Për Havzi Nelën “in memoriam” hibrid
Ka pak kohë që në treg ka dalë libri për poetin nga Kukësi, Havzi Nelën, botimet “Ombra GVG”. Është një botim që mban dy emra në kopertinë, i cili ashtu si titulli funksionon edhe përmbajtja: kryqëzuese. Petrit Palushi në krye dhe pak më poshtë këtij emri shkruhet: “Kryqëzimi i Havzi Nelës”. Për ta çuar më tej misionin e tij në Tiranë, Palushi sot organizon edhe një ceremoni për të nderuar poetin martir në 75-vjetorin e lindjes. Të gjitha këto nderime duken si një nismë gjysmake, krejt personale të patriotit të Havzi Nelës, ndërkohë që nuk shihet ndonjë impenjim më i madh dhe më serioz mbi personalitetin e tij, qoftë letrar apo politik për shkak se në grahmat e fundit, në vitin ’88, diktatura e dënoi me varje në mes të qytetit të Kukësit. Mënyra më e mirë si për të mos lexuar historinë e poetit, monografinë e tij, me jetën e paprecedentë, është pikërisht libri i Petrit Palushit, “Kryqëzimi i Havzi Nelës”. Palushi duke u përpjekur t’i bëjë një shërbim patriot këtij njeriu, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse na ka sjellë një “in memoriam” hibrid. Modeli i këtyre lloj shënimeve ngjasin sa delikate aq dhe të vështira, jo vetëm për faktin e natyrës së metodologjisë që duhet ndjekur, por dhe për mungesën e kësaj shkolle këtu.
Për shkak të përjetimit të një sistemi diktatorial, kur memoriale të tilla vijnë dhe si hapje dosjesh dhe fletëshkrime të panjohura që zbulohen - detyra e studiuesit, hulumtuesit, kritikut, jetëshkruesit bëhet akoma më kompleksive. Raste kemi, si libri monografik për Vilson Blloshmin, që sapo është hedhur në treg, përgatitur nga Sadik Bejko - që sigurisht është modeli më i mirë për kësi natyra botimesh.
Botimi është një dedikim për 20-vjetorin e vdekjes tragjike të Havzi Nelës, e financuar edhe nga Ministria e Kulturës - që deri këtu duhet vlerësuar nisma - por më tej shfrytëzimi i lëndës, i dokumentacionit historik, dhe faktik mund të përmblidhen vetëm në një fjalë: shpërdorim, keqpërdorim dhe mungesa totale profesionale.
Palushi duke u rrekur të na zgjojë ndonjë ndërgjegje ka gjymtuar rëndë informacionin, qoftë nga procesverbalet hetimore që nuk kuptohen, po ashtu nuk dalin qartë, se të kujt datimi janë. Por edhe fragmentarizimi, shkëputja e mendimeve që Havzi Nela ka pasur në atë kohë, janë “kryqëzuar” mënyrën më të keqe të mundshme, duke mos lënë hapësirë për të reflektuar ndërgjegje tek lexuesit, dhe as për të përcjellë lëndën informative të pastër. Shënimet që shoqërojnë “dokumentacionin” që ka gjetur Palushi nuk vijnë të qarta, pasi janë të mbytura nga natyra komentuese e librit. Ky libër pikërisht për këtë nuk ka pasur nevojë. Ajo që pritet nga lexuesi është jeta e rrjedhshme e poetit, dëshmitë arkivore, apo hetimore, poezitë e plota dhe jo copëza vargjesh. Palushi merr përsipër të na tregojë ngjarje nga sheshi ku u var poeti, pa qenë vetë dëshmitar, (por edhe sikur të ishte i tillë, janë krejt relative përjetimet, jo të besueshme për nga ana morale si ndërgjegje për atë çfarë po ndodhte në Kukës) të mbledhë kujtime që shpesh nuk i afrohen arsyes se një libri dokumentues. Kur në të gjitha këto duhet të zotërojë saktësia dhe informacioni sa më i plotë, i faktuar, e bardha mbi të zezë - gjë që nuk na jepet. Deri në fund të librit është një mundim i gjatë, për të marrë vesh në mënyrë kronologjike se çfarë ngjet me jetën e poetit, cila është pjesa e qartë e krijimtarisë së tij letrare, kalvari kronikal, hetuesia, mendimet, bota e brendshme shpirtërore, vuajtjet etj.
Nuk dihet se me çfarë kriteri drejtoria e librit në Ministrinë e Kulturës e ka vlerësuar këtë libër, dhe me se çfarë filtri e ka kaluar - ndërkohë që duke u trajtuar në këtë mënyrë, monografi të tilla si të Havzi Nelës zbehen, kur është koha të zbardhen fill e për pe, ngjarja e vërtetë, dokumentacion i plotë të hiqet e gjithë mjegullnaja komuniste, ajo që e ka mbajtur peng dhe e ka kryqëzuar poetin. Duke qenë se libri mbetet në treg, dhe historia është fatale shpesh herë për shumë arsye, ja mediokriteti, ja politike, ja mungesë përvoje, është mirë që libra të kësaj natyre të ishin krejtësisht profesionistë, historikisht saktë e të plotë, dhe ndoshta do të kishin nevojë të mbanin grupe konsulence për t’i trajtuar. Është një libër i lodhshëm për të marrë të vërtetën mbi Havzi Nelën, deri në fund.