E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Forumi ekonomik do të shërbejë për thithjen e investimeve amerikane”

21-09-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto mori pjesë në Forumin e Parë Shqiptaro-Amerikan të Investimeve. Në fjalën e tij, Haxhinasto theksoi se ky forum do të shërbejë për tërheqjen e investitorëve amerikanë në Shqipëri. Masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë kanë bërë që Shqipëria të jetë një vend tërheqës për investimet e huaja direkte dhe në këtë drejtim duhet të rritet edhe prezenca e atyre amerikane. Shqipëria, tha ai, po zhvillon një diplomaci ekonomike aktive, për të cilën dëshmon edhe aktiviteti i sotëm.
Duke ndjekur një politikë të jashtme konstruktive në rajon, Shqipëria po kontribuon për rritjen e stabilitetit dhe sigurisë, duke rritur shkallën e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal. Shqipëria tashmë është pjesë e një tregu rajonal mjaft dinamik dhe në zhvillim. Investimet në Shqipëri, tha Haxhinasto, duhen parë edhe në këndvështrimin rajonal e më gjerë.
Ndër fushat me interes për investimet amerikane, Haxhinasto përmendi infrastrukturën, energjinë, turizmin, burimet minerare, etj. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme vazhdon vizitën në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›