Rama, sot në shesh, për të turpëruar shqiptarët e për të nderuar Stalinin
Megjithë braktisjen e tmerrshme që hasi rrugicave të Shqipërisë, duke e katandisur opozitën në një lëvizje miniprotestash virtuale, veç për ekranet televizive, Edvini i Kristaqit dhe e gjithë shpura e brezit të dytë të nomenklaturës, del sot në Tiranë, për t’i turpëruar edhe më tej reformat e shqiptarëve e për të konfirmuar se PS-ja e Ramës është shndërruar në llogoren e fundit evropiane të stalinizmitEdi Rama nuk çlirohet dot nga mendësia e revolucioneve dhe e lëvizjeve haxhiqamiliste, me të cilat synon të ndalë veprimin e drejtësisë mbi të e po ashtu edhe nëse i vjen rasti, të vijë në pushtet me metoda antidemokratike. Protestat virtuale të hapjes së kutive të votimit e mbyllin 2010-n, sot në kryeqytet, me një palo-protestë, e cila respekton të gjithë historikun e shkeljeve ligjore që imituan më herët daljet rrugicave të qyteteve, që nga Shkodra e deri në Vlorë. Edvini ka pranuar se askush nuk po e përkrah dhe më herët ka bërë dalje të gjithë ish-aleatët e 28 qershorit, pasi mentori politik – i cili po e çon atë në humnerë – e ka këshilluar që “kompromisin” ta kërkojë i vetëm, pasi ashtu do të ishte e mundur që krejt zgjidhja të ishte personale, që t’u përshtatej veç interesave të Klanit të Pezës. Sot, me 21 dhjetor, në një përvjetor të rëndësishëm për komunistët, atë të përvjetorit të lindjes së diktatorit Stalin, Edvini po u kujton shqiptarëve edhe njëherë, se me Enverin dhe Kristaqin qenë vendi i fundit stalinist i Evropës, prandaj edhe të tillë do të synonin të ktheheshin, në rast se nuk do t’u kthehet pushteti ekonomik e politik i brezit të dytë të nomenklaturës enveristo-ramiziste. Bashkë me Edvinin, janë në përkujtimin e ditëlindjes së Stalinit edhe i biri i Frederik Shalësit, i biri i Xhelil Gjonit, i biri i Sulejman Bushatit, e bija e Pjerin Vatës, i biri i Mit’hat Bares, mbesa e Servet Pëllumbit, dhe një grup edhe më i gjerë pinjojsh të brezit të dytë të diktaturës androgjine të Enverit dhe Ramizit. 21 dhjetori është një rast për t’i kujtuar edhe njëherë publikut se si është katandisur Partia Socialiste në një establishment stalinist të shekullit 21, në një lëvizje antievropiane, antitreg e antimirëqenie, pra, sipas një analize të thjeshtë, në një lëvizje të mirëfilltë antikombëtare. Sot në një linjë me Edvinin mund të jenë drejtues politikë në Beograd e Moskë, Lukashenkoja në Minsk apo ndonjë precedent tjetër antievropian, pasi s’ka më asnjë lëvizje homolog në BE (as miqtë e Papandreut në Athinë), e cila të guxojë të dalë rrugëve me 21 dhjetor e të konfirmojë identitetin e vet stalinist. Pas një turre miniprotestash virtuale, ku i madh e i vogël e kuptoi se Edvini i Kristaqit dhe djelmurinat e tjera të nomenklaturës, ishin të braktisur, protesta e sotme shërben për të treguar se Partia e Edvinit është shndërruar në një formacion stalinist, ndaj të cilit s’ia vlen më të respektohet asnjë rregull i demokracisë parlamentare. ...