Venger: “Kemi një thes me gola kundër Mançesterit”
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, premtoi se skuadra e tij do të bëjë një paraqitje të shkëlqyer, teksa “Topçinjve” u duhet të përmbysin deficitin 1-0 kundër Mançester Junaitid dhe të arrijnë në finalen e Ligës së Kampioneve. Shumë prej “djemve” të Vengerit dështuan një javë më parë në “Old Traford”, dhe vetëm forma e jashtëzakonshme e portierit Manuel Almunia i shpëtoi londinezët nga pësimi i një “thesi” golash. Gjithsesi, me një vetëm një gol diferencë midis dy formacioneve, Venger beson se me lojtarë të tillë si Sesk Fabregas, Teo Uallkot dhe Emanuel Adebajor e sidomos me rikthimin e golashënuesit më të mirë të Arsenalit, mund të arrijë një fitore historike. “Gjithkush ëhstë i fokusuar dhe i gatshëm për ndeshjen”, - tha Venger, formacioni i të cilit humbi në finalen e vitit 2006 kundër Barcelonës në Paris. “Ne jemi të vetëdijshëm në performancën e ekipit tonë. Unë jam i bindur se ekipi do të prodhojë një performancë të shkëlqyer dhe ne do të dimë ta menaxhojmë atë”.
Arsenali humbi 1-0 me Mançester Junaitid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në “Old Traford”, por në radhët e “Topçinjve” londinezë rikthehen Robin van Persi, i cili së bashku edhe me Emanuel Adebajorin do të formojë dyshen e sulmit, në sistemin 4-4-2, i parapëlqyeri i trajnerit Arsen Venger. Tekniku francez tha se e shihte gjithmonë futbollin si një argëtim. “Ju mund të luani mirë nëse ju e shijoni aqtë që bëni dhe të të shijosh nivelin e një loje, është të shijosh lojën që ne dashurojmë. Unë besoj se gjysmëfinalja jashtë fushë nga ajo e luajtur në shtëpi është një ndeshje më e vështirë në kompeticionin e Ligës së Kampioneve, pasi ju jeni vetëm 90 minuta larg nga finalja e Ligës së Kampioneve. Kjo është ajo që ne duhet të prodhojmë të martën në mbrëmje. Ne duhet të luftojmë fort dhe t’ua bëjmë të vështirë atyre (Mançesterit). Ne nuk mund të fitojmë me 11 lojtarë, por me 14 të tillë. Kështu që, nuk ka rëndësi kush luan nga fillimi, por e rëndësishme është që çdokush të jetë i fokusuar në atë që bën, vetëm kështu ne mund të kualifikohemi”.
Trajneri i Mançester Junaitid, Aleks Fergusoni, tregoi respektin maksimal për kundërshtarin e radhës në Ligën e Kampioneve, Arsenalin. “Të dy jemi ekipe të mira, kështu që nuk është çudi që të ndodhë që kualifikimi të zgjidhet me penallti”, - tha kampioni aktual i Europës.
VENGER
Trajneri aktual i Arsenalit, Arsen Venger, lufton prej 20 vjetësh për të fituar një trofe europian, që nga edicioni 1988-1989, kur ai drejtonte në kampionatin francez, Monakon, duke vendosur edhe një rekord personal si trajner për paraqitjet radhazi në Europë.
LIGA E KAMPIONEVE
GJYSMËFINALET
NDESHJET E KTHIMIT
05.05.2009, 20:45
Arsenal-Mançester J. (0-1)
06.05.2009, 20:45
Çelsi-Barcelona (0-0)
* Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para
FAKTET E SFIDËS
* Arsenali dhe Mançesteri janë përballur vetëm një herë në ndeshjet e ashtuquajtura në Europë. Bilanci në Ligën e Kampioneve: 1 ndeshje, 1 fitore Mançesteri, pikërisht ndeshja e luajtur, më 29 prill 2009.
* Mançesteri ka qenë 6 herë në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, 2 herë në finale dhe ka fituar 2 herë titullin. Në Europë për të gjitha kompeticionet ka qenë 14 herë në gjysmëfinale, 4 herë në finale dhe ka 4 trofe të fituar.
* Arsenali ka qenë 2 herë në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, 1 herë në finale dhe nuk e ka fituar asnjëherë titullin. Në Europë për të gjitha kompeticionet ka qenë 7 herë në gjysmëfinale, 6 herë në finale dhe ka 2 trofe të fituar.
5 Maj 2009