, Gjiknuri dhe Hysi që kanë dëgjuar pretendimet e partive me te vogla opozitare, lidhur me kursin e tij anti-reformë, edhe në këtë sesion të ri parlamentar.
Por sipas Preç Zogajt, një zëdhënësi “dejave” të parodisë opozitare, mungesat në takim nuk ishin politike. Takimi zgjati rreth dy orë, në selinë e demokristianëve të Nard Ndokës (një tjetër kollovar i kësaj palo-opozite), i cili së bashku me Paskal Milon e Demokracisë Sociale mbanin peshën kryesore përkundrejt socialistëve.
Ky është takimi i dytë i përjavshëm nga i cili Dule dhe Gjinushi qëndrojnë në distancë. I djeshmi ishte një takim i rëndësishëm pasi Rama shoqërohej nga dy negociatorët e PS për ligjin e zgjedhjeve të cilët ishin të gatshëm të dëgjonin pretendimet e partive më të vogla. Dhe sërish është bojkotuar nga Vangjel Dule dhe Skënder Gjinushi.
Nëse për Skënder Gjinushin është thuajse e pamundur të mendohet një rrugë tjetër përveç asaj të të majtëve, ndryshe ndodh me Vangjel Dulen. Në zgjedhjet e kaluara, kreu i PBDNJ-së bëri një marrëveshje të pjesshme me socialistët, ndërsa distancimi i tij në takimet e Opozitës së Bashkuar lë të hapur të gjitha mundësitë e zgjedhjes për të, në 2013. Ndërkohë aleatët e socialistëve në fund të takimit konfirmuan se do të jenë gjithnjë në kontakt për çdo hap që hidhet në negociatat për Kodin e ri Zgjedhor.
Duket qartë se takimet periodike të Ramës me aleatët s’po japin ndonjë produkt politik të pritshëm, përveç aparencës mediatike të hyrje-daljeve në kafenetë luksoze apo në selitë e partive të djathta me organizatorë e përfaqësues të qendrës së djathtë.
Zef Bushati: Elektorati demokristian ndjehet i fyer/Partia Aleanca Demokristiane shpreh keqardhjen e saj ne lidhje me takimin e zhvilluar te përfaqësuesve të partive të majta në selinë e PDK-së, në selinë e një partie konservatore anti komuniste të “Qendrës së Djathtë” . Një takim i tille ende nuk është zhvilluar në parti tradicionalisht të majta si PSD e Gjinushit, PDS e Milos, etj. dhe si për të fyer elektoratin demokristian u zhvillua në selinë e ADK. Kreu i ADK-së, Zef Bushati tha se “është e papranueshme që nga selia e kësaj partie antikomuniste të deklarojnë të ashtuquajtur “Të djathtë” se e majta është e bashkuar”. “Me këtë takim në Selinë e PDK-së përfundimisht me gjithë dëshirën dhe iniciativën që ndërmori Aleanca Demokristiane për të negociuar me PDK-në për të gjetur rrugët e bashkëpunimit deri në bashkimin e subjekteve demokristiane, negociatat u mbyllën përfundimisht”- u shpreh kryetari i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›