E majta në Evropë ka nisur të fusë ujë
Dorëheqja e Veltronit si lider i Partisë Demokrate, e lë Berluskonin pa opozitë në Itali
Quhet Dario Franceskini dhe është 50 vjeç, ish-lider i demokristianëve të "Margarita"-s, ish-numri dy i Veltronit, ai i cili do ta administrojë partinë deri në kongresin që do të mbahet në tetor, nëse nuk do të ketë më parë zhvillime të papritura. Pyetja që i bëjnë vetes shumë italianë është: "Si ka mbërritur deri në shkatërrim total e dikurshmja e fuqishme e majta italiane? Çfarë ka ndodhur në ketë vend, ku pasardhësit e Enriko Berlinguerit dhe të Partisë Komuniste më të fuqishme në Evropë, të shndërrohen tashmë një grup kufomash politike, të ndarë dhe e kapitulluar në mënyrë qesharake, në një proces vetëshkatërrimi. Shumë njerëz në Itali mendojnë që përgjigjja është sempliste dhe ka një emër: Berluskoni. Të tjerë mendojnë që problemi qëndron, qysh në zanafillë dhe është më i specifikuar. I qëndrojnë mendimit se ta quash të majtë, të ashtuquajturën të majtë që mishëron këtë parti është diçka e pavend, e tepërt. Ndoshta, nuk mund të konsiderohet e majtë një kastë shumëngjyrëshe e drejtuesve "radical shik - topmodelë" (kështu i konsideronte gazetari Indro Montanelli revolucionarët e salloneve), që arritën të kapen në politikë afro 20 vjet më parë, që jetojnë larg problemeve reale të qytetarëve, që e formojnë opinionin mbi globalizmin, duke lexuar atë pjesë të shtypit që mbështetet në retorikë dhe në vetëreferencë, në apartamente të shtrenjta në qendër të Romës, apo duke rrëkëllyer "Martini" në plazhet private të Toskanës. E vërteta qëndron tek fakti, se bilanci i bëmave në masë të së ashtuquajturës e majta italiane në këto 15 vitet e fundit, të fut dridhmat. Për të mos thënë që, nuk ka qenë e aftë as t'i ofrojë vendit një ligj që të konsiderohet si i tillë. Natyrisht, e majta italiane as nuk ka guxuar të ofrojë (bëjë) ligje kundra konfliktit të interesit, gjë që i la shkas njeriut më të pasur të vendit dhe zotëruesit (padronit) të grupit më të madh të komunikimit, të marrë pushtetin. Ashtu siç tha edhe vetë Veltroni këtë javë: "Berluskoni fitoi betejën për hegjemoni sociale". Partia Demokrate ka humbur, duke u kthyer në një formacion neutër, i zbehtë dhe pa identitet. Veltroni ka shmangur nga përdorimi fjalën "e majtë" qysh kur erdhi në fuqi të partisë në tetor të vitit 2007. Ëndrra e tij obamiane është bërë copë e çikë. Dorëheqja e tij e ka lënë partinë "e sapolindur" të nënshtruar ndaj kaosit dhe përçarjes. Veltroni është kthyer tashmë në kufomë politike, duke bërë të tijat fjalët e shkrimtarit Ennio Flaiano: "Sot hoqa dorë nga familja ime, sepse u lodha së qeni vetëm". Duke provuar thikat pas shpine nga shokët e tij, që i kërkonin të bëhej më i ashpër, i braktisur nga intelektualë si Andrea Camilleri dhe Paolo Flores D'Arcais, mikluar kaq shumë edhe nga shtypi, i paralizuar nga faktori psikologjik i të qenit kundërshtar i Berluskonit, i ndershmi Veltroni, shkrimtar me vlerë dhe orator i këndshëm dhe i kulturuar, doli nga skena pa përmbushur premtimet e tij: rinorizimin e partisë dhe integrimin në shoqëri. Në vetëm 15 muaj, Partia Demokrate ka rrënuar vegimet e panumërta të krijuara nga disa prej parisë së saj, e në të cilën bënin pjesë 3.5 milionë italianë. E mbetur e shkretë për të ardhmen dhe me një të shkuar të dhimbshme, e farkëtuar kjo edhe me një gjysmë duzinë dështimesh elektorale, të cilat e çuan Berluskonin drejt pushtetit. Partia Demokrate lindi në maj të vitit 2007, si një e singjashme me homonimen e saj amerikane, me vokacionin për të qenë një forcë reformiste, mazhoritare dhe gjithëpërfshirëse. Nga shkrirja e "Ulliri"-t dhe "Margerita"-s, përfitoi në nomenklaturën e tij 45 figura të shquara dhe me mbështetje. Njerëz inteligjentë e të spikatur, sot gati të gjithë kufoma politike elegante. Ish-komunistët si Veltroni e Masimo D'Alema, ish-radikalët "e gjelbër" si Francesko Rutelli, socialistët europeistë si Piero Fassino, katoliko-centristë si Romano Prodi e Rosy Bindy, guvernatorë të dënuar si Antonio Bassolino, demokristianë anemikë si kryetarja e Bashkisë së Napolit, Rosa Jervolino, filozofët heterodoksë venecianë si Massimo Cacciari, dhe baronët veriorë si sindikalisti torinez, Sergio Chiamparino dhe bolonjezi Sergio Cofferati, një kryetar bashkie me ideologji të përafërt me "Lega Nord". E si për të mos munguar askush, më vonë u shfaqën në listat zgjedhore dhe radikalët e drejtuar nga Emma Bonino. Duke qenë i bindur që shumica e grupit mjaftonte, para zgjedhjeve të përgjithshme të prillit 2008, Veltroni vendosi që të shkëputej nga koalicioni me partitë e së majtës dhe të shkonte i vetëm në kutitë e votimit, në një aleancë paszgjedhore me "Italinë e Vlerave", të ish-gjykatësit të famshëm, Antonio Di Pietro. Veprimi i tij kish për qëllim të thjeshtësonte si me një të rënë të lapsit, shkërmoqjen absurde, që pësoi qeveria e Romano Prodit, që zgjati 722 ditë e që i ndau portofolet ministrore me nja 15 parti koalicioniste. Ashtu si shumë të majta që qeverisin nga e hëna në të premte, dhe të shtunën dalin në demonstratë kundër Kryeministrit. Do të vijë dita e zgjedhjeve, dhe e majta klasike do të shkojë drejt kuotave zero. Shprehja e Fausto Bertinotit, liderit punëtor veteran të "Rifondazione", që tërhiqte vëmendjen me ato çorapet e tija me lesh kashmiri, ishte po aq historike sa edhe përhumbja e tij: "Do të vijë dita kur do t'i kthehemi e drejtohemi kangjellave të fabrikave”. Muri i Berlinit ka rënë, më së fundi kishte rënë edhe për Italinë. PD-ja e Veltronit gëzonte mbështetjen e 12 milionë zgjedhësve. Një disfatë e merituar: 33%. Duke llogaritur edhe 4%-in, arrihet në 37%. Gjithsesi, një dështim fund e krye. Një opozitë e kalbur, qeveri në hije, djersë dhe lot.
