Me porosi të Berishës...?!
Para dy ditësh kam botuar në gazetën “standard” një shkrim me titull “Në emër të Berishës” që trajtonte problematikën e zgjedhjeve në PD. Sinqerisht, kur e shkrova, nuk e mendova me kaq shumë rëndësi sa i është dhënë këtij shkrimi pas botimit të tij. Thelbi dhe qëllimi i shkrimit ishte evidentimi i një fenomeni nga më të pranishmit në politikën shqiptare: faturimi tek Kryeministri Berisha i shumicës së vendimeve apo veprimeve politike të qeverisë dhe mazhorancës, gjë që e kam vlerësuar sa të pavërtetë aq edhe të pamundur. Si shembull merrja zgjedhjet e PD-së në Fier, një situatë ku manipulimi në emër të Berishës ishte qartësisht i evidentueshëm. Nuk dua të zgjatem në detajet e shkrimit të botuar, por dua të theksoj se kisha informacion të bollshëm dhe të verifikuar për atë që po ndodh në PD-në e Fierit. Me vetëdije kam bllokuar botimin e disa kronikave të incidenteve të dhunshme, si reagime të strukturave partiake dhe qytetarëve me arsyetimin, por edhe dëshirën time që këto gjëra të zgjidheshin brenda PD-së. Por duket se e kam pasuar gabim dhe ju kërkoj ndjesë për injorimin e autorëve të këtyre reagimeve, intelektualë e qytetarë të respektuar të Fierit. Mirëpo ndoshta për herë të parë në karrierën time gazetareske u ndodha përballë një reagimi befasues nga individë që dukeshin të prekur nga shkrimi, pjesa më e madhe e të cilëve as ishin përmendur në të. Në fakt, pata edhe një reagim tjetër, pothuaj popullor, nga Fieri ku pas shitjes së tirazhit të planifikuar për Fierin shkrimi shpërndahej i fotokopjuar. Ky ishte reagimi më real, më i sinqertë ndaj asaj që kisha trajtuar, megjithëse duhet ta pranoj se nuk e kisha menduar një problem kaq të rëndësishëm e të mprehtë. Por dua të qëndrojmë pak më gjatë tek reagimi i çuditshëm i zyrtarëve e politikanëve lokalë e qendrorë të PD-së ndaj shkrimit tim. Mund të numëroj dhjetëra telefonata e takime të drejtpërdrejta ku më kërkonin të dinin nëse shkrimi ishte bërë me porosi nga lart (nënkupto Berisha). Pyetje të ngjashme u ishin bërë edhe disa kolegëve. Më vinte për të qeshur me këtë reagim dhe megjithëse i garantoja se ishte punë imja, nuk arrinin të më besonin dot. Nga sikleti më nxori redaksia që bëri një sqarim posaçërisht për shkrimin tim (edhe pse ne e kemi një të tillë për të gjithë në rubrikën e komenteve) ku distanconte gazetën, madje edhe Berishën nga shkrimi im. Të them të drejtën, më habitën dhe më trishtuan reagimet e politikanëve që në të kundërtën e atij të qytetarëve dhe demokratëve të Fierit, nuk i shqetësonte ajo që po ndodhte (ndoshta e dinin), por ideja se ky shkrim mund të ishte “me porosi nga lart”.
Kjo situatë më bëri të jem i sigurt tek ajo që në shkrimin e parë kisha trajtuar pak me dyshim. E kam fjalën për faktin se z. Berisha merrte një informacion të seleksionuar apo ndoshta edhe të rremë për atë që po ndodh në Fier. Nuk mund të shpjegoj dot paranojën, por nga përvoja ime nuk ka ndodhur ndonjë herë që Berisha të më porosisë apo të urdhërojë në mënyrë të drejtpërdrejtë për ndonjë shkrim. Kjo nuk ka ndodhur as kur kam qenë zv.kryeredaktor i “RD”-së, gazetës zyrtare të PD-së. Miqtë e mi në PD e dinë shumë mirë një fakt të tillë. Kjo cilësi e Berishës në raportet me të ka qenë nga më të vlerësuarat, më të respektuarat nga unë. Kaq për sa i përket paranojës së “porosisë nga Berisha” reagimit të vetëm të të shqetësuarve “qendrorë” prej shkrimit tim që shpresoj tashmë të jenë qetësuar.
