"Narkomani" dhunon familjen
Etleva Delia
Një 22-vjeçar akuzohet se ka kërcënuar dhe rrahur me grushte prindërit dhe vëllain. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Yrshek, disa kilometra larg Tiranës. Policia tha se ka arrestuar Romeo Shatrollin, menjëherë pas denoncimit që bënë në rajon familjarët e tij të cilët e akuzuan për dhunë fizike. Sipas burimeve të policisë, ka qenë Festim Shatrolli, babai i 22-vjeçarit, ai që i është drejtuar Komisariatit Nr.6 në Tiranë, duke kallëzuar për fyerje, kanosje dhe dhunë djalin e tij. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në pronësi të familjes Shatrolli, në Yrshek. Policia pasi ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ka marrë dëshmitë e 3 familjarëve të dhunuar dhe të personave të tjerë që kanë parë veprimet e të dyshuarit Romeo Shatrolli. Pas kësaj policia realizoi arrestimin e tij. Sipas dëshmive të familjarëve dhe banorëve të fshatit, 22-vjeçari njihej në zonë si person problematik dhe që prishte vazhdimisht qetësinë publike. Dëshmitarët kanë treguar se në momentin e ngjarjes i dyshuari ka qenë nën efektin e drogës, pasi herë pas herë konsumonte lëndë dhe bimë narkotike. Për këtë problem ai kishte nisur edhe një kurim, në mënyrë që të rehabilitohej. Procesin e rehabilitimit i dyshuari e kishte ndërprerë pak kohë më parë, kur ka rinisur përsëri konsumimin e lëndëve narkotike.
NGJARJA
Policia tha se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:00, Romeo Shatrolli, siç dyshohet, nën efektin e drogës ka hyrë në lokalin në pronësi të prindërve të tij, në fshatin Yrshek të komunës së Kasharit dhe ka nisur të fyejë klientët që ndodheshin aty, duke i nxjerrë jashtë. Sipas dëshmitarëve, i dyshuari ka fyer dhe kërcënuar edhe babain, nënën dhe vëllain e tij, sepse sipas tij ata nuk i kishin dhënë para. Duke mos e lënë me kaq, ai ka filluar t'i godasë me grushte dhe më pas ka thyer tavolinat dhe karriget e lokalit, si dhe objektet që ndodheshin në banak. Pasi ka shkaktuar një rrëmujë të vërtetë brenda në lokal, ai është larguar. Duke qenë se kjo nuk ishte hera e parë me të tilla ngjarje, prindërit e 22-vjeçarit kanë vendosur që ta denoncojnë në polici, duke parë që s'iu kishte mbetur zgjidhje tjetër. Kallëzimin në Komisariatin Nr.6 e ka bërë babai i tij, Festim Shatrolli, i cili i ka rrëfyer policisë të gjithë ngjarjen, duke u treguar se e njëjta situatë kishte ndodhur edhe herë të tjera. Madje ai është shprehur se djalit nuk i jepnin shumë para, pasi ai të gjitha i shpenzonte për të blerë lëndë dhe bimë narkotike. Shatrolli disa muaj më parë kishte nisur rehabilitimin si përdorues droge, të cilin e kishte ndërprerë, duke iu rikthyer sërish konsumit të saj. Ndërkohë sipas policisë mësohet se 22-vjeçari ka edhe precedentë të mëparshëm penal. Ai është proceduar një herë për dezertim dhe një herë tjetër për tentativë vjedhje.
Ushtria
Përballja e parë me drejtësinë për Romeo Shatrollin ka qenë dy vite më parë, kur ai pasi kishte nisur ushtrinë u "arratis" nga reparti dhe u shpall në kërkim. Vetëm disa ditë pas dezertimit, ai u arrestua, madje edhe u ndëshkua për veprimin që kishte kryer. Për këtë vepër ai kaloi disa ditë në qeli dhe më pas doli për të vazhduar sërish ushtrinë.
Policia: Problematik për vjedhje
Pa kaluar ende një vit nga arrestimi i parë me akuzën e dezertimit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, Romeo Shatrolli përfundoi sërish në pranga, pasi u kap në flagrancë duke tentuar të vidhte një banesë në fshatin Yrshek të Kasharit, në periferi të Tiranës. Një patrullë policie e Komisariatit Nr.6, ka qenë duke kontrolluar zonën, ndërsa ka vënë re Shatrollin që po përpiqej të hynte në një banesë dhe e kanë arrestuar.