Berluskoni, nga ana tjetër, buzëqesh i ngazëllyer. Ka të ngjarë se do ta bëjë këtë gjë deri sa të vdesë. I vetmi problem i tij do të jetë ai që shprehja e tij e shpeshtë "opozita është fole e të kuqve", nuk do të besohet nga askush. Sepse nuk ka gjasa për opozitë, dhe as që do të jenë edhe "të kuq". Megjithatë, kjo nuk është edhe aq e rëndësishme. Ashtu siç thotë Ennio Flaiano, skenaristi i madh që bashkëpunoi me kineastin Federico Fellini: "Situata në Itali është e rëndë, por jo për t'u marrë aq seriozisht".
Të majtët gjermanë, në krizë identiteti dhe mbijetese
Gjermania gjendet para një situate politike fort të ndërlikuar. Unioni Kristian Demokrat (CDU) i Angela Merkel, rrotull së cilës sillet Partia Liberale (FDP), ka hedhur vështrimin nga zgjedhjet federale të shtatorit, ndërkohë që aleati i saj aktual socialdemokrat në koalicionin e madh, duket sikur është i destinuar të ulet në ndenjëset e opozitës në Parlament. Do të jetë hera e parë, qysh kur Gerhard Shreder kapi postin e kancelarit në vitin 1998. Socialdemokratët, duke mbushur thuajse 11 vjet qeverisjeje, fillimisht si forca kryesorë në aleance me “Të Gjelbrit”, dhe që nga viti 2005, si forcë e dytë në kabinetin qeveritar të Merkelit, kanë rrënuar plotësisht mbështetjen dhe imazhin e partisë, duke arritur deri atje sa të vihet në diskutim edhe kriza e ekzistencës. Sipas një anketimi të bërë këtë javë nga revista “Stern” (Ylli-shën.im), SPD do të përfitonte në këto momente 22% të votave. E pikërisht tani, gjatë kohës së krizës më të rëndë të modelit të kapitalizmit liberal të regjistruar në dekadë me radhë, ndërkohë që del më e forcuar, me 18 % të votave FPD (Partia Liberale), një parti kjo relativisht e vogël, programi i së cilës mbështet në lavdet që i thur pambarimisht ekonomisë së tregut të lirë.
Për një formacion politik që ka mbi shpatulla 136 vjet ekzistencë, e që prej vitit 1957 nuk ka rënë nën kuotat e 30 % të mbështetjes politike në asnjë prej zgjedhjeve të përgjithshme, 22% do të ishte një rezultat katastrofik, më i keqi qysh prej ndalimit të kësaj partie nga nazistët, në vitin 1933. 2008 ishte padyshim një vit i tmerrshëm për socialdemokratët gjermanë. Pas dështimit fund e krye të renanit (banor i Renanisë-shënimi im) Kurt Beck si president i SPD, frenat e drejtimit të partisë i morën në shtator ministri i Jashtëm Frank-Valter Steinmeier, si dhe drejtuesi politik veteran i kësaj partie, Franz Muntefering. I pari, pasi mori përsipër udhëheqësinë si kandidat për Kancelar, ia la kryesimin e partisë të dytit, pas një krize të rëndë identiteti. Dilemat e pafundme, a të bënte a mos të bënte aleancë me ish-komunistët e së majtës, si dhe shkelja shpesh në dërrasë të kalbur nga Kurt Beck, i lanë rrugë të lirë Munteferingut me eksperiencë. Nga ana tjetër, kandidati Steinmeier, aftësitë e të cilit për të qenë një figurë karizmatike mediatikisht ishin zero me bisht, nuk ia doli mbanë të përmbushte synimin e socialdemokratëve për të vazhduar së qeni pjesë e qeverisë, qysh prej muajit shtator. SPD, e dobësuar ndjeshëm politikisht, mund të qeveriste vetëm në Berlin, nëse do të bënte aleancë me “Të Majtën” (ish-komunistët), gjë që do të shkaktonte rrëzimin e Steinmeier-it. Ose të farkëtonte një “koalicion semafor” me “Të Gjelbrit” dhe liberalët e FDP. Por, më e mundshmja është që të kalojë në opozitë, për të treguar se është e aftë të mbijetojë.
Përgatiti në shqip: Zamir Gjurgji
Marrë nga gazeta spanjolle “El Pais”, titulli në origjinal: “La izquierda hace agua en Europa”