Nga Tirana në Fier
Një tjetër reagim shoqëroi shkrimin tim në Fier. Më vjen mirë që opinioni publik më mirëpriti. Por, natyrisht do të reagonin edhe të pakënaqurit prej tij. Kryetari lokal i PD-së, që në fakt, në shkrim ishte përmendur jo si objektivi kryesor por si ilustrim i idesë sime të (sh)përdorimit të emrit të Berishës, ishte me “i revoltuari”.
Tentoi një kompromis me mua, duke përdorur miqësi të përbashkëta dhe oferta korruptive, por pa sukses. Më pas kaloi në një sulm frontal fyerjesh një konkretizim “live” i asaj që kam përmendur në shkrimin e parë si pjesë e luftës së tij ndaj rivalëve për garën e kreut të Fierit. Por jo vetëm kaq. Nuk ka mundur të mohojë asgjë nga konstatimet e mia, megjithëse i dhamë mundësinë e reagimit në faqet e “standardit”. Ndërkohë, në mediat lokale është munduar të aludojë, natyrisht pa sukses, “për shkrim të paguar nga kundërshtarët e tij”. Ata që më njohin mirë mua, përfshi edhe kryetarin e Grupit të Punës, mikun im, Sokol Olldashi, e dinë se unë nuk blihem, ndërkohë që për t’u trembur nga fyerjet apo kërcënimet as që mund të mendohet. Këtë e kam provuar në kohë shumë më të vështira e me persona më me pushtet se zotëria në fjalë.
Dua të qëndrojmë pak te situata në Fier. Pas shkrimit tim, mediat lokale kanë hapur problemin e zgjedhjeve në PD dhe realiteti po del në shesh. Pa pritur vendimet e Tiranës, strukturat e PD-së e kanë caktuar alternativën e tyre. Në dy emisione rresht përballë kryetarit aktual është vënë dr. Besnik Brahimaj, një mjek intelektual i njohur në Fier. Brahimaj ka qenë rival edhe në zgjedhjet e kaluara, por u tërhoq pas mashtrimit se ishte “porosi” e Berishës. Frika e strukturave duket se nuk është gara mes të dyve, por përpjekja e deklaruar e kryetarit aktual për të penguar nga Tirana kandidimin e rivalit real të tij dhe përcaktimin e një kandidati fiktiv ose të dobët që mund të tërhiqet në zgjedhje (siç ndodhi ne zgjedhjet paraardhëse) apo të mundet lehtë duke e kthyer procesin zgjedhor në një farsë. Pikërisht për të garantuar një garë të ndershme, qindra militantë dhe intelektualë i kanë drejtuar Berishës një peticion që në fakt bashkë me shqetësimin qytetar ishte edhe “motivimi” apo “porosia” e vetme për shkrimin tim problematik.
Si përfundim, dua të theksoj se nëse ka moment ku Berisha duhet të japë një “porosi” është ky i zgjedhjeve në Fier. Garantimi i një gare të ndershme që për PD-në dhe publikun e Fierit është “de facto” është e përcaktuar, duket se është zgjidhja e vetme efektive që mund të bëhet “de jure” vetëm me ndërhyrjen e Berishës. Besoj që kjo është më e mira edhe për PD-në.
P.S. Ky shkrim është tërësisht përgjegjësi e imja. Nuk ka asnjë lidhje me politikën editoriale të gazetës “standard” dhe nuk është porosi e z. Berisha.